Zija Çela: Mirë se vjen, zoti emigrant!

Nga Zija Çela

U habita kur pashë se avioni u ngrit nga pista, teksa në bord ndodheshim vetëm tre veta, unë, ime shoqe dhe bija jonë katër vjeçe.

M’u kujtua se, kur preva biletat online, nga agjencia u pyeta përse me një drejtim, vajtje pa kthim. U përgjigja se i kisha dhënë fund emigrimit dhe se po kthehesha përfundimisht në vendin tim. Madje, gjithë sa kisha pasur bagazhe të mëdha i kisha nisur me kamionçinë, ndërsa ne do të udhëtonim me valixhe dore.

Sapo desha ta pyesja stuardesën për këtë çudi, ime shoqe m’u kthye: “Ç’është kjo kurreshtje e tepërt?! E ç’të duhet ty përse nuk ka njerëz në bord?! Po sikur avioni të transportojë ndonjë ngarkesë sekrete, fjala vjen, mbetje bërthamore?!” Ndoshta kishte të drejtë, prandaj nuk fola.

Por habia më ndoqi edhe kur zbritëm. Me të na parë ashtu familjarisht, ende pa na i vulosur pasaportat, nëpunësi doli nga kabina për të na dhënë mirëseardhjen.

Në çast më zgjati telefonin e tij, rrëmbeu vogëlushen hopa dhe, duke buzëqeshur gjithë ngazëllim, më kërkoi ta filmoja e ta fotografoja. Pastaj, po vetë, na shoqëroi deri në tremën e jashtme, ku na gjeti edhe makinë fringo për në kryeqytet.

Ec e ec, habia ime nuk po më shqitej, përkundrazi. Si është e mundur që autostrada të jetë kaq e shkretë? bluaja me vete. Nga Zogu i Zi e deri në qendër u mundova t’i numëroja kalimtarët, por s’po i besoja vetes. Numërimi më nxori diçka më tepër se gishtat e një dore, diçka më pak se gishtat e të dyjave. Mos më pengonte ndriçimi i dobët?! Mos isha verbuar, mos kisha luajtur nga fiqiri?!

Ngaqë e ndjeu padurimin tim, ime shoqe e rëndoi çehren, duke u bërë sy e vetull. Megjithatë, kësaj here nuk u mposhta. Por, për të qenë sa më i kujdesshëm, shmanga pyetjet që më vorbullonin në krye dhe zgjodha një lavdërim.

– Fort i sjellshëm ai nëpunësi i aeroportit, – i thashë shoferit.

– Zoti Seriani? – murmuriti ai. – Po, po, i edukuar dhe i njerëzishëm sa të duash. Nuk është më kot Ministër i Mirëqenies Sociale!

Shkëmbeva një vështrim me gruan, për të verifikuar veshët e mi. Por tani shprehte habi edhe fytyra e saj. Jepi, fol, ç’pret ende, sikur po më thoshte. Dhe unë menjëherë pyeta, ku janë njerëzit, ku? Kanë ikur, tha shoferi. Vit pas viti i gëlltiti emigracioni.

Ata pak që kanë mbetur, i mbajmë në punët nevralgjike, elektriku, ujësjellësi, një pavion spitalor, ca shitore ushqimesh, një shkollë e përgjithshme dhe një togë e shërbimit policor. S’ka më Qendra rinie, as universitete. Në atë moshë, thua se nuk janë njerëz por shpendë që u dalin krahët, të rinjtë e braktisin folenë e vendlindjes.

Por, ama, edhe qeverinë e kemi reformuar në maksimumin e mundshëm. Tani mbajmë një qeveri të vogël, kemi vetëm njëzet e tre ministra dhe jo më tepër se gjashtëdhjetë zëvendës. Kurse Parlamenti, mos e pyet, parlamenti është katandisur me njëqind e tridhjetë e gjashtë deputetë. E marr me mend, me siguri jeni çuditur, ç’është ky udhëtim me avionin bosh?

Si ia mbaka xhepi kompanisë ajrore? Por ka një përgjigje. Sa herë që një emigranti i mbushet mendja për t’u kthyer përfundimisht, e financon shteti ynë kompaninë.

Po të mos kryhet kthimi shpejt, emigranti mund të ndërrojë mendje, çka është dështim për Programin tonë “Shpëtimi i Brezit të Shkretëtirës”.

Megjithëse ia kishim dhënë adresën e shtëpisë, Mercedesi elektrik mori rrugë tjetër. Pse djallin kështu!

– Mbaje, mbaje makinën, shofer! – thirra i nervozuar, duke nxjerrë portofolin për pagesën.

Ai buzëqeshi lehtë dhe, duke ruajtur gjakftohtësinë, më bëri me dije:

– Unë nuk jam shofer taksie, unë jam Ministri i Transportit. Tani po shkojmë në Kryeministri. Sapo kthehet ndonjë familje, Kryeministri dëshiron ta përshendesë. Dhe me të drejtë, zotëri, sepse ardhja juaj na motivon. Ndryshe përse e mbajmë qeverinë atëherë, kë qeveris ajo në këtë vend?!

Në Shëtitoren Dëshmorët e Kombit ndihej po ajo zbrazëti mishngrënëse, po ajo heshtje e fikët, si nemitja e frikshme mes dunave ranore. Në të vërtetë, diç kisha lexuar për Brezin e Shkretëtirës. Me sa më kujtohej, kishin qenë të gjithë ata që e ndoqën Moisiun dunë pas dune, por që ndërruan jetë pa arritur në Tokën e Premtuar. Mua tani më mundonte një brengë, veçmas një brengë. Cilit brez do t’i përkiste bija ime?

Isha kaq i tronditur, sa më dukej sikur e kisha humbur sensin e kohës. Më nëpërmendej disi ç’ditë dhe ç’datë ishte. Kur desha të dija edhe vitin, ora ime inteligjente ma lexoi mendimin. Në fushën elektronike u ravijëzua numri kalendarik me katër shifra. Por drita e projektorit, atij projektorit që më binte nga sipër me një iluminishencë të pazakontë, më pengoi ta lexoja saktësisht.

(Nga libri “Thika pa gjak”)

Zija Çela, Thikë pa gjak

ObserverKult


zija çela

Lexo edhe:

ZIJA ÇELA NA FTON PËR NJË REFLEKTIM TË THELLË, PËR TË DËGJUAR ZËRIN E ARSYES…

(Shënime për romanin “Banka e ankesave” të Zija Çelës)

Nga Agim Baçi

Klithma jonë e brendshme mund të arrijë kulmin e thirrjes kur fytyra e vdekjes dhe dashurisë kthehet thjesht në një proces teknik, me data, me riformulim ankese, me orar pritje, por pa “zërin e njeriut”.

Rrëfimi i Zija Çelës në romanin “Banka e ankesave” është rrezatim i një urtie dhe një elegance në përpjekjen për të identifikuar pikërisht humbjen e shpirtit njerëzor, në një botë ku mund të kesh kujdesin ndaj teje kur je për t’u ankuar, për të përmirësuar ankesën, por jo për t’u kuptuar dhe për të të kuptuar.

Rrëfim vjen përmes përshkrimit të pasojave që shkakton te ne labirinthi mekanik i burokracisë, ku njeriut i konsiderohet si procedurë jo vetëm ajo që bën dhe kërkon, por sidomos i asaj që dëshiron.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult