Për herë të parë pas 97 vitesh që prej ekspozimit në qendër të sheshit që mban emrin e tij, busti i heroit Çerçiz Topulli në Gjirokastër, është zhvendosur.
Mësohet se zhvendosja nga qendra e qytetit do të jetë e përkohshme dhe ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen për rehabilitimin e sheshit dhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor.
Bashkë me shtatoren është hequr edhe bazamenti me vlera monumentale, në të cilin ishte vendosur punimi i mjeshtrit Odise Paskali qysh prej vitit 1934, transmeton ‘panorama.com.al’.
Bëhet fjalë për disa pllaka mermeri të sjella nga Italia pikërisht në vitet ’30.
Zhvendosja e bustit nxiti më herët debatet mes palëve dhe shoqërisë civile.
Shtatorja e heroit do të rikthehet sërish në përfundim të punimeve. Monumenti, pa të cilin nuk mund të kuptohet sot qyteti i gurtë, u ngrit me kontributin e vetë gjirokastritëve. Monumenti kushtoi plot 3600 franga ari.