Zbulohet dokumenti i vitit 1943: Dje u grabit Ali Këlcyra, lulja e nacionalizmit shqiptar…

Memorie.al publikon disa dokumenta të panjohura arkivore që i përkasin qershorit të vitit 1943, ku ndodhet një korrespodencë ndërmjet Prefekturës së Gjirokastrës, Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë dhe Shoqërisë së Autobuzëve të Transportit Publik (S.A.T.A.), ku bëhet e ditur ngjarja e ndodhur më datën 11 qershor të atij viti, ku në fshatin Picar të rrethit të Gjirokastrës, një çetë komuniste e përbërë prej rreth 50 vetash të armatosur dhe me kapele me yllë të kuq, ndaluan autobuzin e linjës Tiranë-Vlorë-Gjirokastër, dhe pasi kontrolluan të gjithë pasagjerët, rrëmbyen me forcë Ali Këlcyrën, të cilin e morrën në krah dhe u larguan duke kaluar lumin e Kardhiqit. Të gjitha detajet e asaj ngjarje të bujshme, ku forcat komuniste partizane u detyruan që të lironin kreun e Ballit Kombëtar për Jugun e Shqipërisë, pas ultimatumit që i dha Ministria e Punëve të Brendëshme kreut të Prefekturës së Gjirokastrës, Beso Gega, duke i shkruar që ai të interesohej personalisht, që Ali Këlcyra të lirohej i gjallë, pasi përndryshe, ai qark i asaj Prefekture, do të kishte konsekuenca shumë të këqija. Si dhe fjalimet e Prefektit Beso Gega dhe Hasan Xhiku para popullit të qytetit të Gjirokastrës, të cilët e konsideruan Ali Këlcyrën si “lulja e nacionalizmit shqiptar”, dhe bënë thirrje që të shkulej nga rrënjët ideollogjia komuniste, që ishte një teori e turpëshme,  e importuar nga jashtë.

Nga Dashnor Kaloçi

Pas viteve ’90-të një nga polemikat e debatet e hapura në shtypin e shkruar dhe mediat vizive apo libra të ndryshëm nga gazetarët, publicistët, studiuesit, historianët, veteranët e Luftës, etj.  është edhe ai që ka të bëjë me konfliktin e armatosur (apo luftën civile) që nisi në periudhën e pushtimit të vëndit në mes forcave komuniste partizane të udhëhequra prej Enver Hoxhës dhe atyre  nacionaliste të Ballit Kombëtar e Legalitetit të kryesuara prej Mit’hat Frashërit dhe Abaz Kupit.

Përveç debatit se kush e nisi fillimisht luftën civile apo konfliktin e armatosur, pra kush sulmoi dhe goditi i pari duke kryer: vrasje, tortura, rrëmbime, atentate, plaçkitje, djegie shtëpish e pronash, etj., ka ekzistuar dhe vazhdon të jetë i hapur ende edhe debati se: në ç’periudhë kohore nisi konflikti i armatosur ndërmjet tyre, ku herë pas here nga të “dy krahët”, merret si “kufi” i ndarjes ndërmjet komunistëve dhe nacionalistëve, Konferenca e Mukjes me prishjen e njëanëshme të marrëveshjes së famshme (nga ana e Enver Hoxhës) që ishte arritur të nënshkruhej në mes dy palëve.

Por mjaft dokumente arkivore të botuara pas viteve ’90-të, e në vijim këto tre dekada, të cilat historiografia zyrtare dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk i bëri kurrë publike, hedhin dritë mbi të vërtetën e madhe, pra: lidhur me atë që komunistët e nisën të parët luftën e armatosur, duke goditur forcat e Ballit e Legalitetit.

Veç të tjerash, këtë gjë e konfirmojnë dhe e paraqesin shumë qartë edhe këto dokumenta arkivore që Memorie.al po publikon në këtë shkrim, të cilat bëjnë fjalë mbi rrëmbimin e Ali Këlcyrës, nga një çetë partizane e armatosur e qarkorit komunist të Gjirokastrës, (që kryesohej nga Bedri Spahiu), e cila më datën 11 qershor të vitit 1943, e rrëmbeu atë nga autobuzi i linjës Tiranë – Vlorë – Gjirokastër, duke i prerë rrugën në fshatin Picar (15 km. larg Tepelenës), dhe u larguan duke kaluar lumin e Kardhiqit me Ali Këlcyrën që e mbanin në krah, për t’u fshehur fshatrave të asaj zone ku strehoeshin formacionet partizane.

Dhe u desh ndërhyrja e autoriteteve shtetërore nga Tirana, drejtuar Prefekturës së Gjirokastrës, e cila u dha ultimatum forcave partizane, që të friksuara nga një operacion ndaj tyre, u detyruan dhe e lanë të lirë Ali bej Këlcyrën, i cili po shkone me mision në Gjirokastër për të organizuar forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar.

Për më shumë, rreth kësaj ngjarje, na njohin dokumentet në fjalë që Memorie.al i bën publike për herë të parë.

Njoftimi i Prefektit të Gjiroksatrës drejtuar Ministrisë së Brendëshme mbi rrëmbimin e mbajtjen peng të Ali Këlcyrës nga çetat komuniste

Prefektura e Gjinokastrës

Nr. 174/8 RES.                                                                           Gjinokastër më 12./6/1943

Ora 7 e 50

Tepër Urgjent, vonesa shkakton

përgjegjësi të randë.

Ministrisë së P. të Brendëshme

Zyrës Politike

Tiranë

Kryeministris

Për njoftim                                           Tiranë

Vijon teli Nr.174/7 Res datë e djeshme.

Komisioni u kthye në orën 5.30 nga kufiri grek mbas Libohovës dhe mbasi kishte ardh në kontakt me kryetarët e çetave komuniste të cilët e informuen se z. Ali Këlcyra asht gjall.

Këtë lajm Prefektura e ka marrë dhe nga fuqitë civile që erdhën në kontakt zjarri me çetën që grabiti dhe në kohën kur kalonin lumin e Kardhiqit ish parë së largu se Këlcyrën e kalonin duke e marrë në krahë (.)

Çeta grabitëse ndodhet e rrethuar nga të gjitha anët (.)

Komisioni u dërgua rrishtas në Cepo, ku ndodhet Aliu (.)

Sado që luftimi u pushua, rrethimi nga larg vazhdon (.)

Lutemi urdhënoni Komandën Ushtarake që të kemi kontakte lirisht e me telefon në çdo kohë. Tash marr letrën e Ali Këlcyrës nga Plesati dhe ndodhet gjallë në shtëpinë e Iljaz Mehmetit, i njohun personalisht nga unë (.)

Kaligrafija dhe firma është autentike dhe kërkon pushimin e luftës (.)

Rrethimi ngushtohet (.)

Katundarët të tmerruar nga rrethimi dhe nga zjarri i luftës do të provokojnë patjetër lirimin e Aliut gjallë (.)

Tash nisem për në vëndin e ngjarjes personalisht, përfundimi do t’u njoftohet.

Prefekti

Rasim Babameto

Urdhëri i Ministrisë së Brendëshme drejtuar Prefekturës së Gjirokastrës, që të ndërhyjë për lirimin me çdo kusht të Ali Këlcyrës

MBRETNIJA SHQIPTARE

MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME

Z Y R A   P O L I T I K E                                                 Tiranë më 12.VI.1943

Tepër Urgjent

Vonesa shkakton përgjegjësi

shumë të randë

Telegram

Prefekturës Gjinokastër

Përgjegje telegramit  Nr.174/11      Res datë 11 të k.m.

Titullari i asaj Prefekture të interesohet personalisht që Ali Këlcyra të dorzohet patjetër i gjallë, përndryshe qarku i asaj Prefekture do të ketë konsekuenca shumë të këqija (.)

Përgjegjësinë e presim ngutësisht (.)

M I N I S T R I

(firma)

P.T.

KRYESISË SË KËSHILKLIT TË MINISTRAVE

T I R A N Ë

Për dijeni

M I N I S T R I

(firma)

Njoftimi i Ministrisë së Brendëshme për Këshillin e Ministrave mbi fjalimet e Prefektit të Gjirokastrës për rrëmbimin e Ali Këlcyrës

MBRETNIJA SHQIPTARE

MINISTRIJA E P. TË M BRENDËSHME

Z Y R A   P O L I T I K E                                                          Tiranë, më 12.VI.1943

U R GJ E N T   P.T  KRYESISË SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

KOMANDËS SË IX. ARMATE

T I R A N Ë

SHKURTIMI:

ZZ. Beso Gega e Hasan Xhiku që kanë mbajt një fjalim në Gjinokastër.

Për dijeni, këtu poshtë kam nderin me:

Ju përshkue telegramin qi ka arrijtë nga Prefektura e Gjinokastrës, me datë 12 të k. m., në lidhje sa ban fjalë lajmërimi i kësja Ministrije me Nr… Res datë 12 të vazhduesit:

“Sot u zhvillue një deklaratë e furishme në këtë qytyet. Fjalët që u mbajtën nga ZZ. Beso Gega e Hasan Xhiku, janë këto (.)

Populli i Gjinoklastrës, popull patriot, dje u grabit Ali Këlcyra, lule e nacionalzimit shqiptar nga një çetë komuniste.

Pra duhet të çkulet rrënja e kësaj organizate që me sistemet e saj teoristike e të turpëshme të importuar nga jashtë, tronditin gjëndjen e kombit. Kjo asht vdëshirë e jona dhe kjo asht shprehja e gjithë Kombit Shqiptar”.

M I N I S T R I

(firma)

Ankesa e Shoqërisë S.A.T.A drejtuar autoriteteve të larta shtetërore për çetën komuniste që i rrëmbeu nga autobuzi i saj, Ali Këlcyrën

SOCIETA  ALBANESE  TRANSPORTI  AUTOMOBILICISTICI

Tiranë, 15 qershor 1943

P.T.

MËKËMBËSISË SË PËRGJITHËSHME

KRYESISË SË KËSHILLIT MINISTRUER

KOMANDËS EPRORE F.F. A.A. TË SHQYPNIS

MINISTRISË SË INDUSTRISË & TREGTISË

MINISTRISË SË P. TË MBRENDËSHME

MINISTRISË SË KULTURËS POPULLORE

DREJTORISË SË PËRGJITHËSHMNE TË POSTAVE

T I R A N Ë

AGREDIMI I AUTOKORRJERËS TIRANË – VLONË – GJINOKASTËR

Kemi nderin t’u parashtrojmë Auktoriteteve në drejtim sa vijon:

Më datën 11 të k. m. autobuzi jon FIAT 626/RNL tabella 1253 Tiranë, n’ 81 i matrikullës, i dirizhuem nga shoferi CANTALUPO Arturo e nga fatorino MURAT Musta, ndërsa po kalonte mbi rrugën Gjinokastër – Vlonë – Tiranë, në shërbim të rregullt mbi linjën publike për bartje udhëtarësh e postet, i nisun nga Gjinokastra rregullisht në orën 7, me 27 udhëtarë ngarkuet, si mbërriti afër katundit Fusha e Pizharit 15 km. larg Tepelenës, njaty kah ora 7 e 30 u ndalonte nga dy veta të armatosun. Shoferi jonë u detyrua me ju bind dhe ndalonte makinën: atëhere shef nga të dy anët e rrugës shumë veta të tjera, gjithsej nja 50 vetë të gjithë me një hyllë të kuq në berret dhe me një shqyponjë të zezë mbi një softë të kuqe mbi gjoks, t’ë armatosun me pushkë, me bomba dhe mitroloza. Banditët detyruen të gjithë udhëtarët me zbritë nga autobuzi dhe banë kontrollin e të gjithë dokumentave dhe muerrën me vedi një udhëtarë, një farë ALI KËLCYRA. Mbasandej njeni që dukej i pari i tyre, mbajti një fjalim në gjuhën shqype dhe urdhënoj një djal me i këndue boletinin komunist dhe u ndau disa kopje udhëtarëvet. Mbas një ndalimi prej gadi 30 minutave, autobuzi u la i lirë me vijue udhëtimin e vet për Vlonë: Ngjarja u denoncue në Komandën e Gjindarmërisë të Tepelenës.

I lutemi edhe njëherë nzetësisht Autoriteteve në drejtim qi të kenë mirësinë me marrë masat e nevojshëme për me mujt kështu me evitue përsëritjen e vijueshme dhe të mërzitëshme të këtyne incidenteve që turbullojnë së tepërmit sigurinë e ushtrimit të rregullit të shërbimit të komunikacionit që janë besue Shoqnis t’ona S.A.T.A

Me nderime

Njoftimi i Ministrisë së Brendëshme në vitin 1942 drejtuar disa Prefekturave, mbi lirimin nga internimi në Itali dhe kthimin në Tiranë të Ali Këlcyrës

Mbretnija Shqiptare                                      Tiranë, më 1942

Ministrija e P. të Mbrendëshme

Zyra Politike dhe e Personelit

Nr. 44/220. RESERVAT

SHKURTIMI: Persona të liruar

nga internimi.

PREFEKTURAVET: TIRANE, SHKODER, KORÇE, BERAT, GJIROKASTER

Zyra e punëve Speciale, Reservate pranë Komandës Eprore K…të Shqipërisë, në bazë të dispozitave të Mëkëmbësisë së Mbretërore të Përgjithëshme, i ka shkruar Ministrisë së P. të Brendëshme, (Sigurimi), Romë, për të lënë të lirë të kthehen në Tiranë, Mahmut Golemi, e Beqir Zagoriçani, t’ë internuar në Viçense, Faik Quku i internuar në Pistoia, dhe Ali Këlcyra, i internuar në Çortona.

Kaq për dijeni.

M I N I S T R I

(firma)

Memorie.al