Zona turistike e Tales në Lezhë, pasuri që duhet mbrojtur

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke e cilësuar zonën e Tales në Lezhë një festival turistik tha se “kjo pasuri duhet mbrojtur, por duhet përmirësuar dhe infrastruktura, që kjo pasuri mbarëkombëtare t’i afrohet gjithë rajonit, duke thithur sa më shumë turistë”.

Në fjalën e tij në prezantimin e Masterplanit të Bregdetit për zonën e Tales, në Lezhë që u diskutua me grupet e interesit.

“Në Tale kemi trashëgimi kulturore pafund, kemi kështjella, kemi qytete për të vizituar, kemi histori, kemi trashëgimi pasurore pafund”, – u shpreh Klosi.

Ministri u shpreh se “përfundimi i të gjithë investimeve që bëmë në rrugën e Kombit për ta bërë atë me standarde europiane. Përfundimi shumë shpejt i Rrugës së Arbrit, përfundimi i punimeve për korridorin blu janë tre investime që nuk ka asnjë dyshim që do të sjellë të gjithë rajonin në plazhin ku jemi. Pra nuk është një histori që është perspektivë për 10 vjeçarin e ardhshëm është një perspektivë që për dy tre vjet do të ndodhë. I gjithë rajoni do të ketë bregdet, bregdetin tonë”.

“Këtë vit ndarja e vijës bregdetare u bë në mënyrë shumë të strukturuar dhe pa probleme me dakordësi me kryetarin e Bashkisë. Por, ky sistem i mirëmenaxhuar do të bëjë që të kemi dhe të ardhura më të larta”, – tha Klosi duke shtuar se e rëndësishme është që të zgjedhim një model të mirë zhvillimi, jo atë që zgjodhi Shëngjini, i cili ndërtoi pallate pafund dhe më pas i ktheu në hotele.

Ministri Klosi tha se “ia dolëm të dëshmojmë që këtë pasuri që është rëra jo vetëm ta kontrollojmë jo vetëm ta kemi si simbol të paprekshmërisë, por dhe ta kuptojmë që nuk është pronë vetëm e një njeriu që e zë apo e një njeriu që thotë unë jam këtu dhe kjo është prona ime”.

“Jo kjo është pronë shtetërore është pronë kombëtare dhe duhet ta mbajmë të paprekur. Ndërkohë që ligji i ri i menaxhimit të vijës bregdetare kërkon që dhe projekte të tjera si masterplani që po bëhet për zonën e plazhit për gjithë zonën e mbuluar nga bashkia Lezhë të jetë një zonë e strukturuar, të kemi një qartësi më të madhe për mënyrën e zhvillimit por që ky zhvillim të paraprihet me investime që do t’i thonë ekspertët e infrastrukturës”, – tha Klosi.

Klosi vuri në dukje se duhet të mbrojmë rërën, duke e vlerësuar si pasuri, pasi aty nuk mund të ndërtohet më në mënyrë të paligjshme, ky tashmë është krim dhe vepër penale.

“Po ashtu duhet të vlerësojmë se cilat janë zona strikte të mbrojtura, si dhe cilat janë zonat që do të kenë zhvillim dhe çfarë zhvillimi do të kenë”, – tha Klosi/atsh