Zija Vukaj: Në paradhomën e poetit Mjeda

Zija Vukaj

Kulturologji: Në paradhomën e POETIT Mjeda

(Akoma jemi në paradhomë – pothuajse krejt i pastudiuar si poet)
Nga Zija Vukaj

Për të kuptuar poetët tanë të traditës, duhet të vështrojmë në burimet e tyre të frymëzimit dhe të vëzhgojmë mjeshtrat nga u frymëzuan, për ta përsosur artin e tyre poetik.
Ndre Mjeda është i vetmi poet shqiptar, që meriton të quhet neoklasik. Talentit të tij të pazakontë iu bashkua erudicioni i një individi faustian dhe ndikimi i korifejve të neoklasicizmit italian e më gjerë.
Kur lexon kumbimet muzikore të simfonive poetike të Mjedës, padashur të jehojnë këto mendime të poetit kombëtar (vate nazionale) Gabriele d’Annunzio mbi vargun poetik:

“Një varg i përsosur është absolut, i patjetërsueshëm, i pavdekshëm; mban në vete fjalët me një ndërlidhje diamanti; e mbyll mendimin si në një rreth preciz, që asnjë forcë më nuk arrin ta thyejë; bëhet i pavarur ndaj çdo lidhjeje e çdo sundimi; nuk i përket më mjeshtrit, por është i të gjithëve dhe i askujt, si hapësira, si drita, si gjërat imanente e të përjetshme. Një mendim i shprehur saktësisht në një varg të përsosur është një “mendim i paraformuar” në thellësinë e errët të gjuhës. I nxjerrë nga poeti, vazhdon të ekzistojë në ndërgjegjen e njerëzve. Poeti më i madh është, pra, ai që di të zbulojë, të zhvillojë, të nxjerrë një numër më të madh të këtyre paraformimeve ideale. Kur poeti është pranë zbulimit të një prej të tilla vargjeve të përjetshme, është i paralajmëruar nga një rrëke hyjnore gëzimi, që ia pushton papritmas gjithë qenien.” (Nga romani “Kënaqësia” D’Annunzio”- përkthimi im, 2008, fq 168).

Ndërsa Mjeda bashkon me një guxim të frikshëm tri arte bashkë: poezinë, muzikën dhe pikturën; dhe ja, nga “Andrra e jetës”; një diktat ritmik i destinuar për një lexues me vesh të brendshëm muzikor; gjithçka e intonuar, gjithçka e vendosur në tonalitetin përkatës. Për ta interpretuar duhet doemos pentagrami dhe tri duar: dora e poetit, e piktorit dhe e muzikologut.

“E kandshme asht hana,
kur del me zana,
e n’tokë me dritë përndaret.
hyjzit që shndrisin
e që shetisin
n’për qiell janë t’bukur faret

kur del agimi
e rruzullimi
me j’dritë kuqloshe mblohet
e përmbi kashta
shndrit’ pika lashta
zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi
kur ndihet shpendi
ndër pyje tuj pigrue;
e knaqshma a j’lule
kur ju përkule
o fllad i leht me e lmue

Por s’i ngjet qielli,
nuk i ngjet prilli
as fllad që shëtit lulet
e me erna veshet,
foshnjës që i qeshet
nanës, kur mbi të përkulet.

ObserverKult

_______________________

Kliko edhe:

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN ZIJA VUKAJ (VIDEO)