
Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në lokalitetin e Bostanit në Novobërdë po sjellin të dhëna të reja për historinë e hershme të kësaj treve dhe lidhjen e saj me periudhën e Mbretërisë Dardane.
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se hulumtimet arkeologjike të zhvilluara gjatë viteve të fundit kanë konfirmuar praninë e një vendbanimi të fortifikuar në këtë lokalitet.
Sipas të dhënave nga gërmimet, në Bostan janë evidentuar gjurmë të një muri rrethues, një kulle dhe një porte, ndërsa materialet arkeologjike të zbuluara dëshmojnë për ekzistencën e një qendre me rëndësi gjatë periudhës klasike dhe helenistike.
Gjetjet e deritanishme po e pozicionojnë Bostanin si një nga lokalitetet me rëndësi për studimin e historisë së Dardanisë, veçanërisht për të kuptuar më mirë mënyrën e jetesës, aktivitetet ekonomike dhe organizimin e vendbanimeve gjatë periudhës së Mbretërisë Dardane.
Sipas ministres Bogujevci, vazhdimi i hulumtimeve arkeologjike në këtë lokalitet është i rëndësishëm për dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës.
Institucionet përgjegjëse pritet që të vazhdojnë punën kërkimore në Bostan, me synim dokumentimin e mëtejshëm të strukturave dhe materialeve arkeologjike të zbuluara në këtë zonë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Poezi nga Ibrahim Rugova: O kujt t’i falem n’këtë orë t’vështirë






