Zemra ime po vuan… shpresoj se nuk do të harrojë…

adrian arial

Nga: Mustafa Greblleshi

3 Maj 193…

Pranvera e qeshun, u rikthye gjene. Ajo u shfaq sërisht me pamjen e saj gazmore. Natyra, tashmâ, asht mveshë, tanësisht me petkun e saj të gjelbërt.

Burimet e freskëta ia nisën rishtas gurgullimit të tyne dhe bilbili ziliqar nuk mungoi edhe këtë vjet me u ngjitë kryenalt n’Altarin e tij: ai ia filloi kangës mallëngjyese.
E bukur asht Natyra e vendit tonë, madhështorë janë malet kreshnikë të kësaj toke, sepse edhe vetë Shqipnija plakë ka qëndrue gjithmonë e papërkulun, Zonjë e randë…

Por…
Zemra ime s’e gëzon pranverën. S’mundem me i shijue këto bukuri të rralla që të përplasin nër rrymat e lumnìs, të paktën për disa çase të vetme. Natyrën, vërtetë e ka gllabrue hareja, por mue më duket sikur qan e rënkon dhe robja e saj e blerët, si petku i nusërisë, më del përpara syvet si napa e zizë.

Krojet e burimet, edhe ata gurgullojnë kandshëm, por mue më gjajnë si lumej të tërbuem e t’egërsuem që vërshojnë furishëm për të mbytë e përpì në gji të tyne, gjithshka hasin rrugës. Bilbili zemër-zhuritun, ia thotë me mallëngjim kangës së tij, por këndon apo rënkon?

Se mue zani i filoshit të molisun n’dashunì për perëndeshën e tij trandafilin, më jehon si marsh i përmortshëm, i prekshëm e i thekshëm: si kanga monotone e vajtimtare e qyqes.


U këthye apo jo Pranvera?-pyes në kulm t’agonìs ashtu si nëpër ethe.
-Jo akoma. Ajo do të vonojë të duket këtë radhë-jehon së largu nji za i vdjerrët enigmatik…
Të shpresoj se nuk do të harrojë?
Ah, jetë mizore. Mjaft u talle me njerzit, mjaft mâ spektatore ironike! Pranvera-stina mâ e kandshme –u këthye prap, por simjet, ajo nuk mundet ta ngrofi zemrën time t’akullt!

*Shkëputur nga romani i Mustafa Greblleshit: “Gremina e dashunis”

Përgatiti: ObserverKult


me puthje

Lexo edhe:

KJO ASHT TJETËR DASHUNÍ. EDHE UNË, DO T’IA THEM…

Nga Mustafa Greblleshi

Më 23 të Vjeshtës së Tretë 193…

Interesant qenka dhe kjo puna e …dashunis. Kurrë nuk kam pasë rasën me e provue ndonji herë, por tash që u kapa prej thonjëve të saj, po shof shumë ndryshime në vehten time.

Megjithse nuk jam mâ ai Memli i parë , prap se prap guximi më mungon vazhdimisht. Kushdi sa net më kalojnë pa i mbyllë sytë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult