Një varr në Peru ka zbuluar gjuetaren më të vjetër në botë. Ky është një lajm me pasoja të rëndësishme për historinë e njerëzimit, pasi mund të ndryshojë kuptimin tonë të marrëdhënieve gjinore në Amerikën e lashtë dhe madje edhe mbi natyrën e shoqërive parahistorike.
Rendi Has, antropolog nga Universiteti i Kalifornisë, ishte duke punuar me kolegët e tij në një vend të lartë në një zonë të njohur si Uilamaja Patajksa, në jug të Perusë, kur gjeti 6 varre 9.000 vjeçare, të cilët përmbanin mbetjet e gjashtë njerëzve. Gjatë punës së tyre ekipi bashkëpunoi me komunitetin lokal Ajmara.
Por njëri nga varret nuk ishte si të tjerët. Bazuar në paketën e veglave të gjuetisë që u gjetën brenda, ekipi mendoi në fillim se ai i përkiste një gjuetari mashkull. Por kockat ishin shumë të holla, të lehta dhe dukej qartë se i përkisnin një femre .
Bio-arkeologu Xhim Uotson thotë: ”Unë mendoj se gjuetarja mund të jetë femër”. Dhe në fakt varri përmbante eshtrat e një gruaje të re që ka vdekur midis 17 dhe 19 vjeç. Gjinia dhe mosha e saj u përcaktuan bazuar në një analizë të proteinave në dhëmbët e saj.
Antropologu Has tha për “Sky News” se gjuetarja ishte varrosur me “maja prej guri për prerjen e kafshëve të mëdha, një thikë dhe një majë shkëmbi për heqjen e organeve të brendshme, si dhe mjete për kruajtjen dhe nxjerrjen e lëkurës”.
Majat prej guri i bashkëngjiteshin shkopinjve të cilat përdoreshin si shtiza mbi kafshët me një forcë të madhe. Gjuetarja u gjet afër varrit të një mashkulli, që gjithashtu ishte varrosur me një vegël gjuetie me vete. Ekipi i studiuesve, gjeti edhe prova të eshtrave të kafshëve në sedimentin e varrit, përfshirë drerin andean dhe vicuña, një lloj deveje.
Has thotë se këto 2 kafshë “ishin shënjestrat kryesore të gjuetarëve antikë në atë pjesë të Andeve”. Por ka edhe skeptikë mbi këtë zbulim. Arkeologia Meg Konkej, thotë se prania e mjeteve të gjuetisë në një varr nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ndjera ka qenë gjuetare.
Por Has dhe kolegët e tij ishin të përgatitur për këtë skepticizëm, ndaj ndërmorën një studim shterues të literaturës kërkimore në 107 vendet-varrimet e lashta të zbuluara në 2 Amerikat. Të gjitha ato janë midis 6.000-12.500 vjet të tjera. Në total, studiuesit gjetën 10 gra të varrosura me vegla gjuetie.
Hulumtimi i tyre i çoi ata në përfundimin se gratë merrnin pjesë rregullisht në gjuetitë e mëdha, dhe ato përbënin midis 30 për qind dhe 50 për qind të gjuetarëve. Deri vonë, “hipoteza e gjahtarëve burra” ishte pranuar gjerësisht.
Sipas saj gratë bënin “punë grash”, dhe burrat merreshin me aktivitete të tilla si gjuetia, dhe për pasojë ishin gjinia mbizotëruese. Ky përfundim ishte bazuar pjesërisht në studimet moderne të grupeve të gjuetarëve siç janë Hazdat në Tanzani .
Tashmë të frymëzuar nga zbulimi i tyre novator në Peru, studiuesit argumentojnë se nuk ishte kështu. Gjuetia e gjahut të madh kërkonte punë në grup. Prandaj, gratë bashkëpunonin me burrat për të siguruar sukses në ekspeditat e gjuetisë.
Zbulimi i gjuetares antike në Peru, mund të transformojë njohuritë tona mbi rolet gjinore në të kaluarën. Nëse gratë kanë gjuajtur vërtetë përkrah burrave, kjo do të nënkuptonte se në shoqëritë parahistorike kishte më shumë barazi midis gjinive.
Më herët arkeologët kanë gjetur prova të një gruaje luftëtare 5.000-vjeçare në Kaliforni, ndërsa zbulime të tjera sugjerojnë se ka pasur luftëtare femra në shoqëritë mongole dhe vikinge./Ancient Origins – Bota.al