Zija Çela: Je njerëzori, i bukuri i popullit tënd

zija çela
Zija Çela

E çfarë të them tash unë për ju, shoqe e shokët e mi, miqtë e mi maturantë, se ju ta shafisni edhe trurin?! Jo, jo, bukurinë e gjeta aty, mes rinisë, rinisë ku buçet jeta dhe shpresa, dhembja e bekimi i Shqipërisë! –

Në gjimnazin “Ernest Koliqi” prita të gjeja mësues, por gjeta nivelin e pedagogëve. Atje shkova për të takuar nxënës, por gjeta mësues. Sepse në takimin tonë letrar ndoshta mësuan diçka prej meje, por e sigurt është se edhe unë mora mësime prej tyre. Kujtesa ka mënyrën e saj për të mbajtur shënim.

U propozova që në fillim të ishin shoqet e mia dhe shokët e mi. Por Zoti na dha më shumë, më pranuan si mikun e tyre. Në fakt, për të thënë të vërtetën, kishin kohë që më kishin pranuar.

Maturantët kishin kartëvizitë fort shprehëse në sy. Dhe këtë e thoshte drita e tyre, vëmendja e përqendruar, kureshtja e ndezur, vetëdija e mobilizuar. Ne të kemi pritur, thoshin, ti je yni, ne jemi gati. Dhe ishin gati thellësisht. Prandaj, në emër të tyre, nxënësja Lois Sava shpjegoi edhe buqetën me lule të bardha: trëndafilat – dashuri e sinqeritet, anastasia – nderim, margarita – respekt… Respekt, respekt gjithashtu, më vinte ta ndërprisja.

Që në stendat e sallonit, të përtrira me materiale letrare, ndihej mirëseardhja. Në xhamin e derës së bibliotekës shihej një citim, ku isha shprehur për ëndrrën dhe ngulmimin e njeriut për të ecur drejt ëndrrës së tij. Por, mbi të gjitha, ata kishin lexuar libra të mi. Dhe kishin shkruar refleksione, substrate nga të cilat lexuan në takim.

Nxënësja Ana Luis Rexha foli mbi librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, ndërsa Kristian Dhimtri për “Ora e Zooparkut”. Maturanti Arlind Kamberi, i cili kishte shkruar për “Arkipelagu Spiritus” (romanin e botuar nga Toena në vitin 2014), ndër të tjera solli këtë fragment: “Ky guvernatori ynë ka nisur të bëhet më amerikan se amerikanët.

Çdo ditë flet për idealizëm dhe çdo orë punon si pragmatist.” Më pëlqeu, rrëfeu maturanti, dhe ia lexova me zë babait. Edhe babait i pëlqeu, madje kushedi përse, vuri buzën në gaz menjëherë.

Maturantët ishin të aftë të dëgjonin e të asimilonin, por dinin gjithashtu të pyesnin, prandaj dhe të hynin në dialog. Çfarë temperature shpirtërore u krijua gjatë dy orëve, a thua se ishim dashur më së pari në distancë. Pa duartrokitje. Si të kishim bërë marrëveshje paraprake, pa asnjë duartrokitje.

Vetëm shkëmbim dialogjesh dhe shenjash të mirënjohjes. Të mirënjohjes së ndërsjelltë, patjetër. Sepse kishte çaste që vegimi dhe realja sikur bëheshin bashkë. Si në rastin kur nxënësja Iris Mesi më dhuroi portretin, që e kishte skicuar gjithë përkushtim me dorën e vet.

Si në rastin kur u lexua poezia që më kushtohej, nga e cila m’u fiksua një varg, një varg që vetëm Zoti e di si i kishte ardhur në mend autores: “Je njerëzori, i bukuri i popullit tënd.” E çfarë të them unë tash për ju, se ju ta shafisni edhe trurin?! Jo, jo, bukurinë e gjeta aty, mes rinisë, rinisë ku buçet jeta dhe shpresa, dhembja e bekimi i Shqipërisë!

Tri mësuese kishin bashkëpunuar për takimin: nismëtare mësuesja e letërsisë Mimoza Keçi, mësuesja e gjuhës Junilda Beu, mësuesja e historisë Orikela Ndreçka. Nxënësit mund të mblidhen për takim, edhe sikur atë ta urdhërojë një mësuese e vetme. Por as tridhjetë mësuese bashkë nuk mund të krijojnë një atmosferë të tillë, nëse nxënësit nuk i urdhëron gjithashtu edhe zemra e tyre. Për ndryshe, do të ndihet ftohtësia, pëshpëshet, hundebuza, madje edhe hiletë e “sabotimet” e moshës.

Ah, ndjesë! Mos pati duartrokitje, kur drejtoresha e shkollës më dorëzoi Çertifikatën e Mirënjohjes? Apo kur unë “harraqi” dola i njohur me zonjën Mirela Berisha? Ajo tha se e kishte lexuar para ’90-s romanin “Gjaku i dallëndyshes” dhe se ishim njohur gjithashtu në një takim tjetër letrar, kur drejtonte gjimanzin “Qemal Stafa”.

Sado që gjuha e vlerësimit ishte tepër profesionale, prandaj dhe më kënaqi, nuk po e them motivacionin e Çertifikatës. Por po them çfarë u çertifikua në zemrën time, kur fola: “Po e konsideroj si një Dëftesë të re të Maturës, të cilën e rimora në shkollën tuaj. Shoqe e shokë të mi, miqtë e mi, ndoshta ne kemi me u dashtë tanë jetën. Por sa të jem gjallë, më doni ma pak, se kam me ju dashtë ma shumë… Ju falem dhe për të mirë u pafshim!”

VO! Shkrimtari Ernest Koliqi, në kohën e tij, e kishte shumë merak hapjen e shkollave shqipe, çka e bëri sidomos në Kosovë. Rri i qetë, koleg, shkolla që mban emrin tënd më dha modelin e cilësisë. Aty gjeta edhe shumë kampionë të olimpiadave kombëtare e ndërkombëtare, konkurseve për letërsinë eseistike, matematikën, etj.

LEXO EDHE: ZIJA ÇELA: SHPIRTRAT QË DUHEN NJË DITË BËHEN BASHKË…