Mësohet se aktori që e luajti rolin e James Bond, Sean Connery ndërroi jetë nga pneumonia, problemet me zemrën dhe mosha, sipas certifikatës së tij të vdekje, të siguruar nga TMZ.
Në certifikatë shkruhet se shkaqet e vdekjes qenë pneumonia, probleme me frymëmarrjen, mosha [dhe] fibrilacioni atrial, kjo e fundit një rrahje e parregullt e zemrës që mund të rrisë rrezikun e mpiksjes së gjakut, goditjeve në tru dhe ndalimit të zemrës.
Bashkëshortja e Connery prej 45 vjetësh, Micheline Roquebrune, tha më parë se ai kishte përjetuar një betejë të gjatë me demencën dhe “u nda nga jeta paqësisht”.
Legjenda e James Bond u nda nga jeta më 31 tetor, në moshën 90-vjeçare. Aktori skocez u admirua nga tifozët e filmit dhe është konsideruar gjerësisht si 007 origjinal dhe më i mirë.
Sean Connery e nisi karrierën në aktrim që në moshë të hershme, por në vitet ’50 pati më shumë sukses, shkruan anabel. Pavarësisht pjesëmarrjeve nëpër teatër dhe filma, ishte James Bond me “Dr.No” çfarë i dha një tjetër status në ekran, i cili vazhdoi më pas me “From Russia with Love”, “Goldfinger”, “Thunderball”, “You Only Live Twice” apo “Diamonds Are Forever”.
Fama e lejoi që të ishte pjesë e filmave jashtë James Bond, si “Marnie” me regji të Alfred Hitchcock apo “The Hill” e Sidney Lumet. Connery fitoi çmimin Oscar për “Aktorin më të mirë në rol joprotagonist” për “The Untouchables” (1988).
Connery u martua dy herë: së pari me aktoren Diane Cilento (1962-1973) me të cilën pati një djalë, Jason, dhe më pas me piktoren francezo-marokene Micheline Roquebrune në 1975.