Nga Zija Çela
Zoti më ndjeftë, por nuk jam i gatshëm për gjumin e përjetshëm, pa e njohur deri në fund Dashuninë Njerëzore, pa lexuar ende disa Libra të Mirë dhe pa e parë sërish Diellin E Detin këtej dhe përtej.
As dua të di nëse kam marrë sa kam dhënë, por di se kam prapë për të dhënë. Mbi gjithçka dashuni. Sepse dashunia, fuqia e vetme që mund ta bashkojë në empati njerëzimin, është e qarkullueshme si energjia.
Veçse gjithnjë mbetet e mangët nëpër zemra e nëpër libra, ngaqë në përmasa ia kalon edhe vetë planetit. Dashunia është caktim i Zotit, ajo shprehet si vetëdije edhe në mbarë universin, çka e dëshmon më së miri harmonia kozmike përkundër kaosit.
PJERIN NDEKA: Parathania jote, Zija Çela, asht nji poezi. Janë të rrallë shkrimtarët e njoftun që shkruejnë me aq dashni e ashk për veprën e nji shkrimtari tjetër. Simbas besimit tem, në nji jetë paralele, ti miku jem do të ishe nji françeskan shumë i dashtun, jo vetëm për besimtarët tuej, por për gjithkënd që të njef. Nuk due me u hi simpative o antipative personale për autorin e analizuem, por për ty asht e lejueshme vetëm simpatia e dashnia së bashku me talentin tand.
Të due fort. Të dielën e mbrapa jam në Shkodër për tri javë. Në paç kohë e dëshirë, për mue do t’ishte knaqsi me kenë mikpritsi yt.
PETRO ZHEJI: E dini si shkruan Zija Çela? Ai merr shtizën dhe e godet fort njeriun, por kur maja i shkon te gjoksi, ajo lakohet, kështu që nuk e shpon tejpërtej, vetëm e rrëzon përtokë. Pastaj i zgjat dorën dhe i jep mundësi të ngrihet prapë më këmbë, sepse autori ka DASHNINE NJEREZORE. Veçse në këtë çast e ka paralajmëruar atë, e sheh pra se çfarë mund të të bëj, kujdes herë tjetër!…
*Titulli i origjinalit: “SI ENERGJIA QARKULLON DASHUNIA…”
2022
Lexo edhe: