Zbulohet në Pompei një “fast-food” antik!

Si një nga pasuritë më të jashtëzakonshme të trashëgimisë botërore UNESCO, Pompei vazhdon të surprizojë botën.

Së fundmi, kanë dalë në dritë pamjet e një dyqani ushqimor ambulant, që tregojnë dy rosa të varura, një gjel, një qen të lidhur dhe që duken sikur janë pikturuar në 3D. Ambienti pothuajse i paprekur i një Termopiumi, një dyqani ushqimesh në rrugë, me pjata të të gjitha llojeve, nga kërmijtë te një lloj “rizoto”, është zbuluar në Pompei.

Një zbulim që kthen një fotografi të pabesueshme të ditës së shpërthimit dhe hap studime të reja mbi jetën, përdorimet dhe ushqimin e pompeianëve.

Ajo që është për t’u habitur është zbulimi në enët e Termopoleve të gjurmëve të ushqimit që shiteshin në rrugë. Ishte zakon i romakëve që të konsumonin jashtë ushqim dhe pije të nxehta. Specialistët e Parkut Arkeologjik të Pompeit, po studiojnë materialin për të verikuar sesa mund të zgjerohen njohuritë mbi zakonet e të ushqyerit në epokën romake.

“Një fotografi e asaj dite katastrofike”, komenton drejtori i Parkut Arkeologjik Massimo Osanna, i cili njofton se: “Do të jetë dhurata e Pashkëve, për vizitorët”.

Ministri i Kulturës Franceschini, vlerësoi frytin e punës në ekip, në Pompei, vitet e fundit: “Një shembull i shkëlqyeshëm, për rimëkëmbjen e vendit”.

Punimet e javëve të fundit kanë nxjerrë në sipërfaqe të gjithë mjedisin e tavernës, me banakun e saj të zbukuruar në mënyrë të hollë dhe në formë L-je dhe vazot me mbetjet e ushqimit dhe pjatat e gatuara që romakët i konsumonin në rrugë.

Jo vetëm kaq, po aq i rëndësishëm është zbulimi i eshtrave të dy burrave dhe një skelet qeni. Një nga viktimat, një burrë rreth të 50-ve ishte shtrirë në një ahur në pjesën e pasme të dhomës dhe mund të kishte vdekur nga shembja e papanfigos. Mbetjet e tjetrit u gjetën në një vazo të madhe dheu, përveç njërës këmbë që ishte afër banakut.

Sipas arkeologëve, mbajtja e fshehtë e skeletit të dytë mund të jetë vepër e ekskavatorëve “ndoshta nga shekulli XVII”, të cilët, kishin gërmuar një tunel pikërisht pranë kësaj ndërtese.

Restaurimi është ende në proces dhe puna vazhdon edhe në laboratorë, ku analizat do të shoqërohen nga të tjera për të mësuar përmbajtjen e enëve të mëdha prej balte dhe për të pasur më shumë informacion mbi eshtrat e viktimave.

Së shpejti, kjo pjesë e gërmimeve të reja, do të jetë e hapur për vizitorët: Pompei është qyteti romak që u fundos nga shpërthimi i Vezuvit, 2000 vjet më parë (viti 79, pas Krishtit)./konica.al