Egjipti njoftoi zbulimin e 30 arkivoleve prej druri që përmbajnë mumje.
Ato janë gjetur në qytetin jugor të Luksorit.
“Arkivolet me mbishkrime u gjetën në nekropolin e al-Asasif, të mbivendosur në dy nivele, 18 arkivole në nivelin e parë dhe 12 në nivelin e sipërm”, deklaroi ministri i Antikiteteve, Khaled al-Anani, në një konferencë për shtyp.
“Është vendi i parë i fshehtë i zbulimit të arkivoleve njerëzore që nga fundi i shekullit XIX”, theksoi ai.
Mostafa Waziri, drejtuesi i Këshillit Suprem për Antikitetet egjiptiane, deklaroi në këtë konferencë se 30 arkivolët e zbuluar janë të priftërinjve meshkuj dhe femra si dhe të fëmijëve nga dinastia XXII, e shekullit X para Krishtit.
Egjipti ka njoftuar muajt e fundit për një sërë zbulimesh antike, me shpresën për të ringjallur industrinë e dëmtuar të turizmit që është një burim kryesor i të ardhurave kombëtare./atsh