Lidhja që aktorja Edona Reshitaj ka me teatrin është e thellë. Vërehet edhe kur ngjitet në skenë si këngëtare. Qasja e saj teatrale i jep fuqi interpretimit muzikor. Kështu ishte edhe të mërkurën mbrëma në koncertin e saj recital “Zonjat e kangës”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Koncerti qe dedikim për këngëtaret Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Tefta Tashko, Fitnete Rexha, Marie Kraja, Hanife Sejfulla Reçani, Liliana Çavolli, Merita Halili, Nazmije Hoxha dhe për kompozitoren Pranvera Badivuku.
Zonjat e kangës, siç u referohet atyre Reshitaj, lanë gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqipe. Disa perla muzikore të tyre i solli edhe këngëtarja Reshitaj në koncertin e saj. U dha një ngjyrim të lehtë jazzi duke i lënë pastaj të lira. Në këtë formë stili i saj mbetet i veçantë.
E veshur me një fustan të kuq, Reshitaj fillimisht u shfaq para një pasqyre duke rregulluar grimin. Gjithçka rreth saj ishte në errësirë. Dritat ndriçonin vetëm mbi të. Pas disa sekondave, u ndezën edhe disa drita të tjera, duke zbuluar kështu anëtarët e orkestrës që e shoqëruan. Në krye të tyre ishte Visar Kuqi në kitarë akustike, që u ndoq nga Art Lokaj në kitarë elektrike, Nesim Maxhuni në bateri, Fatjon Miftari në piano/tastierë, Dukagjin Muhaxheri në saksofon, Ermal Rodi në klarinetë/saksofon tenor, Roni Gjura në kontrabas dhe Rojkard Bardhi në trumbetë. Reshitaj bëri disa hapa dhe u pozicionua në qendër të skenës. Së bashku me orkestrën e nisi mbrëmjen me këngën “Sytë për ty i kam të njomë” të Nexhmije Pagarushës.
“Numri i këtyre zonjave është shumë i madh dhe është e pamundur me i përmbledhë në një koncert por me këtë përzgjedhje që kemi bërë, është një përkushtim për të gjitha ato zonjat që ia kanë thanë këngës prej kohërave shumë të hershme deri në ditët e sotme”, ka thënë Reshitaj. “Fëmija i parë” kënduar nga Vaçe Zela qe kënga e dytë që solli.
“Një artiste e popullit, që është gjithmonë në preferencat e mia muzikore”, ka thënë Reshitaj dhe ka treguar se e ka përzgjedhur këtë këngë për arsye se kur kishte lindur fëmijën e saj të parë i ishte krijuar përshtypja se këngë ishte shkruar pikërisht për të. Koncerti vazhdoi me “Zare trëndafile” kënduar nga Tefta Tashko, “Fërfëlloi fëllanza n’ujë”, kënduar dikur nga Fitnete Rexha, “Unë ty moj të kam dashtë” kënduar nga Marie Kraja e pastaj “Zani i tij më thërret”, kënduar nga Nexhmije Pagarusha.
Reshitaj pas këngës “Zani i tij më thërret”, që nuk e ka famën e “Bareshës”, e cila edhe vulosi potencialin e Pagarushës si këngëtare, vazhdoi me këngët e tjera që kishte në repertor. Solli “Flokët e gocës” kënduar nga Hanife Sejfullahu – Reçani, “O zambaku i Prizrenit” kënduar nga Liliana Çavolli, “Doli goca në penxhere” kënduar nga Merita Halili, “Moj zogo” e “Shega guracake” kënduar nga Nazmije Hoxha. Përpunimin e këngëve që erdhën në këtë koncert e ka bërë vetë Reshitaj kurse aranzhimin e tyre Visar Kuçi.
Koncerti përfundoi me këngën “E kujtoj atë takim” kompozuar nga Pranvera Badivuku. Kjo këngë solli në skenë edhe aktore të tjera që muzikën e kanë pasion. Reshitajt iu bashkuan në skenë edhe Ilire Vinca, Shengyl Ismaili, Rebeka Qena, Semira Latifi, Qëndresa Kajtazi, Edona Sopaj, Rabije Kryeziu, Kaltrinë Zeneli e Daniela Markaj. I bëri bashkë kompozimi i viti 1974, kënduar nga këngëtarë të ndryshëm ndër vite. Por që për herë të parë e solli Esat Bicurri, i cili është ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe në vitin 1999. Badivuku e cila ishte e pranishme në koncert ka thënë se e ka lumturuar fakti se kënga e saj është bërë pjesë e programit./koha