Nga Ballsor Hoxha
I. Mbi poezinë
Nâna, ajo na shfaqet n’andërr
përherë me t’bardha veshun.
dëfton zi!?
(Poezia Çka ban nji nanë?)
Bukuria e kësaj poezie, është pikërisht – hapja – (Heideggeriane) e të vërtetës. Të vërtetës në të përhershmen e saj. Jo vetëm në guximin e shënjimit të vdekjes, direkt përmes të të ‘bardhës’ dhe të të ‘zezës’ në figurën e nënës, aq thellë të ngulitur në psikën tonë. Që është hapja dhe zbulesa e origjinares së të përhershmes së vdekjes përmbajtur (edhe) përbrenda nënës, Temporales së njeriut. Në të vërtetë kjo është primordiale e asaj që Freud e quajti gjuhë e ëndrrës, e që është zhvendosja e fjalëve të gjuhës, me gjuhën e gjërave/sendeve, ku gjërat shfaqen si fjalë. E kjo duke krijuar shënjimin ndërmjet qeniesimit dhe “dëftimit” (apperance, shih Derrida) të vdekjes.
‘Dëftimi’ është ambiguiteti, i kësaj të vërtete, kësaj – hapjeje –, kësaj zbulese të qeniesimit. Njeriu përballë fizikes (gjësë) Nanës, së mbetur prapa ëndrrës, prapa qeniesimit fizik, primordial, në kujtesë, në kompleksin e ringjalljes, rikthimit, dhe të pamundësisë së qeniesimit. Gjë që shpërfaq temporalen dhe ankthin primordial të vdekjes së njeriut, përfundimit të qeniesimit, dhe të paqëllimësisë së njeriut. Njeriu në këtë duke pasur vetëm dy mundësi: të pranojë apo të harrojë.
“veshun në të bardha, dëfton zi”, është pikërisht – çarja – që shkakton e vërteta e bukurisë së artit/ poezisë, ndërmjet bashkë-qeniesimit dhe primodriales. Është – differance- ndërmjet aporisë ku Nana si pafundësi e jetës, dëfton fundin e saj, të vetin dhe të jetës. Gjë që kalon në shtresë të radhës të – differance – ndërmjet jetës që “dëfton vdekje”, apori e figurës së nënës e cila ndrynë në vete dhe dëfton vdekjen në të bardhën e saj. Kjo është vetë – differance – e gabimit të hierarkizimit të gjërave, qoftë edhe të Nanës së poetit Matoshi, është dekonstruktimi i jetës si Pavërjetshmëri e vdekjes (inconspicuousness së vdekjes), në pranim të vdekjes. Ky dekonstrukstion në të vërtetë është pikërisht shpallja e vdekjes (edhe) në Nanën, dhe pranimi i saj. Pikërisht pranimi duke krijuar bashkëqeniesimin e të dyjave, ankthit për vdekjen e njeriut, dhe qeniesimin, si të qenë të – hedhur – në këtë jetë (në apori me Nënën si burim i jetës sonë). Ky është dekonstruksioni i pranimit, i cili asnjëherë nuk është imazh/ imagjinare e vetme, dhe e prerë, por i cili vazhdon deri në përjetësi, si ndjekje, si ankth, si përpjekje dhe luftë, me atë që ishim, në atë që “kam mbetur”, pa Nanën.
Martin Heidegger është i pari që hetoi – çarjen – (- The rift – sipas përkthimit në anglisht të Heidegger). Çarjen e asaj që arti, poezia krijon, apo në terme të Heidegger njihet si – hapje – për njeriun e vetë të vërtetës. Kjo është – çarja – ndërmjet primordiales/ Tokës dhe Botës/Publikes si qeniesim-i-përbashkët-në botë. Dhe këto të dyja kurrë nuk janë në përputhje me njëra tjetrën, por, paradoksalisht, gjithnjë e mbështesin njëra tjetrën (The Origin of Work of Art) – “veshun bardh, që diftonë zi”.
Po kjo vazhdon tutje në filozofinë e Maurice Blanchot dhe Jacques Derrida në trajtim të mëtutjeshëm. Blachot arriti në përfundimin se gjuha është – mungesë në prezencë –. Dhe Derrida prej saj farkëtoi kompozicionin – differance – (e që është kompozicion i fjalës ‘dallimi’ dhe ‘shtyerja’ e përhershme).
Sipas Blachot gjuha si – mungesa në prezencë – është negacioni që ia bëjmë botës fizike, primordiale, duke ia marrë fiziken dhe duke e konceptualizuar atë në një shenjë gjuhësore, ku fizikja, për shembull Nana në poezinë e Halil Matoshit, nga fizikja e saj kalon në shënjim i cili përhapet tutje në konceptet dhe përvojat e lexuesit. Por aq më shumë, po i njëjti shënjim i fizikes në gjuhë, më tutje kalon në negacionin e dytë tanimë të shënjimit të parë, duke qenë se letërsia bën vdekjen e dyfishtë të fizikes së emërtimit, duke e pafundësuar – shënjën – e emëruar, në shenji =m të përhershëm zinxhiror që ikë përgjithmonë nga kuptimi i prerë.
Nâna, ajo na shfaqet n’andërr
përherë me t’bardha veshun.
dëfton zi!?
Në gjuhën si – mungesë në prezencë – Nana e Matoshit, e prehur në qetësinë e vdekjes, rikthehet në – negacionin – e saj, në ëndërr. Është matanë, dhe përtej fizikes, gjë që simbolika e saj “me t’bardha e veshun”, është – hapje – e psikës së poetit, apo në të vërtetë gjakim i poetit për ta mbajtur nënën, për ta mbajtur në këtë botë, për ta kujtuar, dhe kujtimi, si shënjim në vete, vazhdim, paradoksalisht, i negacionit të fizikes së saj.
Në të vërtetë duke iu kthyer Heidegger, kjo është ekzakt – the rift – i – hapjes – së të vërtetës, prej të bardhës së nënës në ëndërr, si shënjim i Botës/bashkëqeniesimit në këtë botë, në primordialen e shënjimit të Vdekjes, temporales, dhe vetë kthimit të qeniesimit në primodrialen e tyre. Në të vërtetë kjo është ai – refuzimi – ndërmjet primodriales/Tokës dhe Botës/bashkëqenesimit (Te The Origine of the Work of Art – Martin Heidegger).
Derisa është hapur e vërteta, e Nanës së poetit, ajo krijon – çarjen – mospajtimin, jo vetëm atë psikanalitik të poetit me vdekjen e nënës së tij, por edhe shpërfaqjen e Nanës, së humbur para temporales. E këtu kjo gjuhë si – mungesë në prezencë – është dorëzimi dhe vetë mekanizmi mbrojtës i njeriut ndaj temporales, duke e shënjuar në pafundësi me lojën e imagjinares figurën e Nanës së poetit.
Duke vazhduar më tutje, në të vërtetë në esenë e tij Dy versionet e Imagjinares Maurice Blanchot, flet për atë se në imagjinaren/ imazhin tonë ne shohim – dëshirën tonë më të përflakur – dhe kjo dëshirë në këtë imazh/imagjinare të krijuar nga poeti është ekzakt – the rift -, dhe po ashtu – differance e Jacques Derrida, është projektimi dhe interpretimi (si derivim i projektimit) i vdekjes që në burmin e jetës, sipas Matoshit, në vetë Nanën. Duke vazhduar nga po e njëjta ese e Maurice Blachot, sipas tij imagjinarja gjithmonë përmban në vete ambiguitetin tonë me vdekjen, apo marrëdhënien e ambiguitetit të njeriut me vdekjen: si muri përballë të cilit arrihet potenciali njerëzor; apo si paqëllimësi (nihilizëm) në të cilin ne kurrë nuk e arrijmë ‘pronësimin’ e vdekjes, e vdesim vdekjen, dhe jetën, dhe qeniesimin. Që do të thotë se imagjinarja e Nanës si shenjë në poezinë e Matoshit, përmban edhe vdekjen si pranim, si potencial i njeriut përballë Temporales së tij, por edhe dëshpërimin dhe vdekjen/dorëzimin e tij ndaj kësaj pa-qëllimësie.
Në – Differance – të Derrida, ajo që më herët e quajtëm – çarja – Heideggeriane, ndodh edhe shkëputja edhe komplementimi i dy botëve, por tanimë jo i primordiales dhe i bashkëqeniesimit, por i origjinares/paraprakes dhe prezentes. Në këtë – differance- që shpërfaqet në këtë shembull përmes kësaj poezie, është e ‘bardha’ e nënës si origjinare, dhe prezentja me ‘dëftimin e të zezës’ së nënës. Me këtë, duke përfunduar, në të tre këta filozofë, Nana, në të bardhën e saj, dhe nana që difton zi, është vetë – çarja – ndërmjet primordiales dhe bashkëqeniesimit; – mungesa në prezencë – e saj, tanimë jo si fizike, dhe as si kujtim, por si ikje e përhershme në shënjimin e radhës me gjakimin për ta mbajtur atë “në kalimin e epokave”, “në kalimin prej fëmijës në zotëri të thinjur” siç thotë poeti. Është (sipas Blanchot) imagjinarja e cila përmbanë gjurmën e marrëdhënies së njeriut me vdekjen, vdekja si aporia e një jete që kemi dhe një fundi që nuk e arrijmë kurrë; dhe aq më shumë, sipas Derrida, vetë – differance – ndërmjet orirgjinares së botës me Nanën, dhe botës së prezentes së poetit.
E tërë kjo duke thënë një dhe të vetmen gjë: se nuk ka një hierarki ndërmjet primdoriales dhe bashkënqenisimit Hedegerian, ai është një – differance – e kalimit të njerëzores përballë Temporales, gjithnjë duke mbajtur shënjimin e qeniesimit në pafundësi të po të njëjtës. Por gjuha, poezia, është projektim tej ‘pamundësisë’ së qeniesimit, ai më tutje kalon në – interpretim – të këtij qeniesimi. Dhe kjo poezi është pikërisht proejktimi tej në Nanën, apo më tutje, në interpretimin e këtij projektimi në Nanën e cila “dëfton zi”, si ballafaqim me vdekjen, si Resoluteness e njeriut përballë vdekjes.
Në këtë interpretim – zbulesa – e vdekjes, ankthit ndaj saj, – çarjes – ndërmjet primordiales dhe – Parvërejtshmërisë – së vdekjes është në disa shkallë:
a. rikthimi i Nanës, si gjakim i njerëzores përballë panjdeshmërisë së qeniesimit/vdekjes
b. të kuptuarit të të qenit i – hedhur – në këtë botë, si Reosoluteness ndaj vdekjes, murit të saj
c. “dëftimi të zezës” si bashkë-qeniesim me nënën, si pranim i vdekjes dhe si qetësi ndaj vdekjes.
Poezia pra, arti, në këtë rrjedhë të mendimit, sipas filozofëve në fjalë, është në sinonim me – andrrën – Matoshiane, si projektim, si interpretim, tej, dhe Të Kuptuar primordial i cili është një Udhëtim përbrenda, kërkim përbrenda dhe kujtesë, kompleksi i kujtesës, e cila ringjallë, rikrijion dhe rikthen njeriun në të vërtetën e qeniesimti të tij. Në të qenit të – hedhur – në botë, në të përhershmen e saj, pa një fillim dhe pa një fund, vetanak, ne rikrijojmë lidhjen dhe ndërlidhjen e qeniesimit tonë, duke interpretuar Nanën dhe dritën, e gdhendim në interpretim Nanën dhe dritën, gjithherë duke iu kthyer vetes, përballë ankthit të të jetuarit, në të vërtetë ankthit të të vdekurit.
II Mbi përmbledhjen “Gdhendja e dritës”
Përmbledhja e Halil Matoshit – Gdhendje drite, është poezi e rikthimit, rivizitimit të veprës personale të tij. Por, rivizitim si kthim në, dhe ringjallje, e kujtesës së njeriut. Udhëtim i pandalshëm përbrenda. Udhëtim për së brendshmi në të vërtetë. Mirëpo ajo doemos, nisë, me aktualen e murtajës nën të cilën jemi të nënshtruar një njerëzim, dhe frymon nën“frymën e eshtrave” të zhveshura nga murtaja aktuale. Si udhëtim për së brendshmi, ajo e gjen njeriun të mbytur nën ankthin e murtajës dhe botës nën dezintegrim. Është njeriu para njeriut në rënie, para vdekjes, dhe i jep frymë gojë më gojë, poezia poezisë, i bën masazhin e zemrës për t’ia rikthyer ritmimin e saj, për ta ringjallë, në të vërtetë për t’ia rikujtuar ku ka qenë e si ka qenë.
Udhëtimi për së brendshmi është çarje e vetes, kalim përtej dhe përbrenda maskës që e mbajmë në vetëmbrojtje nga njeriu e nga vetja; është kalim përtej mekanizmave mbrojtës; e deri tek oqeani i psikes sonë. Dhe është pikërisht kjo pamatësi e oqeanit të psikes sonë që e bën udhëtimin e brendshëm gjënë më të rrezikshme në njeriun. Por Halil Matoshi e ka krijuar kozmogoninë e psikes së tij, përvojën e tij, e ka skalitur atë në poezitë të cilat i ka vizituar në këtë përmbledhje, dhe jo që ai gjendet lehtë në këtë oqean, por edhe merr prej tij për të na dhënë, për të na kthyer në jetë.
Kjo kozmogoni e psikës poetike të Halil Matoshit është në radhë të parë logjike, dhe me këtë sipërfaqësisht rrjedhë logjike poetike.
NË radhë të parë nisë nga përvoja aktuale e që është të “qëndruarit në dallgore nën frymën e varreve”, me vargje si
“Në Perandorinë e saj mreti e skamnori/ shtrihen njësoj në sarkofagë të lirë/ të shërbimeve komunale/ saldue nga kovaçë me detyrë zyrtare/ simas urdhnesës në orë policore” (poezia Virus me kunorë)
Andrrat mbajnë erë dezinfektuesish/ secila nga to derxhë difton (Poezia Ngujimi apo udhëtim nepër andërr të keqe)
Gjë që krijon poetikën matoshiane të kapjes së shndërrimit të fenomeneve në historinë e tyre, kalimit të historisë, dhe shndërrimit të padrejtësisë së “rendeve tiranike” në rende të zhveshura kulturoreje dhe Publikeje që e bëjnë të pavërejtshme vdekjen. Aq më shumë që vdekja këtu del si një fenomen krejtësisht i pandjeshëm ndaj njeriut, ndaj tërë qeniesimit, si një shuarje e pa qëllim.
Pastaj, në këtë rrjedhë logjike Matoshi i kthehet humanizmit të mirënjohur të tij dhe konstelacioneve politike, ku njeriu dhe me këtë shqiptari, është kurbani i ngritjes së tyre. Në të vërtetë kjo është një vzllgare, e kaluar në ullgare, e cila shpërfaq aromën e mutit në çdo përqafim ndërmjet nesh. Në aromën e mutit që ndjehet në përqafimin tonë me ta, në aromën e mutit që na ndanë ne të izoluarve nën dhembjen e luftës me politikat ndërkombëtare si
Kombet moderne flasin mirë për ne/ …/ Po askush nuk na përqafe (Poezia Pa titull)…/ Erë vjen historia e turpit/ Të kombeve modern/ Sa herë na takojnë ne…/ Siç u vje erë muti/ Oficerëve holandez me bereta blu lidhun nga serbët për huni… (Poezia Pa titull)
Pastaj, duke ndjekur këtë rrjedhë logjike, të udhëtimit të brendshëm, për të kaluar në shpirtëroren aktuale, në dhembjen njerëzore në kalimin e gjeneratave, e me këtë në vdekjen e nënës dhe të babait si kalim i epokave:
frika se vdes nâna asht mizore për çdo fëmijë dhe burra t’dheut/ Të tanë rënkojnë Oh nânë…/ Nâna, ajo na shfaqet n’andërr/ përherë me t’bardha veshun./ dëfton zi!? (Poezia Çka ban ni nanë?)
Kështu nana, dhe babai, duke kaluar në vetë të ashtuquajturin Dasein të Martin Heidegger, si kthim në burimin e bashkë- qeniesimit. Për Halil Matoshin Resoluteness e heidegger është e përhershmja e qeniesimit është në këto shenja, në vazhdimësinë e llojit dhe në të fundmen e jetës, që rikthehet. Në të vërtetë kjo është shpërfaqja e temporales njerëzore, vdekjes, dhe me këtë arritjes së potencialit njerëzor me pranimin e vdekjes, Në fund kjo është vetë – pranimi i vdekjes – si ballafaqimi më i lartë njerëzor, në njeriun, në qeniesimin e tij.
Pastaj tutje në verbërimin prej “ndriçimit”, ndripim që di të jetë vdekjeprurës, dhe ndriçim që di të jetë edhe festë pavarësi e lirie. Në të vërtetë kjo është ekzakt kthimi i njeriut, rivizitimi i luftës dhe lirisë së “krijuar”, hapjes së kompleksit të kujtesës si nevojë esenciale për të vazhduar qeniesimin në këtë dezintegrim, siç është në “estetikën e vdekjes së Jasharajve”.
Nëse liria e ka dimensionin e vet etik. Duhet me e mbrojtë me jetë/ Dhe nëse liria e ka edhe dimensionin e vet estetik/ Duhet me e mbrojtë me vdekje! (poezia Shpallja. Pesë Marsi. Ata ishin ngjarje)
Pastaj poezia
Masanej gjithçka pushoi…/ Veç mue s’më zuni gjumi/ Se binte hi si shi!…/ i thirrsha me emën/ ni nga ni…/ Askush nuk u përgjegj. (poezia Shtatë marsi. Andrra. Qetësi absolute)
Ky rivizitim është kthimi për t’i dhënë frymën, për t’ia kthyer shpirtin njeriut të humbur në dezintegrimin e të sotshmes, e cila ka kaluar në Publike të vetmëvetshme, e cila jeton për veten e saj, e që është vetë Harrimi. Harrimi i lirisë dhe vdekjes së njeriut.
Pastaj kalimi “Katedralja prej letre”, në shkëmbim të vargut për puthje dhe dashurisë për varg, duke marrë me vete pranimin e temporales dhe me këtë kalimit në autenticitetin e qeniesimit, poeti sikur i mbyllur në punëtorinë e tij me zdrukth duke nxjerrë “stërkala drite” e duke “gdhendur dritën”.
Në të vërtetë “Katedrale drite” ka dy lloje të poezisë, atë të vargut për dashuri dhe dashurinë për varg, si:
Po vjen ni valë jelëbardhë/ Pegasi im të jetë vallë/ E ndjej frymën e saj. Aromën./ Det dhe vashë/ E shihni këtë Perëndim dielli?/…/ Është e arta e flokëve të saj në kujtesë (poezia Poezia puthje kozmike)
Dhe deri tek çarja e kësaj katedraleje e që është dhe nuk thuhet më mirë se në poezinë e tij: gdhendje e dritës.
Me gishtat e mi me stërpikë dritë/ Aq sa t’sheh syni/ Pastaj me zdrukth me lmue njat Mbretni flokësh e metaforash marue/ si në ni treg magjik/ më nep dashtuni për poezi/ Ose ni varg për ni puthje (Poezia Stërkala drite)
Dhe poezia:
Duhet me u munue ni jetë/ Me e hapë qjellen e me pa/ çfarë terri pshtjell qenien/ manej perdeve p’ej réve (Poezia Gdhendja e dritës)
II
Por derisa në këtë rrjedhë logjike dhe të sipërfaqshme të poezisë së Halil Matoshit jemi në sistemin e mësuar tonë në poezinë e mirënjohur të Halil Matoshit, më tutje, në udhëtimin e brendshëm të tij, ai thellohet në kompleksin e kujtesës. Kujtesa si kompleks i kthimit, ringjalljes, rikrijimit dhe vetëdijesimit të njeriut për dhembjen dhe dritën, në fund të fundit. Në këtë, ciklet që në të vërtetë janë shkallë përposhtë, të njeriut sikur të Orpheut, gjithnjë janë nën humanizmin bërthamë të qeniesimit të Matoshit. Sidoqoftë, ky udhëtim përposhtë në udhëtimin e brendshëm të të poetit, nëpër çarjet e masave të të brendshmes/ të kujtesësë, pra këto cikle që u cekën në paragrafin e lartëshënuar, zhbëjnë largësinë e kalimit të kohës, zhbëjnë fiziken e kësaj largësie.
Sikur që thotë Heidegger derisa trajton atë që njihet si Hapësirorja (Spatiality), ne megjithëse jemi më afër tokës të cilën e prekim derisa shkelim mbi të, ne qeniesojmë më afër me atë që kemi për shoqëri tonën, apo poezinë tonë, apo kujtesën tonë. Gjë që do të thotë se Hapësirorja është jo statike, por e varur nga psika jonë, nuk është e varur nga kufijtë dhe fizikja por nga vetë qeniesimi jonë. Në këtë kjo shtresë në përmbledhjen me poezi Gdhendje drite, zhbën përmes kujtesës kufirin e kohës, dhe të kaluarës në të tashme të ndier dhe të përjetuar edhe një herë. Për të kthyer, për të rikrijuar dhe vetëdijesuar njeriun për qeniesimin e tij.
Në shtresën e radhës së udhëtimit të brendshëm të Halil Matoshit përmes kësaj përmbledhjeje tanimë shenjat e zgjedhura nga Halili si Nana, Babai, shpata e Skënderbeut, apo edhe liria, etj, – çahen – dhe kalojnë në shënjime të cilat krijojnë territore krejtësisht të pavarura nga zanafilla e sipërfaqësores së tyre.
Shembulli më ekzakt këtu është shenja e Nanës në poezinë e Matoshit:
“me vdekjen e nanës vdes fëmijëria” (Poezia Qafëm nanë)
Shenja Nanë tanimë është – çarë – në dy botë. Derisa në tërë shimbolikën e Nanës ajo është e përhershme e cila “vjen në andërr”, në të vërtetë shkuarja e saj pritet në vetë të shënjuarin e kësaj shenje që është vetë poeti, në vdekjen e fëmijërisë së tij me vdekjen e Nanës e që është – çarja – në dy botë. Ky shënjim, i cili tanimë ka marrë udhën e tij nga shenjat e Matoshit, lind primordialen e temporales së njeriut në poetin. Në të vërtetë poeti tanimë është në moshën e “zotërisë së thinjur” dhe ka mbyllur veten në punëtorinë e tij të zdrukthit të dritës. Ai ka nevojë për dritë tanimë, ai ka nevojë për dritën siç është primordialen dhe të patjetërsueshmen, ai tanimë është vetë shënjimi, i marrë si valë nga vetë poezia e tij, dhe i shtjelluar në poezinë e tij. Pra shënjimi është i pandalshëm, ai kthehet dhe e merr edhe poetin me vete.Por është shkalla e fundit e zbritjes përposhtë e poetit Halil Matoshi, cikli i “gdhendjes së dritës” e cila krijon tërë magjinë, apo siç e quan Heidegger në The origin of the Work of Art, hapja e Botës dhe Tokës, hapja e botës dhe primordiales, si dy masa të të vërtetës njerëzore gjithnjë në refuzim të njëra tjetrës gjithnjë në mbështetje të njëra tjetrës. Sipas Heidegger po në këtë ese të tij, tërë ajo që bën vepra e artit është se – hapë – të vërtetën të padukshme nga – inconspicuousness – Pavërejtshmëria e vdekjes. Dhe si në këtë që thotë kjo ese, po ashtu edhe në “zdrukthin e poetit Matoshi, poezitë e këtij cikli – hapin – dritën, të vërtetën, të pathënshmen.
Këto poezi janë pranimi, Resoluteness, dhe arritja e autenticitetit të qeniesimit. Kthimi, jo vetëm në udhëtimin e brendshëm, por edhe kthimi në primordialen e qeniesimit, deri në autenticitetin e njeriut mbi këtë tokë, në të cilën jemi të hedhur, dhe me këtë pa një fillim as fund (Blanchot) dhe tërë ajo që mbetet është të zbulojmë njëri tjetrin, në tërë humanizmin e Matoshit.
III Përmbyllje
Duhet me u munue ni jetë
Me e hapë qjellen e me pa
çfarë terri pshtjell qenien
manej perdeve p’ej réve
Ashklat janë gzhoja që pikin si lotë
Hylli asht thelbi që rri pezull
Si dritë syni
(Poezia Gdhendja e dritës)
Poeti Halil Matoshi në tërë krijimtarinë e tij ndërthurë qeniesimin, personal dhe të krijimtarisë së tij, sipas filozofisë së Heidegger dhe të Humanizmit. Dhe në këtë ai shpërfaqet si shenjë, që tanimë ka kaluar në shënjim të Kujdesit primdorial, Kujdesit të lindur dhe si e vetmja ontike e njeriut në të qenit – i hedhur – në këtë botë. Ai tanimë është shënjim i shtjelluar si në poezinë e tij po ashtu edhe në sprovën e tij jetësore, si eseist, njeri i rrahur rrymash zhvillimesh politike e përvoje politike, dhe aq më shumë i burgosur e peng lufte në Luftë e Kosovës. Ky është procesi i udhëtimit të brendshëm, në të vërtetë , fundi i tij. Nga shpallja e interpretimit, projektimit tej të qenit “pshtjell nga terri”; në poet, në shenjë të shoqërisë si njeri i përfshirë në Resoluteness të shoqërisë sonë ndaj po të njëjtave valë të politikave globale; dhe në fund kalimi i tij në shënjim të një krijimtarie e vepre jetësore.
Poezia është shtjella e të vërtetës prej poetit dhe nëpër poetin, është kalimi nëpër Udhëtimin e brendshëm, për të gjetur njeriun matanë “Ashklat janë gzhoja që pikin si lotë/ Hylli asht thelbi që rri pezull/ Si dritë syni… ”. A është kjo psika e njeriut. Një membranë e përhershme dhe e tërësishme e njeriut/njerëzimit në këtë tokë, nga e cila lind interpretimi si përjetim dhe përvojë e qeniesimit? Por çka është interpretimi në të vërtetë?
Interpretimi është – -çarja – e hierarkisë së Publikes/ Pavërejtshmërisë së vdekjes, deri në ballafaqim me atë, deri në gdhendjen “manej perdeve p’ej reve”, për të arritur në njeriun, në tjetrin, në bashkëqeniesim. Interpretimi është – krisja – tutje përtej hierarkisë naive të njeriut për të mirën dhe të keqen, duke qenë se ato janë të pandashme dhe vetë – gjurma – e qeniesimit tonë, ardhja dhe – hedhja – jonë në këtë botë. Poezia e Matoshit, në këtë, – kris – tutje prej vërshimit të frymës së eshtrave në dallgore, në pamundësi kërkimi tutje në bashkëqeniesim në këtë murtajë, duke iu kthyer Udhëtimit të brendshëm, dhe duke gjetur projektimin tej.
Kjo pra është poezia, – krisje – shpirtërore nën ankthin e vdekjes, kalim/projektim, aq më shumë interpretim/gdhendje e dritës, kur drita ka mbetur “manej reve”. Kthimi në psiken e njerëzores, si membranë e cila mbanë mend, të gjitha, dhe në të njëjtën kohë projekton dhe interpreton, lind poezinë, si kozmogoni e shënjimeve të cilat janë harruar në ankthin e vdekjes.
Temporalja, e tmerrshmja e njeriut, është krisur tanimë, në – differance – të qeniesimit autentik Matoshian dhe prezentes murtajë e cila ka – fshirë – origjinaren e luftës për liri, Nanën, Babën, gruan dhe dashurinë. Ai në Udhëtimin e tij të brendshëm ka rivizituar gjithë kozmogoninë e tij, dhe ka rinisur shënjimin e tyre, duke u shënjuar dhe vetë, në imazhin i cili në të vërtetë, siç u cek në fillim të punimit, përmban vetë marrëdhënien tonë me vdekjen, si fenomen i cili na pret në çdo hap tonin dhe në çdo murtajë të njerëzimit. Dhe në këtë të qenë i shënjuar vetë me interpretimin/poezinë e tij, ai e nxjerr nga zvenitja njeriun.
ObserverKult