Zbardhen kurthet e Sigurimit për të futur në grackë Vilson Blloshmin! Dita e fundit pra vdekjes…

blloshmi

Poeti Vilson Blloshmi ishte në listat e “kontingjenteve armike” të regjimit komunist. I cilësuar si bir një familjeje kulake me baba e xhaxha të burgosur, ai nuk kish si t’i shpëtonte goditjes së luftës së klasave.

I lindur në një familje arsimdashëse, Vilson Blloshmi me një inteligjencie natyrale për t’u admiruar, adhurues i madh i librit dhe poet që do ta kishte luks çdo vend, Vilsoni ishte preja e një regjimi ziliqarësh e kriminelësh. Me mbarimin e shkollës së mesme pedagogjike, atij nuk iu dha e drejta të punonte në arsim.

Raporti i parë për të u soll në vitin 1970 kur ishte në moshën 22-vjeçare. Ishin përgjithësisht shprehje për çështjen e punësimit të tij. Më vitin 1974 informatori “Bleta” sillte bisedën me Vilsonin rreth përkthimit të Lamartinit, një diskutim për jetën i ndarë në dy faza, nga rinia te pleqëria me kthimin në fund te besimi për Zotin. Këtë kohë Vilsoni punonte në minierën e Përrenjasit. Diskutimi ishte filozofik dhe jo politik, por raportimi analizohej se Vilsoni ka “përbërje shumë të keqe politike”. “Bleta” në Përrenjas shkonte sërish më 12.10.1974 në dhomën e Vilsonit gjoja për të mësuar frëngjisht. Atje gjeti një person tjetër, Genc Lekën, të cilin Vilsoni ia prezantoi si shokë dhe të afërm. Vilsoni diskutoi me Gencin për letërsinë dhe artin. “Bleta” vërente se “Genc Leka ishte njeri me kulturë dhe e njihte mirë letërsinë, gjithashtu ai vuri re se të dy kishin shumë libra, nga të cilët dhe të autorëve të papërkthyer në shqip si Dideroi, Shatobriani, Lamartini etj.. Vilsoni i kishte thënë se atij i pëlqenin shumë idealistët në teori, për mënyrën se si ata i kundërvihen materialistëve.

blloshmi

Më 15.2.1975 është marrë vendimi për vënien e tij në përpunim paraprak (PP). Më 19.4.1975 informatori “Shkumbini” raportonte se i kish rënë në sy se “Vilson Blloshmi, lexonte shumë literaturë të huaj në gjuhën frënge”, ndërsa Genc Leka i thoshte se Vilson Blloshmi frëngjishten e kishte gjuhën e vet. Në vijim jepen dy informacione të përgjithshme që nuk janë rënduese ndaj Vilsonit.

Më 11.8.1975 Vilson Blloshmi, i cilësuar “shtresë e pasur kulak”, u ngrit në kontroll operativ 2B. Jepeshin si arsye bisedat me bashkëpunëtorët “Studenti” dhe “Bleta” “për arsye se ka komentuar me bashkëpunëtorin pakënaqësi të theksuar ndaj partisë dhe qeverisë, nuk është dakord që arti ynë të përshkruhet nga një partishmëri e thellë”. Por siç i bënte Sigurimit punët, niveli i informacionit ishte jo cilësor. Madje vëllai i Vilsonit, Bedriu, shkruhet në listën e lidhjeve familjare si “kushëri” i tij.

Më 5.11.1975 operativi Vesel Gjorga shkruan disa detyra në drejtim të përpunimit të Vilson Blloshmit, ku peshën më të madhe e mbajnë “Studenti” dhe “Shkumbini”. Vija e sjelljes ndaj tyre është ajo provokuese. Do pyetej se ishte me shkollë të mesme dhe nuk i jepnin të drejtën e dhënies mësim. Edhe shakatë që bënte Vilsoni e që mbështeteshin në ngjarje të njohura, operativët i shkruajnë me nëntekste armiqësore e të qëllimta.

Për të ndezur pak situatën, organizohet djegia e muzeut të Bërzheshtës. Për këtë qëllim, informatori “Dardha”, me porosi të Vesel Gjorgës provokon Vilsonin, të cilin e takon më 20.3.1976 në Qukës. Vilson Blloshmi i thotë se djegien mund ta ketë bërë Sigurimi për të marrë njerëz në qafë, por ishte i sigurt se asnjë prej tyre (të deklasuarve) nuk e kish bërë këtë gjë. Madje ishte shkruar edhe një letër për gjoja kryengritje, etj..  Më 17.4.1976 operativi Xhevat Karriqi kërkon të ngrihet Vilsoni në përpunim aktiv 2A “si armik klase dhe të ecet drejt goditjes së tij”. Pas kontrollit që i është bërë në shtëpi, ai kërkon të gjendet lista e librave të ndaluar. Kërkon kontrollin edhe të gruas së Vilsonit dhe të kihej kujdes se mund të arratiseshin të dy.

Më 10.5.1976 vendoset ngritja në përpunim aktiv 2A e Vilson Blloshmi. Si arsye jepen origjina si kulak, zhvillimi i agjitacionit e propagandës kundër pushtetit (në dosje janë opinione, por jo të atilla që plotësonin elementin penal), si dhe kallëzimi i datës 9.5.1976 (në fakt, në dosje është kallëzimi i datës 15.5.1976) i qytetarit Ferit Çota se Vilsoni mund të arratisej. Feriti kishte qenë shok ushtrie me Vilsonin. Nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk rezulton me personalitet të qëndrueshëm.

Kallëzimi i Çotës (në të cilin ishte futur edhe një element që mund të lidhej me “terrorin”, marrja e dy minave) i bëhet i njohur sekretarit të parë të PPSH-së në rreth, Sotir Koçollarit si dhe Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB.

DPB Librazhd miraton edhe planin e masave agjenturiale operative për parandalimin e arratisjeve të Vilsonit, Genc Lekës, etj. Më 14.5.1976 Ferit Çota instruktohet si ta provokojë Vilsonin, përfshi edhe një incizim të fshehtë në vendin e caktuar, që u realizua po atë ditë. Ndaj Vilsonit vendoset survejimi. Një vijësjelljeje tjetër për denoncuesin harton edhe operativi Xhevat Karriqi. Çota e realizon incizimin, por në të nuk ka asgjë thelbësore, nuk arrin ta fusë në kurth Vilsonin. Duket që edhe kallëzimi i tij ishte i rremë. Ai e provokon vazhdimisht Vilsonin se do të arratisej. “S’jemi takuar hiç ne të dy”-i thotë Vilsoni.

Kur ishte zhvilluar goxha bisedë, Vilson Blloshmi e fton të bisedojnë jashtë godinës, por Çota refuzon. “Për çfarë më ndjek mua prapa ti”- i thotë Vilsoni që duket e ka kuptuar lojën e tij. Në këtë mënyrë dështoi gjithë plani i përgatitur nga DPB Librazhd për të futur në kurth Vilson Blloshmin. Dështimi i gjithë shtetit dukej qartë edhe në shënimin e fundit sepse “objekti” (Vilsoni) nuk kishte besim te denoncuesi. Për këtë arsye, Ferit Çota më 15.5.1976 nënshkruan para hetuesit Lulo Ymeri dhe operativit Spiro Lera një kallëzim (të rremë) penal ndaj Vilson Blloshmit, duke kaluar kështu drejt veprimeve legale hetimore-gjyqësore.

Sipas kallëzimit, më 9 maj, kur ishin duke gjuajtur peshk, Vilson Blloshmi gjoja i kish thënë se do arratisej në Jugosllavi. Por as këtu Vilsoni nuk kapet në kurth. Ai shkon në DPB Librazhd dhe kallëzon Ferit Çotën për kallëzim të rremë. Zgjuarsia e Vilsonit arrin në një pikë vërtet të pabesueshme. Ai akuzon Feritin se i kishte para borxh si dhe ndërton kundërakuzën e tij bazuar në provokimet e tij (Feritit), duke nxjerrë se ishte provokuesi ai që i kish thënë të arratiseshin.

Dështimi i F.Çotës, detyron operativ V.Gjorgën të dërgojë informatorin “Dardha”. Gjorga shkruan se Blloshmi ndiqej për tentativë arratisje dhe si kulak. Operativi tjetër Xhevat Karriqi, porosit “Studentin” të provokojë Vilsonin se kush e kish djegur muzeun e fshatit. Karriqi çon “Nogolin” dhe ndryshe nga Vesel Gjorga shkruan se Vilsoni ndiqej për agjitacion e propagandë, e jo për tentativë arratisje. Të dy operativët, ngatërrohen me njëri-tjetrin. Nuk ishin kurrkund me planin e tyre.

Më 20.6.1976, DPB Librazhd miraton një plan masash kundër Vilsonit, të hartuar operativi Xh.Karriqi dhe miratuar nga zëvendëskryetari Spiro Lera. Plani synonte aktivizimin më të madh të bashkëpunëtorëve “Dardha” e “Studenti”, si dhe identifikimin e përkthimeve e librave të ndaluar që mbante Vilsoni. Akuza qartësohej për agjitacion e propagandë. Shënimi i fundit për Vilsonin është në lidhje me shkrimet dhe librat që i kishin marrë.

Pasi të gjithë dështojnë, Vilson Blloshmi arrestohet më 5.8.1976.

Dita e fundit e dy poetëve të dënuarve me vdekje – 17 korrik 1977

 Policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë….

Nga Bedri Blloshmi

Të dielën e 17 korrikut familja erdhi për takim por unë s’doja të dilja. E çfarë t’u thoja? 35 ditët pas vendimit i kisha kaluar në një dëshpërim që s’thuhet. S`më ndihmonte asnjë shpresë. Thonë se njeriut i dhimbset mbi të gjitha koka e vet, por kjo, në atë rast, për mua s’vlente. Kisha një dhimbshuri kaq të madhe për Vilin, pasi qysh në vegjëli e kisha pasur idhull. Dhe marazi më i madh, po e përsëris, ishte që do t`i pritej në mes pasioni për të shkruar e për të lexuar, të cilit i sakrifikonte edhe gjumin. Nga ana tjetër, sapo kishte krijuar familje, madje një muaj pas arrestimit ishte bërë me vajzë. Çfarë t`i dëshiroja po të shpëtonte, veç burgut 25 vjeçar që më priste mua, nën shkopinjt e gomës e duke shtyrë vagona në galeri? Isha tërësisht i asgjësuar nga kjo mynxyrë që na kishte rënë kaq papritur. Dhe çudi, ndjeja mall për jetën e mjeruar që posa kishim lënë pas. Për ato biseda mes tij e xhaxhait, për fjalën e tyre të pjekur, së cilës i bashkohesha duke iu gëzuar që ishim bashkë në mbrëmje. Ah, si mundën e ma morën këtë vëlla? Si ia punuan Gencit të gjorë atje në zyrë? Me çfarë e droguan apo mashtruan, të pabesët? A me të dyja bashkë? Përplasja kokën ndër duar, dhe vetëm shokët e hallit të përbashkët që kisha pranë, me fjalë të ngrohta, më jepnin një arsye për t`i rezistuar vuajtjes së madhe.

Gjyqi ishte me dyer të mbylluara. Familjarëve tanë u ishte mohuar prania. Dera për ta ishte e mbyllur. Në sallë ishin të pranishëm vetëm sigurimsat dhe antarë partie. Të gjithë me ftesa në dorë. Mendoja se, edhe takimi do të ishte një poshtërim tjetër për mua, me ata që do vëzhgonin dhe mund të ndërhynin, prandaj refuzova të dilja në takim. Por, shokët e dhomës me detyruan që t’i takoja; diçka t’iu shpjegoja ose të paktën t’i shikoja edhe një herë. Në dhomë ishin tre burra, të cilët kishin qenë edhe më përpara brenda me babain dhe xhaxhain tim, e tani po riburgoseshin si të ridënuar. Më thonin që familja ka nevojë për kurajo, prandaj dil takoi, mos i lër në dëshpërim. Kështu dola, në dhomën e ndriçuar dobët dhe u pamë, por me hekurat që na ndanin. Pashë fytyrën e mamasë dhe të motrës, dhe mbrapa tyre ishte kryetari i degës Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri dhe Nevruz Hamiti si dhe disa civilë-rrozga të tjerë. Nga ana ime, prapa krahëve, kisha nja tre a katër policë. Mamaja dhe motra vetëm qanin. Në hapësirën mes hekurave, më merrnin duart, m’i fërkonin, m’i afronin në faqe e, i puthnin. Më në fund, mamaja e mbytur në lot, foli: “Ç’është kjo hata që na gjeti o bir? Erdhëm në gjyq dhe na përzunë. Mbas ca ditësh dëgjuam në fshat, se ishit dënuar të tre me vdekje, pushkatim. U kërkova këtyre të takoj përpara Vilsonin, që t’i jepja sihariqin që është bërë me vajzë”. Më pushtonte kokën mbas vetes por ç`e do, fytyra ime haste në hekura e jo në gjoksin e mamasë time. Aty ja ktheva: “Mos u mërzisni dhe ti mos shpreso se do ta takosh Vilsonin, sepse ai është mbas kurrizit tim, i lidhur kokë e këmbë, dhe këta, sa të ikni ju, shumë shpejt do ta shuajnë”. Gjatë takimit, isha më shumë i egërsuar se sa i dhembshur, prej prezencës së atyre mbrapa, duke vazhduar pa mëshirë: “Dhe ti mjaft lotove para këtyre, se këta atë duan, të të shohin duke qarë e të kënaqen se ja arritën qëllimit. Ikni shikoni hallet tuaja, mbani veten e qëndroni të fortë, tani do të jetoni me fatin tonë!”. Mamaja psherëtiu mes lotëve dhe më tha: “Mos fol ashtu Bedri. Ai s’ka bërë asgjë të keqe, vetëm libra e libra lexonte, ah, mos kanë faj ato librat e shkretë? Se asgjë të keqe s`ka bërë…”  I thashë për të fundit herë: “Mama, mbase prandaj është këtu ku është, se s’ka bërë asgjë”. Në çast kryetari i degës ndërpreu takimin, dhe unë iu ktheva kurrizin menjëherë…

Në mbrëmje, në dhomën ku isha unë, kur po dilnim për në banjo, erdhi Selim Caka (shefi i hetuesisë). Të gjithë lëvizën vendit, kurse unë vazhdova të rrija ulur siç isha, pa luajtur asnjë gisht. Ai m’u drejtua: “Ti kulak, çke që s’ngrihesh në këmbë?” Unë vazhdoja të qëndroja ulur. Ai ulëriti dhe, unë, përsëri ashtu ulur, i kthehem: “Në këmbë çohem kur të kem frikë … ose respekt. Për ty, as njërën as tjetrin nuk e kam.”

“Mirë, – më tha, – erdhi përgjigja nga Gjykata e Lartë, ti e ke dënimin aq sa ta dhamë ne, 25 vjet njëher për njëherë. Në atë moment, e vetmja gjë që nuk më interesonte ishte vetja ime, ndaj e pyeta për vendimin e Gencit dhe Vilsonit.

“Jo, – më tha, – për ata, asnjë ndryshim.” Më pas, mori një të dënuar dhe ia çoi Gencit në birucë. Mesa kuptova ia çuan për t`i treguar bisedën time me shefin e hetuesisë. U dëgjua një zhurmë dhe, disa çaste më vonë, dëgjova policin që i tha në telefon dikujt: “Thërrisni urgjentisht mjekun”, si duket Gencit i kish’ rënë të fikët nga lënia në fuqi e vendimit me vdekje. Ndërkohë në dhomë, policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë./Kujto.al

 Skeda e përndjekjes së Vilson Blloshmit

-15.2.1975 në përpunim paraprak PP

-11.8.1975 në kontroll operativ 2B
-10.5.1976 në përpunim aktiv 2A

-5.8.1976 arrestohet

-17.7.1977 ekzekutohet

Skeda e jetës së Vilson Blloshmit

18.3.1948 u lind në Bërzeshtë

1962-1966 nxënës në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan

1966-1968 punëtor në ndërmarrjen e drurit në Stravaj

1968-1970 ushtar në Tale të Lezhës

1970-1973 në kooperativë bujqësore

1973-1975 minator në minierën e Përrenjasit

1975-1976 në kooperativë bujqësore/ © Panorama.al

——————————-

Lexo edhe:

VDEKJA TRAGJIKE E DJALIT TË ARBEN DUKËS, RRËFIMI I NËNËS: E DËRGUAM NË SHBA PASI NA E RRËMBYEN NJERËZIT E SALI BERISHËS