Nga Arjola Zadrima
Kur zgjohem kaq herët më pëlqen me të mendu. Por ka do kohë që të mendoj qetë, pa nji milon pyetje mrenda vedit. Nganjiherë edhe flas me ty, jo se asht e bukur kur nuk përgjigjesh, por më duket sikur e ven buzën në gaz. Për shembull tash nadje të thashë, a e din se kena fillu me u plakë?
Po pra, më the.
Po pra po, mirë se ti që ke fillu me u thinjë, por unë e vë re tek vetja, nuk më pëlqen me u grindë ma me ty, fundja ç’kuptim kishte më pasë me vujtë edhe unë për dhimbjen tande.
Ti në fakt nuk je këtu, mbi këtë jastëk të butë mund të rrite kaq bukur aroma jote, ose përqafimi jonë, gjithçka që rrin në paqe të plotë me orën e agut asht vetëm mendimi jem mbi paqen.
Më shkoi mendja tek sytë tuej që të padisin, tek krahët që më përfshijnë të gjithën, dhe unë vdes të mbes e strukun mrenda atyne krahëve.
A e din ça më vjen inat?
Kur e tanë bota mendon se jam prej atyne grave që nuk i duhet kërkush, e ta dish bota asht aq egoiste sa pëlqen me kriju mite të forcës së mbinatyrshme. Por bota nuk e ka provu me u drithëru veç me nji mendim, bota nuk e ka provue paqen e thellë të shpirtit tem mrenda krahëve të tu, bota nuk e ka provue me mbajtë një dashuni në gji, me e mëkue me tamlin e kujtimeve dhe me e rritë. Ku e din bota që unë kam rritë një dashuni të madhe, ma të madhe se vedja, sa tash kur çoj kryet me e pa, e drue, po e drue se për herë të parë në jetë kam rritë diçka që ma ka kalue edhe mu.
Por ty nuk ta ndin për botën, e në këtë moment preçiz ti fle, dhe mu nuk ma ndin për botën, më vjen inat , se mbi këtë jastek ku të mendoj kaq paqësisht, nuk mundem me kundrue ftyrën tande në gjumë. Më vjen inat se s’mundem paqen me ta përkundë veç me imagjinu një qetësi të rreme.
E kurrë mos e dit’të bota sa të due, kurrë mos ta ndijnë çka tham këtu, çka kam këtu, e çka kam me pasë në zemër deri në fund. Se thonë ekziston ndokush që të mendon gjithmonë, ndërsa nuk e din se koha shkon e jeta rrjedh, lumenjtë derdhen në det, veç zemra jeme bjen në paqe mes krahëve të tu të shtrenjtë.
Kur zgjohem kaq herët, ti je këtu me mu kudo që të jesh.
ObserverKult
Lexo edhe: