Zemra e nënë Mimikës nuk do të rreh më… Iku nënë Mimika Luca…

Nga Albert Vataj

Lamtumirë Mimika Luca, shprehje e përkorë e një shpirti të ndritur në mirësi!

Ajo, Mimika Luca, nuk është më mes nesh!

Ajo nuk do të vijë më, si herë të tjera të festojë ditëlindjet apo kremtet e zëshme të një zemre nëne, në Fish City.

Nuk do të zbresë shkallët e të falmeshëndetet me miqtë, kolegët dhe adhuruesit e shumtë, të cilët u bën pjesë e jetës së saj. Nuk do të mund të marrë më lule as përqafime nga Rozafa që fati e çoi përtej Atlantikut. Dhe as nga Gjergji që ishte zë e zemër në çdoditshmërinë e saj prej nëne.

Zemra e nënë Mimikës nuk do të trokasë më në kraharorin e dashurisë dhe mallit. Ajo i dorëzohet vdekjes ashtu e paqtë dhe e përkorë, si çdo nënë e shenjtëruar në aktin e madh të misonares.

Lëshohet ajo në këtë prehje të prehrit të përjetësisë, jo duke u dorëzuar, por duke lejuar që ikjet të na dhembin, zemrat të na gjëmojnë dhe jeta të vazhdojë.

Iku nënë Mimika, bashkë me nënat e tjera, ato të artit skenik e të sfidave të jetës!

Iku sepse nuk mund të qëndronte më, jo sepse nuk e deshëm, por sepse ajo na deshi më shumë se sa ne të mund ta ndalonim rrugëtimin e saj për në jetën e pasosur.

Asnjëherë nuk është e kohëshme ikja e nënave, por kur ato vendosin të ikin, diçka nga brenda nesh vendos të largohet së bashku me ta.

Ato zgjedhin të ikin duke lënë dhimbje dhe trishtim.

Me sytë e mbushur me qiell.

Ikin me zemrën ku harlisen lule të bardha e kundërmojnë aroma.

Për të mos u kthyer më!

Ikin për të na treguar se sa e dhimbshme është ndarja me nënat.

Ikin për të na lënë në shpirt një breng e në zemër një trokitje, si çdo ikje nëne.

Kështu iku edhe nëna Mimika!

Ajo nënë me zemër të bardhë, vendosi t’i dorëzohet një dimensioni tjetër. Pa marrë leje, pa pyetur për zemrat që çahen e shpirtrat që drithërojnë në vuajtje e mundim.

Bashkë me ikjen e nënë Mimikës është këputur edhe një yll prej qiellit të kinemasë shqiptare.

Ka ndaluar udhën e kësojetshme për të marrë atë të amshimit. Mimika Luca, ajo nëna e roleve të mëdha, ajo zemra e drithërimave të emocioneve skenike, ajo që duke ikur, nuk do të mund t’i marrë çfarë la në artin e madh të skenës dhe në zemrat tona.

Portreti i saj i përkorë prej shenjtoreje ka reshtur së shndrituri në suazën e jetshme të çdoditshmërisë, për t’u ngjitur në vezullimin e përjetësisë, për të hypur në ikonë, për të zënë vend në panteon, atje ku prehen jetët që dritën me diellin e shpirtit.

I lehtë të qoftë hapi në rrugëtimin tënd drejt amshimit, nënë Mimika!

U shpërblefsh me dritën e Parajsës, nëna e zemrës së bardhë e syve të përvuajtur!

Lamtumirë Mimika Luca!

ObserverKult


Lexo edhe:

KUSH ISHTE MIMIKA LUCA, HISTORIA E DASHURISË ME NDREKË LUCËN, PARAGJYKIMET PËR MOSHËN DHE ROLET NË SKENË

Aktorja e njohur shqiptare, Mimika Luca është ndarë nga jeta dje.

Për shkak të një ishemie, ajo ka ndërruar jetë paraditen e djeshme, por la pas një pasuri në botën e kinematografisë shqiptare por edhe në teatër.

Atje ku edhe luajti me aktorin dhe bashkëshortin e saj, artistin e shquar Ndrekë Luca.

Në një intervistë për Ani Jaupajn ka bërë me dije edhe detaje që nuk diheshin nga jeta e saj, përfshirë edhe njohjen me aktorin 10 vite më të madh.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult