Zgjohesha natën e frikësuar se mos më braktiste…

Nga Maira Papathanasopolu, pjesë e shkëputur nga romani “Juda puthte mrekullisht”.

Për mua Hotel California ishte kënga më erotike e tridhjetë vjetëve të fundit.
Për atë ishte një përpjekje e pamoralshme e një grupi për t’u përcjellë mesazhe sataniste dëgjuesve naivë, nëpërmjet disa notave mjeshtërisht tërheqëse. Unë mbyllja sytë dhe i shikoja me një intensitet më të madh gjërat që më ngjallnin emocione.
Ai mbyllte sytë dhe pas pak niste të gërhinte.
Nëpër ekskursione, unë mblidhja gurë të mëdhenj dhe i pikturoja me ngjyra të ndezura.
Ai i merrte dhe ua vendoste dyerve që të mos mbylleshin me forcë kur bënte korrent.
Unë kundroja me dëshirë vitrinat me çokollata në formë zemre ditën e Shën Valentinit.
Ai parapëlqente kolesterolin që i premtonte dy kile mish i pjekur Të Enjten e Ciknosur. Antitezat ishin, qysh nga fillimi, shenjat dalluese të lidhjes sonë. Rashë në dashuri me shikimin e parë.
Ai nuk m’i hodhi sytë për herë të dytë. Në takimin pasardhës isha më me fat.
Filluam të dilnim bashkë. Më saktë, “e ndreqëm muhabetin”.
Unë ngulja këmbë për të bërë seks. Ai tërbohej me të parë prezervativin. I dukej sikur hante një çokollatë me gjithë ambalazh.
Mbeta shtatzënë kur isha tetëmbëdhjetë vjeçe. Mbeti i shtangur kur ishte njëzet e tre.
Vendosa ta mbaja fëmijën. Natyrisht që ai nuk ishte në një mendje me mua. Ia ndërruan prindërit e tij, kur morën vesh për pasurinë që kisha trashëguar nga babai.
Para tetëmbëdhjetë vjetësh u lidhëm me prangat e shenjta të martesës. Për mua ishin me të vërtetë të shenjta.
Për atë ishin me të vërtetë pranga. Ma kujtonte këtë sa herë që grindeshim, duke më thënë: “Ku ma gjen të më ishte tharë gjer në rrëzë”.
Për fatin e mirë të disave, jo të gjitha dëshirat realizohen. U përpoqa tej mase t’ia qëlloja si bashkëshorte. Fjala “sus” karakterizon më së miri gjithë ato vite që i kalova duke u djersitur, që ta ndieja të kënaqur krah meje.
Po, mund të them me krenari se më në fund ia arrita qëllimit. Sa herë që më përqafonte, sa herë që rritej intervali mes dy grindjeve, sa herë që merrnim djalin dhe shkonim me pushime si gjithë familjet e lumtura, numëroja edhe një fitore më shumë në përpjekjen time për ta mbajtur. Pak nga pak m’u pakësua frika se mund të më braktiste me një djalë një, dy, tre, katër… vjeç. Ngaqë nuk e shihja më në sytë e tij atë maninë e kafshës së zënë në kurth, që mbijeton vetëm e vetëm sepse rron duke ëndërruar kafaze me dyer të hapura.
Për fat të keq, para dy vjetësh filloi prapë të më dilte gjumi nga frika se mos më braktiste me një djalë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Nuk e di nga se më vinte kjo. Ndoshta nga grindjet që shtoheshin në proporcion gjeometrik. Ndoshta nga ajo fjalia e harruar prej vitesh, që ma përplasi papritur në fytyrë një mëngjes janari:
– Ku ma gjen të më ishte tharë gjer në rrëzë.

Përktheu Niko Kacalidha

ObserverKult

————————

Lexo edhe:

VLORA ADEMI: PANTOLLAT M’RRINË BUKUR…