Zhgënjim me Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës

festivali folklorik

Ëndërroja gjithnjë të mirrja pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar, në festivalin më të madh të folklorit burimor shqiptar apo në kryefestivalin folklorik, që mbahet tradicionalisht për çdo katër vjet në Gjirokastër.

Nga Berat Luzha

E përcillja në TV e në rrjete sociale për çdo natë e për çdo ditë këtë festival me emër dhe kisha fituar bindjen se po arrinte suksesin më të madh të mundshëm, Prandaj, mora vajzën, mbesën e nipin për ta parë e përjetuar nga afër këtë ngjarje të madhe artistike.

Gjirokastrën e gjetëm të stolisur si nuse, me plot dasmorë, të vendit e të huaj, që kishin mbushur rrugët e gurta të qytetit të vjetër. Më në fund, bashkë me qindra apo me mijëra vizitorë, u futëm në kështjellën famëmadhe, në hapësirën e hapur të së cilës mbahej festivali. Menjëherë na bie në sy skena e bukur e festivalit, një skenë madhështore në kështjellën madhështore.

Pritej të fillonte nata e fundit apo nata e tetë e festivalit në orën e caktuar, por jo! Një vonesë e pashpjegueshme dhe e mundimshme njëorëshe me atë “një – dy, një – dy” në gjuhën italiane na kishte lodhur tepër shumë.

Kur kujtuam se po po fillonte programi i festivalit, në skenë u ngjitë një ansambël i zhurmshëm italianë, i cili për 1 orë e 15 minuta, fund e krye me këngë italiane të të njëjtit ritëm e të të njëjtës melodi, ishte bërë i padurueshëm! Shtrohet pyetja, për çka u fut në program një ansambël i huaj në një festival folklorik shqiptar?!!! A ishte kjo një ndërhyrje flagrante në programin e festivalit dhe pikërisht në natën e fundit të tij?

Pasi ky ansambël i huaj, i pritur ftohtë nga publiku, përfundoi paraqitjen e tij të stërzgjatur, pa asnjë shpjegim u shpall pauzë gjysmëorëshe, që zgjati, jo 30 po plot 45 minuta të plota.

Kështu, programi i njëmendtë i festivalit, në vend se të fillonte në orën 19, filloi në orën 21, d.m.th. me plot dy orë vonesë apo me dy orë pritjeje aspak të lehtë. Në skenë, më në fund, u ngjitën këngët e vallet shqipe të dy ansambleve tona shtetërore; të R. së Shqipërisë dhe të R. së Kosovës. Thënë të drejtën, as ky program nuk ishte për lakmi, si duket i përgatitur shpejt e shpejt, një program sa për të thënë!

Nga qyteti i mrekullueshëm i Gjirokastrës u kthyem paksa të zhgënjyem, jo me akterët po me organizimin tejet të dobët, me organizimin tejet anemik.

Uroj që festivali në netët e para të ishte në nivelin, çfarë e do kjo ngjarje kulminante folklorike në trojet shqiptare!

ObserverKult

Lexo edhe:

I PËRQAFUAR NGA ZAHO, RAMA NDAN FOTOT NGA FESTIVALI FOLKLORIK KOMBËTAR

GJIROKASTRA PËR NJË JAVË ‘KRYEQYTET’ I KULTURËS, NIS SOT FESTIVALI FOLKLORIK KOMBËTAR