Zbulohet vepra e fundit e piktorit Van Gogh para se të bënte vetëvrasje

Përmes pamjes së një kartoline u arrit të zbulohej me gjasë, zona e mundshme, ku Vincent van Gogh pikturoi kryeveprën e fundit të tij. Këtë detaj e kanë dëshmuar së fundmi, specialistët e artit. Zbulimi është bërë nga Wouter van der Veen, drejtor shkencor pranë Institutit Van Gogh, sipas BBC.

Sipas tij, kartolina që i përket periudhës 1900-1910, ka shumë ngjashmëri me “Rrënjët e pemëve”, piktura e famshme e Van Gogh-ut.

Kartolina tregon peizazhin e pemëve mbi një kodrinë në Auvers-sur-Oise, në Francë. Pikërisht kjo zonë është vetëm 150 metra larg prej Auberge Ravoux, bujtina ku Van Gogh qëndroi për gati 70 ditë, para se të kryente vetëvrasje, më 1890.

Ka pasur shumë debate, se cila ka qenë vepra e fundit, realizuar nga gjeniu. Në një letër, Andries Bonger, kunati i Theo van Gogh, përshkruan sesi artisti pikturoi pamjet e një pylli plot diell dhe jetë, mëngjesin para se të vdiste.

Këto të dhëna, janë përdorur për të mbështetur pretendimet se “Rrënjët e pemëve”, mbetet edhe vepra e fundit me firmën: Van Gogh. Mbi këto baza,  Van der Veen mendon se, Van Gogh po punonte me këtë pikturë, deri në orët e fundit të jetës./Konica.al