Zhdukja e mjekut, zbardhet dëshmia e gruas: Si u gjet trupi i tij në morgun e Tiranës

Zhdukja e mjekut

Publikohet historia e panjohur e Natan Schachner, mjekut me origjinë hebraike i cili gjatë periudhës së pushtimit ishte në radhët partizane të Brigadës së Mehmet Shehut dhe pas Luftës shërbeu si mjek në disa rrethe të vendit si: Kukës, Burrel, Shkodër, Krujë Durrës, etj.

Rrëfimi i bashkëshortes së tij Mila Çorati Schachner rreth misterit të zhdukjes së tij në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit në vitin 1973 pas dy letrave që sapo i kishin ardhur nga Londra, ku i njoftohej gjetja e pasurisë së tij në Bankën e Tel-Avivit dhe alibia e Sigurimit të Shtetit.

Më datën 11 janar të vitit 1973, që përkonte dhe me festën e Republikës, në shtëpinë tonë në qytetin e Durrësit, erdhën rreth 12 civilë të Sigurimit me në krye Kryetarin e Degës së Brendëshme të asaj kohe K.E.

Në atë moment që ata hynë në mënyrë demostrative në shtëpi. Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikuan se “në emër të popullit ishte i arrestuar”. Unë u tremba dhe menjëherë zura të bërtisja duke u thënë se ai nuk kishte bërë asgjë, por njëri nga ata, një djal i ri i quajtur Vladimir Çuçi, me shumë dashamirësi gjeti momenetin dhe më tha në italisht se unë nuk duhej të flisja.

Pas arrestimit të Natanit, ata i bënë një kontroll të imët të gjithë shtëpisë. Morën me vete të gjitha dokumentat e tij, si dhe dy libra të vëllait tim Agron Çoratit, të cilat i kishte shkruar gjatë kohës që ishte në internim në Zvërnec.

Që në fillim të kontrollit të banesës, ata u drejtuan për tek komedina dhe morën dy letra me zarfe të cilat i kishin ardhur Natanit ato ditë nga Londra. Aty njoftohej gjetja e pasurisë së nënës së tij Bertës, në Bankën e Tel-Avivit. Më bëri përshtypje se kur bënë proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumentave, ato dy letra nuk i shënuan fare”.

Njeriu që flet është Mila Schachner (Çorati), ish-komuniste e orëve të para dhe Përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të Beqir Ballukut. Ajo tregon gjithë historinë e bashkëshortit të saj me origjinë izraelite, Natan Schachner, që u zhduk në mënyrë misterioze nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1973 në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit.

Po kush është Mila Çorati dhe cila është e kaluara e saj? Si u njoh dhe u martua ajo me mjekun e famshëm me origjinë hebraike Natan Schancner? Si kishte përfunduar ai në Shqipëri, pasi i kishte shpëtuar pushkatimit të gjermanëve në kampin e internimit në Jugosllavi? Përse Natani u largua si i padëshirueshëm nga rradhët e Ushtrisë, ku ai kishte shërbyer si mjek që në Brigadën e Parë të Mehmet Shehut në vitin 1943? Cili ishte qëndrimi i tij lidhur me konfliktin arabo-izraelit në vitin 1966 dhe çfarë tha ai publikisht në dasmën ku ishte thirrur tek komshijtë e tij në qytetin e Durrësit?! Përse pas asaj dite ai u vu nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit dhe çfarë thuhej në dy letrat e fundit që atij i erdhën nga Londra? Përse në momentin e arrestimit, oficerët e Sigurimit u drejtuan përnjëherë tek ato dy letra dhe përse nuk i shënuan ato në proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumenteve që iu gjetën atij?! Cila është e vërteta e misterit të zhdukjes së tij nga qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit ku ai u mbajt për gjashtë muaj nën tortura dhe kush është njeriu që ka dëshmuar se trupin e Natanit me kokë të prerë, e ka parë deri në fundin e viteve 1980-të në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë?

Rrëfimi i Mila Çoratit

Mila Schancher (Çorati), bashkëshortja e mjekut të famshëm me origjinë hebraike, deri para pak vitesh ka jetuar krejt e vetme. Bashkë me të motrën e saj Vandën (dy-tre vjet më e vogël se ajo) ato jetoi në një shtëpi të vjetër tiranase që ndodhet diku në të djathtë të rrugës ku zbret për tek Pazari i Ri. Ndonëse tashmë në moshë të thyer dhe me një shëndet të drobitur nga peripecitë e një jete plot vuajtje dhe brenga, me një kujtesë brilante për t’ia pasur zili, ajo na ka rrëfyer gjithë historinë tragjike të jetës së saj.

Erugina, apo siç njihet ndryshe me emrin Mila, u lind në qytetin e Tiranës në vitin 1925, kur babai i saj Ferit Çorati që punonte në PTT e Vlorës, u transferua që andej për në Kryeqytet. Gjatë viteve të Luftës, nëna e saj Feruzja, dy vëllezërit, Muharremi me Agronin, si dhe motra Vanda, u lidhën të gjithë me lëvizjen antifashiste dhe shtëpia e tyre në Tiranë, u bë një nga bazat më të rëndësishme të komunistëve, ku streoheshin krerët e PKSH-së.

Pasi qëndroi disa kohë si ilegale, Mila Çorati doli në mal si partizane, duke arritur deri përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të komanduar nga Beqir Balluku. Pas mbarimit të Luftës ajo punoi disa kohë në Drejtorinë e Propagandës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në atë kohë ajo u njoh me mjekun Natan Schachner, i cili do të bëhej dhe bashkëshorti i ardhëshm i saj.

Martesa e Milës me Natanin

Lidhur me njohjen dhe martesën me mjekun Natan Schachner, Mila Çorati tregonte: “Aty nga vitet 1953-‘54, gjatë periudhës që unë punoja në Drejtorinë e Propagandës së Ministrisë Shëndetësisë, u njoha për herë të parë me Natanin. Në atë kohë, ai punonte si mjek në qytezën e Fushë-Krujës.

Natani ishte një njeri shumë i mirë, tepër inteligjent dhe mjaftë human, gjë të cilat e dallonin atë nga të gjithë mjekët e tjerë që vinin në Ministri për probleme të ndryshme.

Pas njohjes ne vendosëm të martoheshim, por Natanit i vunë kusht se në rast se nuk ndërronte shtetësinë e tij, atë nuk do ta lejonin që të lidhte kurorë me mua. Ai u mërzit jashtë mase nga kjo gjë. Jo vetëm pse kishte një krenari për Moldavinë ku kishte lindur dhe origjinën e tij hebraike, por dhe për faktin tjetër që nuk kishte asnjë lloj simpatie për komunistët e regjimin që ishte vendosur në Shqipëri.

Po kështu ndonëse atë e lidhin mjaft gjëra me Gjermaninë dhe Austrinë, ku familja e tij kishte banuar për disa kohë, ai kishte alergji për nazizmin që i kishte pushkatuar babanë. Duke mos pasur rrugdalje tjetër, Natani e ndërroi shtetësinë e tij dhe pas kësaj ne na lejuan që të vendosnim kurorë e të martoheshim.

Në atë kohë unë e lashë Tiranën e Ministrinë e Shëndetësisë ku punoja prej disa vitesh dhe shkova të jetoja së bashku me Natanin në Fushë-Krujë, tek banesa e tij pranë Teqes së Bektashianëve.

Pasi u martuam bashkë, shteti na dha një banesë private në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, dhe aty filluam të ndërtonim jetën tonë. Në atë kohë, ndonëse Natani shihej me sy të keq dhe nuk trajtohej mirë nga regjimi komunist, ai kurrë nuk e kishte zakon që të fliste me njeri, qoftë për padrejtësitë që i bëheshin atij personalisht, ashtu dhe për regjimin komunist që nuk e donte fare.

Natani e nuhaste qëndrimin që mbahej ndaj tij dhe vetëm në raste shumë të rralla më hapej dhe fliste me mua kundër regjimit komunist. Ndonëse ai kishte alergji për regjimin ku jetonim, kurrë nuk e konfondonte atë gjë me njerzit e thjeshtë dhe banorët e atyre zonave ku punonte si mjek, të cilëve u shërbente me korrektesën më të madhe duke u shkuar nëpër shtëpira për t’i vizituar dhe mjekuar”, shprehej mes të tjerash Mila Çorati, për njohjen e saj të parë me bashkëshortin e ardhshëm, mjekun me origjinë hebraike, Natan Schachner.

Nëna e Natanit vdes në Fushë-Krujë

Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri, pasi Natani kishte mësuar për fatin tragjik të babait të tij që ishte pushkatuar nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdonte të interesohej dhe të kërkonte të dhëna apo ndonjë lajm për fatin e nënës së tij, Bertës. për të kishte mësuar se ishte internuar nga gjermanët në një kamp përqëndrimi në Siberi.

Lidhur me këtë, Mila Çorati kujtonte: “Në vitin 1956, pasi kishin kaluar plot 20-vjet që kur Natani ishte larguar nga familja për të studjuar në Bolonja të Italisë, ku dhe u diplomua si mjek, atij i erdhi një lajm i mirë që e bëri të qante nga gëzimi. Në atë kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar, me anë të një telegrami e njoftoi Natanin që të dilte në Durrës, për të pritur nënën e tij Bertën, e cila ishte nisur me një vaporr nga Bashkimi Sovjetik.

Ajo gjë ishte bërë e mundur pasi Berta i ishte drejtuar me anë të një letre, vetë udhëheqësit numër një të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit, dhe ai i kishte dhënë lejen që ajo të vinte përgjithmonë në Shqipëri.

Nuk mund ta përshkruaj dot atë takim në Portin e Durrësit, kur Natani pas 20-vjetësh u përqafua me nënën e tij, Bertën. Nga ai takim prekës e mallëngjyes, të gjithë ne që kishim dalë për ta pritur, u shkrehëm të ngashëryer në vaj.

Nëna e Natanit erdhi dhe qëndroi me ne për katër-pesë muaj në fshatin Arramerras të Fush-Krujës, dhe pastaj u nis për në Rumani ku kishin banuar familjarisht vite më parë me të shoqin, Leonin, dhe djalin e tyre, Natanin.

Para se Berta të nisej për në atë vend ku kishte kujtimet e të shoqit, unë i thoshja shpesh Natanit që të shkonte dhe ai bashkë me nënën e të rrinin përgjithmonë atje. Natani më përgjigjej se atje në Rumani nuk njihte njeri, kurse këtu në Shqipëri, të paktën shteti i kishte dhënë një punë dhe e njihnin si mjek.

Pasi nëna e Natanit qëndroi pak kohë në Rumani, ajo vendosi dhe u kthye përsëri në Shqipëri, pasi atje nuk e priti asnjeri. Aty në qytezën e vogël të Fush-Krujës ku Berta banonte bashkë me ne, për të mos u mërzitur, Natani paguante rregullisht me 3000 lekë në muaj një person që dinte gjuhën ruse, i cili vinte në shtëpi dhe bënte muhabet me nënën e tij.

Pas afro dy vjetësh qëndrimi me ne, në fundin e vitit 1957, nëna e Natanit ndërroi jetë në Fush-Krujë dhe varrimin e saj e bëmë në Tiranë. Në ceremoninë mortore të varrimit të saj erdhën pothuaj të gjithë hebrejtë që jetonin asokohe në Shqipëri. Atë e vumë në varrezat e Sharrës në një parcelë që shteti shqiptar e kishte lënë apostafat për hebrejtë që kishin vdekur në Tiranë”, kujtonte Mila Çorati lidhur me ardhjen nga Moska dhe vdekjen në Shqipëri të vjehrrës së saj, Berta Schachner.

Natani, në mbrojtje të Izraelit

Deri aty nga viti 1960, mjeku me origjinë hebraike, Natan Shakner së bashku me bashkëshorten e tij, Mila Çoratin, jetuan e punuan në fshatin Arramerras të Fush-Krujës. Në atë vit, atyre iu dha e drejta e trasferimit. Lidhur me këtë, Mila Corati kujtonte: “Pasi kishim qëndruar për afro shtatë vjet me rradhë në qytezën e vogël të Fush-Krujës dhe pas shumë kërkesash, ne na u dha e drejta e trasferimit për t’u larguar që andej.

Pas kësaj ne na dërguan në qytetin e Durrësit, ku na dhanë edhe strehim duke na sistemuar me shtëpi në një pallat. Për ca kohë Natanin e dërguan të punonte në spitalin e qytetit dhe më pas e hoqën që andej dhe e çuan në Poliklinikë. Ndonëse ai vazhdonte të ishte mjaft i rregullt dhe tepër korrekt në punën e tij, duke bërë emër të mirë si mjek në atë qytet,(i ndiqte pacientët e tij deri në Tiranë), ai përsëri shihej me sy të keq nga regjimi i asaj kohe.

Pozita dhe figura e Natanit në sytë e regjimit komunist, u ndërlikua së tepërmi dhe u vështirësua pas vitit 1966 kur ndodhi konflikti i armatosur Arabo-Izrealit dhe filloi lufta ndërmjet tyre. Në atë kohë unë me Natanin ishim thirrur në një dasëm tek një komshiu ynë dhe gjatë bisedës ra fjala edhe për luftën ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, që në atë kohë ishte pikë kryesore për gjithë propagandën shtetërore.

Gjatë asaj bisede, Natani mbrojti vëndin e tij Izraelin duke kundërshtuar bashkëbiseduesit, të cilëve iu tha se Izraeli nuk kishte sulmuar Egjiptin, por ai kishte bërë luftë vetëmbrojtëse. Duke parë situatën që u krijua, unë ndërhyra përnjëherë për ta zbutur bisedën dhe iu drejtova Natanit duke i thënse ai nuk kishte folur asnjëherë ashtu.

Atë gjë e bërë që t’i jepja të kuptonte se nuk duhej të fliste më në atë mënyrë, pasi ishte krejt në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit lidhur me konfliktin Arabo-Izrealit. Pas asaj bisede, Natanin e raportuan në Degën e Brendëshme dhe që nga ajo ditë ndaj tij filloi një survejim i përhershëm nga Sigurimi i Shtetit. Në një rast kur ai ishte shtruar i sëmurë në Tiranë, ndërhyri Sigurimi duke e nxjerrë nga spitali me pretekstin se ai nuk kishte gjë dhe simulonte vetë”, kujtonte Mila Çorati duke shtuar se në atë kohë Natanin dhe atë i ndiqnin kudo.

Arrestimi i Natanit në janar të vitit 1973

Gjatë kohës që nëna e Natanit ishte në Shqipëri, ajo i kishte treguar atij se pasurinë e familjes së saj, e cila përmblidhej në një sasi të madhe bizhuterish të floroinjta, i kishte lënë në ruajtje tek një i afërmi i saj, para se të nisej nga Moska.

Natani mundi të lidhej me kushëririn e tij që në atë kohë punonte në Konsullatën e Izraelit në Londër dhe ai i solli dy letra ku i shpjegonte se pasurinë e nënës së tij ai e kishte depozituar në Bankën e Tel-Avivit dhe si fillim do dërgonte një televizor. Pak ditë pas ardhjes së atyre letrave, më 11 janar të vitit 1973, Natani u arrestua nga Sigurimi i Shtetit. Lidhur me këtë Mila Çorati tregonte: “Atë ditë që ishte dhe festa e Republikës, në shtëpinë tonë aty në qytetin e Durrësit, erdhën 12 oficerë të Sigurimit së bashku me Kryetarin e Degës K. E.

Në atë moment që ata hynë brenda në mënyrë demostrative, Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikun se në emër të popullit ishte i arrestuar. Unë u tremba dhe zura të bërtisja duke thënë se ai nuk kishte bërë gjë. Por njëri nga ata, një djalë i ri i quajtur Vladimir Çuçi, që dallonte nga harbutllëku i kolegëve të tij, gjeti momentin dhe me shumë dashamirësi më tha në italisht që të mos flisja më.

Pasi u vunë hekurat Natani, ata i bënë një kontroll të imët gjithë shtëpisë dhe gjëja e parë që morën, ishin dy letrat që sapo kishin ardhur ato ditë nga Londra, nga kushëriri i Natanit. Më bëri përshtypje se gjatë proçes-verbalit që ata bënë për sekuestrimin e dokumenteve, (ku shënuan dhe librat në dorshkrim të vëllait tim Agronit që i kishte shkruar në internim në Zvërnec) ato dy letra nuk i shënuan fare.

Gjatë atyre gjashtë muajve që Natani qëndroi në hetuesi, mua më thërritën disa herë dhe më pyesnin për gjithshka rreth tij. Njëherë më thanë të firmosja për ato që kishin shkruar pasi mi dhanë për t’i lexuar. Unë firmosa në mirbesim njërën nga fletët, pasi shkrimi nuk lexohej fare dhe unë nuk shihja mirë nga sytë. Kur vajta në shtëpi i tregova vëllait Agronit, i cili më tha se kisha bërë gabim që kisha firmosur, pasi ata kastile e kishin bërë shkrimin në atë mënyrë që unë të mos e lexoja dot.

Të nesërmen e asaj dite ata më erdhën në shtëpi dhe më thanë se ishin nxituar një ditë më parë dhe unë duhej të firmosja dhe fletët e tjera. Unë iu thashë që të lexonin çfarë kishin shkruar dhe kur e pashë se ata kishin shkruar ndryshe nga sa kisha folur, fillova të bërtisja dhe ata më çaun tek Kryetari i Degës K.E.

Unë i thashë atij se nuk doja të firmosja, sepse ato makinacione nuk m’i kishin bërë as fashistët kur më kishin arrestuar në 1943-in. Ai më goditi me duar dhe unë u rrëzova përdhe”, kujtonte Mila Çorati atë kohë kur iu arrestua bashkëshorti i saj Natani, duke shtuar se nga që nuk kishte asnjë lloj fakti dhe argumenti për ta dënuar atë, Sigurimi i bënte presion asaj që të dëshmonte kundër tij.

Zhdukja misterioze e Natanit

Por çfarë ndodhi gjatë hetuesisë me mjekun Natan Schachner dhe si u trajtua ai nga Sigurimi i Shtetit? Lidhur me këtë Mila dëshmonte: “Nga disa njerëz, ne mundëm të mësonim se Natanin e torturonin vazhdimisht gjatë hetuesisë.

Unë javë për javë i dërgoja ushqime dhe ndërresa, por isha e sigurt se jo vetëm ushqimet, por as ndërresat nuk ia jepnin atij. Njëherë në ndërresat e tij gjeta një copë letër ku shkruhej: ‘Mila, unë nuk kam treguar asgjë, prandaj as ti mos trego’. Duke qenë e sigurtë se ai nuk ishte shkrimi i tij dhe se ajo gjë ishte një truk i Sigurimit, shkova vetë në Degë dhe i thashë kryehetuesit se ajo letër nuk ishte e tim shoqi.

Ata ngrinë dhe nuk folën asnjë fjalë. Mbas gjashtë muajsh një i afërmi ynë na tha se Natani kishte vdekur në hetuesi dhe ishte në morg. Unë vajta menjëherë në hetuesi dhe kryehetuesi më tha: ‘Natani ka varur veten në qeli. Ai ishte agjent sionist ndërkombëtar dhe ishte i vendosur deri në fund’. Unë i pyeta se sa lekë iu detyrohesha për shpenzimet e varrimit, por ai më tha se për atë gjë kishte menduar vetë shteti.

Më pas ata më sollën në shtëpi rrobat e tij ku mungonte qemeri dhe njëra këmbë e pantallonave. Me atë gjë ata donin të tregonin se Natani kishte varur veten. Pas kësaj mua më hoqën nga puna dhe më dërguan mësuese në fshat, duke më lënë të banoja vetëm në një dhomë.

Aty nga viti 1991, një person që kishte punuar si fotograf në Ministrinë e Brendshme, erdhi dhe më tregoi se në korrikun e vitit 1973 atë e kishin thirrur urgjent në Durrës, për të fotografur një të burgosur që kishte vdekur në qeli. Ai kishte mësuar se i burgosuri quhej Natan Schachner dhe se ai kishte vdekur gjatë torturave.

Më pas ata e kishin varur duke thënë se kishte bërë vetëvarje”, tregonte në rrëfimin e saj Mila Çorati, duke shtuar se në atë kohë një ndihmës-mjek, shkoi në shtëpinë e saj dhe i tregoi se trupi i Natanit, me kokë të prerë, deri në vitin 1991 kishte qëndrua në morgun e Tiranës, ku mësonin studentët e Mjeksisë. Bashëkëshorti i saj, mjeku me origjinë izraelite që punoi për 33 vjet në Shqipëri, u kishte shërbyer shqiptarëve edhe përsëvdekuri.

Natan Schachner, mjeku me origjinë hebraike që punoi 33 vjet në Shqipëri

Natan Schachner u lind më 6 prill të vitit 1913 në Sadagura të Rumanisë, (krahinë e Moldavisë që më pas kaloi nën Bashkimin Sovjetik) në një familje me origjinë ebraike nga Izraeli dhe i jati i tij quhej Leon, kurse nëna Berta.

Që nga fillimi i shekullit të kaluar, familja e Leon Schachner ka banuar në krahinën e Moldavisë, e cila në atë kohë ishte nën administrimin e Rumanisë dhe më pas, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ata u shpërngulën prej andej dhe jetuan disa kohë në Austri. Nuk dihet me saktësi dhe nuk ka asnjë të dhënë qoftë dhe të përafërt se në ç’periudhë kohe ajo familje është larguar nga atdheu i tyre Izraeli, për t’u vendosur në krahinën e Moldavisë, ku asokohe jetonte një komunitet i madh me origjinë ebraike.

E jëma e Natanit, Berta kishte lindur në Poloni në një familje të pasur latifondiste (me origjinë ebraike) dhe familja e saj kishte banuar për disa kohë edhe në Gjermani. Natani i cili ishte djal i vetëm i Leon dhe Berta Schachner, pasi u shkollua në Sadagura të Rumanisë ku mbaroi dhe gjimnazin klasik, në vitin 1933 u dërgua për të ndjekur studimet e larta për Mjeksi, në Universitetin e Bolonjas në Itali.

Në atë Universitet, Natan Schachner studjoi për gjashtë vjet në degën e Kirurgjisë patollogjike dhe në vitin 1939, ai u diplomua me rezultate të larta duke marrë Medalje Ari. Pas marrjes së diplomës, Natani së bashku me shumë shokë të tij studentë me origjinë ebraike, u nis për t’u kthyer në Rumani, ku asokohe vazhdonte të banonte familja e tij. Por gjatë atij udhëtimi, ai së bashku me të gjithë shokët e tij studentë të sapodiplomuar, u ndaluan nga forcat gjermane në kufirin Jugosllav dhe përfunduan në një kamp përqëndrimi.

Siç ka dëshmuar dhe vetë Natani, ndalimi i tyre u bë për arsye se gjermanët nuk kishin dëshirë që vëndet e Lindjes komuniste të cilat ishin nën influencën sovjetike, (siç ishte në atë kohë Moldavia) të furnizoheshin me kuadro të diplomuar në Perëndim. Pas disa muajsh qëndrimi në atë kamp përqëndrimi që kishin hapur gjermanët në Jugosllavi, (ku Natani nuk e tregoi kombësinë e tij ebraike) ai mundi që të shpëtonte nga pushkatimi duke u arratisur që andej, vetëm në sajë të gjuhës gjermanishte që e zotëronte në mënyrën më të përkryer.

Pas arratisjes nga kampi i përqëndrimit gjerman, Natani kishte si synim për t’u vendosur në Prishtinë, ku asokohe jetonin dhe një numër i madh ebrejsh, të cilët kishin gjetur aty një strehë të sigurtë duke u marrë nën mbrojtje nga autoritetet vendore të Kosovës. Pasi udhëtoi disa ditë nëpër male, Natani mbërriti në Prishtinë diku aty nga pranvera e vitit 1940 dhe menjëherë filloi punë si kamarier në një nga lokalet e atij qyteti me pronar shqiptar. Në atë kohë që mbërriti në Prishtinë, Natani mësoi se babanë e tij Leonin e kishin pushkatuar gjermanët në Austri, kurse nënën e tij Bertën, e kishin internuar në një kamp përqëndrimi në Siberi.

Nisur nga këto rrethana dhe duke mos pasur më asnjëeri të afërt të familjes në Sadagura të Moldavisë, Natani vendosi që të vinte në Shqipëri ku asokohe kishin ardhur dhe një numër jo i vogël ebrejsh, të cilët kishin gjetur mbrojtjen e popullsisë vendase. Pasi qëndroi për afro një vit e gjysëm në Prishtinë, aty nga janari i vitit 1942, Natan Schachner plotësoi disa dokumente fallse (ku e fshehu kombësinë e tij ebraike) dhe u nis për në Shqipëri, duke udhëtuar me një nga kamionët e linjës Prishtinë-Tiranë.

Duke mos pasur asnjë lloj mbështetje dhe nga që nuk e dinte mirë gjuhën shqipe, Natani u vendos tek Pazari i Vjetër (aty ku sot është Pallati i madh i Kulturës) ku punoi si hamall, duke ngarkuar dhe zhgarkuar mallrat e tregtarëve të ndryshëm tiranas. Nga që nuk kishte asnjë lloj banese për të futur kokën, Natani flinte në dyqanet e tregtarëve të ndryshëm tiranas, të cilëve iu ruante dhe mallrat e dyqanet e tyre, duke u paguar dhe si roje nate.

Pasi punoi disa kohë si hamall pranë atij pazari dhe duke mos i treguar asnjë njeriu për kombësinë e tij ebraike, aty nga vera e vitit 1942, Natani filloi punë si hamall në magazinat e dy tregtarëve të njohur, të quajtur Gaqo Papadhopulli dhe Petro Roçi. Këta dy tregtarë të cilët asokohe bënin tregti të madhe me mallra farmaceutike, e morën Natanin në punë si hamall në magazinat e tyre, vetëm pasi e vunë në provë dhe panë që ai ishte njohës i shkëlqyer i medikamenteve mjeksore që ata tregtonin.

Pasi punoi për afro dy vjet pranë atyre magazinave (ku në njërën prej tyre kishte adaptuar dhe një vënd për banesë) aty nga shtatori i vitit 1943, kur kapitulloi Italia dhe gjermanët po i afroheshin Tiranës, për t’i shpëtuar ndjekjes së tyre, Natani u largua që andej dhe u fsheh në periferi të Tiranës afër fshatit Zall-Herr. Po në atë kohë me ndihmën e dy tregtarëve Gaqo Papadhopulli dhe Petro Roçi, Natani u bashkua me çetën e forcave të Legalitetit që vepronte në atë zonë, e cila komandohej nga kapiten Xhemal Herri. Pasi qëndroi disa kohë pranë asaj çete duke shërbyer si mjek, Natani me mirkuptim u largua që andej dhe në gushtin e vitit 1944 u bashkua me partizanët e Brigadës së Parë të porsaformuar në Vidhkuq të Korçës të komanduar nga Mehmet Shehu.

Edhe në këtë formacion të madh partizan, Natan Schachner u caktua me detyrën e mjekut të Brigadës, ashtu siç kishte shërbyer edhe pranë forcave të Xhemal Herrit. Aty nga vera e vitit 1944, Natani u transferua nga ajo brigadë dhe kaloi po me detyrën e mjekut pranë Brigadës së XXIII, e cila asokohe vepronte në periferitë e Krujës dhe Tiranës. Edhe pas mbarimit të Luftës, Natani shërbeu si mjek pranë asaj Brigade deri në janarin e vitit 1946 dhe në atë kohë u transferua si mjek pranë një regjimenti të Divizionit të Korçës, ku punoi deri në 1 shtator të vitit 1949.

Në të gjitha ato njësi ushtarake ku punoi, ndonëse e ushtronte me mjaft korrektesë e humanizëm detyrën e mjekut, Natani shihej me sy të keq nga organet e Sigurimit të Ushtrisë, me që ishte shtetas i huaj. Si rezulat i kësaj, pas transferimit nga Korça, ai u transferua përsëri edhe disa herë të tjera në shumë reparte si në Kukës e Shkodër, deri sa e nxorrën në lirim në 30 dhjetor të vitit 1951, me motivacionin: “I padëshirueshëm në Ushtri”.

Pas lirimit nga ushtria, Natanin e emëruan si mjek civil në qytetin e Burrelit ku punoi nga viti 1951 deri në 1954-ën, kur e transferuan dhe e sollën në Fush-Krujë. Në atë kohë ai u njoh me një vajzë tiranase të quajtur Erugina (Mila) Çorati e cila kishte qenë partizane dhe punonte në sektorin e Propagandës të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas martesës atyre iu dhanë një banesë në fshatin Arrameras, pasi deri në atë kohë Natani banonte në Teqen Bektashiane të Fush-Krujës.

Në vitin 1956, me ndihmën e Kryqit të Kuq të Shqipërisë, Natanit i erdhi në Shqipëri nëna e tij Berta, e cila banonte në Moskë, ku ishte vendosur pasi ishte liruar nga kampi i përqëndrimit i Siberisë. Me ardhjen në Shqipëri, nëna e Natanit, Berta, jetoi me djalin e saj dhe gruan e tij Milën, për afro dy vjet në shtëpinë e tyre në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, deri sa vdiq në vitin 1957. Pas shumë kërkesash, në vitin 1960, Natani së bashku me gruan e tij Milën, u transferuan nga Fush-Kruja për në Durrës. Në atë qytet, Natani punoi si mjek në spital dhe Poliklinikë, (bashkëshortja e tij Mila punoi si mësuese) duke u vlersuar si një nga mjekët më të mirë dhe tepër humanë që i ndiqte pacientët e tij duke u kujdesur për ta deri në Tiranë.

Edhe pse Natani, gëzonte një emër të mirë si mjek në qytetin e Durrësit, nga viti 1967 ai u survejua rregullisht nga Sigurimi i Shtetit, pasi në atë kohë ai ishte shprehur hapur në mbrojtje të izraelitëve në konfliktin e tyre me vëndet Arabe. Në qytetin e Durrësit, Natani punoi për afro 14-vjet, deri në 11 janar të vitit 1973, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, me akuzën: “Agjent ndërkombëtar i vendosur i sionizmit”.

Pas gjashtë muaj hetuesie, në korrikun e atij viti, bashkëshortja e tij Mila Çorati u njoftua nga Dega e Brendshme e Durrësit se i shoqi i saj Natan Schachner, kishte varur veten në qelinë ku mbahej i izoluar. Që nga ajo kohë e deri në sot, Mila Çorati nuk ka asnjë të dhënë se ku prehen eshtrat e bashëshortit të saj, ndonëse disa të afërm i kanë treguar se trupi i tij me kokë të prerë, deri nga fundi i viteve 80-të, ka qëndruar në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë./Memorie.al

ObserverKult

Lexo edhe:

TEODOR KEKO: VËLLAI PO MË KËRKONTE TË MË SHIHTE PËR HERË TË FUNDIT…