Zija Çela: U kënaqëm, sepse u deshëm…

zija çela
Zija Çela

Me studentë të Universitetit Qiriazi –


Tash i them vetes, po sikur ato mëdyshjet që më erdhën në çast të bëheshin zotëruese dhe të më ktheheshin në ndalesë?! Sepse nuk ishin pyetje pa peshë: Si t’ia bëj unë me këtë lëmsh trazimesh që kam përbrenda? Po Covidi dhe ruajtja nga kontaktet? Po dita e dëshiruar e punës në studio? Po dimri me të ftohtin që ka nisur?…

E prapë, mbas rezultatit, tash i them vetes: Po unë do ta kisha hak të më vriste Zoti nëse, i ftuar ngrohtësisht prej tyre, nuk do të shkoja mes studentëve të Universitetit Qiriazi!

Anëtarët e Klubit të Librit, që atje gjallon prej tri vjetësh, kishin dalë të më prisnin në holl, ku ishte ekspozuar edhe posteri i takimit. Kishin lexuar librin “Thika pa gjak”, botuar këtë vit nga Onufri.

Por ne folëm për “thikat” në përgjithësi, ato pa gjak e me gjak. Ne përfshimë tema të mprehta, sepse bashkëbiseduam për Bankën e Jetës, për numrin e llogarisë që ka çdo njeri në atë bankë, mënyrën e administrimit të kësaj hiperpasurie; folëm per rininë, nevojën e arsimimit dhe projektimit të perspektivës; folëm per energjinë e veprimit, forcën e saj tërheqëse, e cila vërtet nuk të çon në hënë, por të çon tek ylli yt i bukur e tokësor, domethenë, tek shndërrimi i ëndrrave në realitet të prekshëm jetësor.

Tash po ju pyes ju, Armela Drapi (drejtuesja e re e klubit), Eldis Arrnjeti, Xhon Omeri, Manjola Domi, Enkeleda Lika, Dajana Gjoka, tash po i pyes tërë të pranishmit, lexues e miq rishtarë, përse në fund të gjithë një fjalë perserisnim: U kënaqëm, u kënaqëm! Dhe po të gjithë nënkuptonim të njëjtën përgjigje, një përgjigje të vockël vetëm me dy fjalë: “Sepse u deshëm.”

Se sa vjeçarë jeni ju, merret lehtë me mend. Por nuk e di përse, thua se nuk po i besoja më kalendarit, andej nga fundi më vinte të pyesja veten: Po unë, unë sa vjeç jam?! E kështu pra, sado që një ditë do të ketë Lamtumirë, deri atëherë Mirupafshim.

Sa shpesh dhe sa shumë ankesa shprehim ndaj të rinjve. Nuk dua ta bëj hiç konfliktin e njohur të brezave. Dua vetem të theksoj në cilën fashë merret kampioni dhe sa tregon sahati i laboratorit, ku bëhet analiza. Sepse e tillë është jeta, ndërsa për shumë prej nesh po bie mbrëmja, për shumë e shumë të tjerë sapo ka nisur mëngjesi. Dhe këta kanë përpara një ditë të tërë, një ditë të papërsëritshme, të kthjelltë e të vrenjtur njëkohësisht, por gjithsesi tepër ndjellëse, të vrullshme e fringo të re, të re si vetë mosha e tyre e rinisë. Me duket se, me një kafe përpara mbas takimit, kjo temë u hap me Lindën, Nardin e Liridonin.

————————————————

LEXO EDHE: ZIJA ÇELA PËR HUMBJEN E DJALIT TË VETËM: IU DREJTOVA ZOTIT, MERRE MEQË E DASHKE KAQ SHUMË