Përgatitjet që të hapin dyert për publikun në ditën e parë të qershorit u kanë shkuar huq disa teatrove dhe kinemave. Përderisa teatrot duhet të mbajnë prova për të qenë gati pas lehtësimit të masave në raport me pandeminë, kinematë duhet të furnizohen me filma. Mbajtja mbyllur e tyre është konsideruar edhe si një goditje për skenën kulturore. Fakti që Ministria e Shëndetësisë ka lejuar hapjen e kopshteve, xhamive, kishave e qendrave tregtare e jo të teatrove e kinemave është i pakuptimtë për udhëheqësit e institucioneve kulturore. Prej 12 marsit “izolimi” përfshiu të gjitha institucionet kulturore. Galeritë e muzetë i rihapën me fazën e dytë të lehtësimit, prej 18 majit.
Për udhëheqës teatrosh e menaxherë kinemash rreziku është shumë më i madh në qendra tregtare e objekte fetare. Kanë thënë se në kinema e teatro mund të menaxhohen më lehtë rekomandimet për mbajtje të distancës. Teatri Kombëtar i Kosovës ishte përgatitur që nga sot (e martë) të nisë me repriza. Kurse në ditën e 12-të të këtij muaji ta japë premierën e parë për sivjet.
Aktori Adrian Morina, i cili është ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se një pjesë esenciale e stafit ka filluar të dalë në punë qysh nga një maji. Paraprakisht në fund të prillit Ministria e Shëndetësisë kishte lajmëruar se, sipas planeve për lehtësimin e masave kundër shpërndarjes së koronavirusit, teatrot dhe kinematë pas pandemisë do të hapeshin në fazën e tretë, të hënën e kësaj jave. Por gjërat kanë ndryshuar pas konferencës që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, e kanë mbajtur të dielën mbrëma. Aty është marrë vesh se hapja e këtyre institucioneve është shtyrë për një afat të pacaktuar. Sipas tyre, ky ishte rekomandimi i organizatave prestigjioze botërore.
“Lajmin e ri e kemi pritur të dëshpëruar. Kanë thënë se do të ndërrohen vendimet nga dita në ditë. Nga sot kanë filluar të dalin të gjithë punëtorët. Kemi nisur të mbajmë provat me grupe të vogla konform këshillave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, ka thënë Morina. Sipas tij, janë me shpresë që Teatri do të hapet së shpejti. “Më datën 12 do të kemi premierën e parë e më datën 24 të dytën. Për aktorët është shumë e keqe të kthehen prapa. Duhen edhe dy javë të tjera prova. Shpresoj që më datën 12 do ta kemi premierën”, ka thënë ai. TKK-ja kishte planifikuar që shfaqja “Zgjimi i pranverës” me tekst të Frank Wedekind e regji të Zana Hoxhës të jepet premierë në mars të këtij viti. Më 12 mars ishte ndërprerë aktiviteti i institucioneve kulturore. TKK-ja planifikon që premiera të jepet në ditën e 12-të të këtij muaji në amfiteatrin e parkut “Gërmia”.
“Nëse jo, atëherë premiera do të jetë drejtpërdrejt në televizion. Në bashkëpunim me të gjithë teatrot e Kosovës e kemi bërë një plan që e kemi dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë. Janë marrë shembuj se si janë duke funksionuar teatrot në Itali e vende të tjera”, ka thënë Morina. Ai shpreson se së shpejti do të hapen teatrot. Disa herë ka përsëritur se është e pakuptimtë ajo që ka ndodhur.
“Duke i parë vendimet ku bëhet hapja e kopshteve, qendrave tregtare, besoj se në teatër do të akomodoheshim lehtë pasi kemi 1000 metra katrorë vetëm në sallë”, ka thënë ai.
Regjisorja Zana Hoxha ka disa ditë që po mban prova me grupe të vogla. Ka thënë se janë duke punuar intensivisht duke respektuar masat sa i përket distancës. Për të, vendimi që të mos hapen teatrot del të jetë krejt i pakuptimtë.