Zija Çela: Pak nga pak… ranë në dashuri…

zija çela
Zija Çela

Nga Zija Çela

Si çdo njohje, edhe ajo e pati fillimin e saj. E solli rasti në avion. I ruajtën lidhjet dhe, pak nga pak, ranë në dashuri.

Meqë nuk bënin pa njëri-tjetrin, takoheshin herë pas here. Izabela Leonardo Bonaluna nisej nga Roma dhe Rajmond Fransua Golard nga Parisi, për t’u bërë bashkë në Vienë. Gruaja ishte 19 vjet më e re.

Me kalimin e kohës takimet po rralloheshin, derisa u ndërprenë. Në moshën 82-vjeçare ai i kërkoi të takoheshin për finalen. Po në Vienë, po në atë hotel. Nuk ia fshehu, kishte gjashtë vjet pa bërë seks. Nëse sonte ia arrij, tha buzagaz, shpresoj të më shtohet jeta me gjashtë vjet. Pas tij qeshi edhe Izabela. Por e siguroi se do t’ia arrinte, pilulat i kishin me vete.

Ranë bashkë në krevat. U deshën dhe arritën ta bënin dy herë, me një pushim të zgjatur ndërmjet. Herën e dytë, sado pa ndonjë ereksion të fortë, ajo u kujtua për bastin e tij…

Tashmë, tha duke qeshur sërish, bonusi i jetës nuk është gjashtë, por dy herë gjashtë. Po bënte shaka? Ia ndiente zemra? Dhe çfarë kishte në mendje, nga gjashtë për secilin?!..
Vonë, mbasi kaloi mesnata, i zuri gjumi.

Në mëngjes, me një zë të alarmuar por pa mundur ta fshihte llahtarin, ai i telefonoi policisë për t’i thënë se kishte fjetur me një të vdekur. Për aq sa rrojti, Rajmond Fransua Golardi pati gjithnjë një brengë.

Brengën që ndaj së dashurës ishte treguar egoist dhe tinzar, pasi nën zë ato dymbëdhjetë vjetët e bonusit ia kishte taksur vetes. “Të paktën gjysmën e duzinës t’ia kisha blatuar asaj”, bënte gjyq i penduar.

Në moshën tetëdhjetë e pesë vjeçare, ditën që e ndjeu fundin, iu fashit disi edhe brenga. Ai besoi se, në krahasim me të dashurën, megjithatë ishte treguar më bujar, pasi me gjasë Izabela i kishte taksur vetëm çerekun.

*Titulli i origjinalit: “Basti final”

ObserverKult


Lexo edhe:

ZIJA ÇELA: ME KËMBËT E MIA PO SHKOJ VETË NË VARREZA…