U zhvillua për të 11-tin vit radhazi Festivali Folklorik Tipologjik i Valles popullore Kombëtare në qytetin e Lushnjës. Artistë të muzikës së folklorit dhe valles u bënë bashkë në mbrëmje të vërtetë festive për artëdashësit.
E kthyer në një traditë të përvitshme nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale grupet konkurruese pjesëmarrëse nga 12 qarqe të vendit si Gjirokastra, Finiqi, Kolonja, Devolli, Tirana e Kurbini, Kukësi, Dibra, Berati mbushën sheshin qendror të qytetit.
I ftuar ishte dhe Kreu i Bashkisë Lushnjës, Fatos Tushe, i cili e quajti Festivalin një vlerë të shtuar për ruajtjen trashëgimisë dhe identitetit kulturor.
“Spektatori artëdashës lushnjar ka fatin të shijojë vlerat estetike të lëvizjes së valltarëve, të muzikë popullore dhe mbi të gjitha interpretimin artistik të festivalistëve. Vallja dhe kënga popullore janë pjesë e identitetit tonë kulturor, i cili na dallon dhe na lidh me popujt fqinj, na bën të jetojmë në paqe dhe harmoni dhe është një element integrues”, thotë kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe.
Prezantuar çdo vit me risi interpretime të larmishme, edhe sivjet Festivali Folklorik Tipologjik i Valles popullore Kombëtare erdhi për dy net në sheshin qendror të Lushnjës./shqiptarja.com