Zoran Žmirić: Arkipelagu Jugosllavi

Jam ulur pёr tё pirё kafe me Liamin, i cili dredh dhe lёpin me shkaktёsi njё cigare, e ndez, nxjerr tymin dhe thotё: „E kam lexuar njё kapitull tё romanit tёnd. Pёrkthim i mrekullueshёm. Pёndryshe, a shkruan ti libra horor?“ Galway dhe Rijeka ishin kryeqytetet e kulturёs nё vitin 2020 dhe e gjithё kjo mё bёri qё tё takoj njё nga njerёzit mё aktivё nga skena e artit irlandez. Liam ёshtё kitarist fingerstyle, piktor dhe poet, dhe gjatё vizitёs time tё shkurtёr nё Galway ishte mikpritёs dhe udhёrrёfues i im. Nuk kam zgjidhje tjetёr, do tё bёj mё tё mirёn time edhe pse tashmё e shoh qё nuk do tё ketё asgjё nga kjo histori. Edhe pse tё afёrt nё brez dhe preferenca, e kam tё qartё se nuk do tё kuptojmё njёri-tjetrin, e arsyeja nuk ёshtё pёr shkak tё anglishtes sime modeste dhe as theksit tё tij tё rёndё gaelik.“Nuk ёshtё horor“, i them Liamit. „Ky ёshtё realiteti ballkanik.“ Ka habi dhe trishtim nё sytё e Liamit, dhe pas asaj shtrese tё parё shoh njё lexues barkodi qё pёrpiqet tё kapё tё paktёn njё aluzion tё sarkazmёs sime. Por nuk e gjen, ndaj thotё me qetёsi, si me vete: „For fock sake.“ Sharja e sinqertё, e rrёmbyer aksidentalisht e Liamit mё thotё se trauma ballkanike do tё pёrjetёsohet pafundёsisht dhe pёr kёtё shkak kurrё nuk do tё gjejmё ngushёllim jashtё asaj hapёsire tё mbyllur. Edhe pse ai nuk ёshtё i vetёdijshёm pёr kёtё, e konfirmon edhe vetё kur thotё: „Po, trauma e luftёs ёshtё e tmerrshme“. Nuk kuptohemi dhe as qё mund tё kuptohemi, por gjithssesi marr pёrsipёr t’ia shpjegoj ҫёshtjen. Jo pёr shkak tё tij, por thjesht pёr arsye egoiste, sepse disi e kam mё tё lehtё ta them edhe njё herё.

Dhe mё kujtohet saktёsisht kur filloi trauma. Kurrsesi ashtu siҫ thotё dikush i huaj si Liam, i cili aq shpejt e nxjerri si pёrfundim. Nuk bёhet fjalё pёr njё traumё qё ka sjellё me vete dikush me pёrvojё lufte. Por bёhet fjalё pёr traumё, tё cilёn njeriut ia ka krijuar mjedisi, nё tё cilin ai mundohet tё jetojё sёrish normalisht pas luftёs. Mё kujtohet edhe momenti kur shkova nё luftё. Rrinim nё klubin Palach, pinim birra dhe dёgjonim rock. Lajmet filluan nё TV, rebelёt serbё tё armatosur ua kishin bllokuar ujin e pijshёm reparteve tё Shtёpisё pёr Sёmundje Mendore nё Vrlicё. Ne shikuam njёri-tjetrin dhe dikush tha: „Kёta nuk janё normalё, nuk do tё ndalen derisa tё realizojnё atё qё synojnё“. Nuk e kisha tё qartё se ҫfarё synonin saktёsisht, por e dija se dikush duhet patjetёr t’i kundёrvihet kёsaj vakie. Dikush qё tashmё dinte t’u kundёrvihej kur dhe kur nuk ishte e nevojshme. Dikush qё dinte tё futej nё telashe dhe t’i ndante palёt e pёrfshira nё rrahje, pa e ditur kush dhe pse e filloi sherrin, dikush qё zihej me fёmijёt nё shkollё kur talleshin me romёt dhe shqiptarёt nё klasё, dikush si unё.

Shenja e parё e traumёs ishte frustrimi. Erdhёm nё fushёn e betejёs ku komandanti na tha qё ta ruanim plumbin e fundit pёr vete. Kjo pёr mua ishte qesharake, pothuajse nё nivelin e njё klisheje filmi. Por mё pas filloi historia pёr diҫka qё ishte e njohur pёr mua dhe aspak naive. Na shpjeguan se ne aty ishim pёr tё mbrojtur kufijtё shtetёror, demokracinё, mbijetesёn, ёndrrёn shekullore dhe diҫka tjetёr qё nuk e mora vesh deri nё fund. Mua as qё ma ndiente pёr shtetin, si pёr atё tё dikurshmin ashtu edhe pёr kёtё tё sapoformuarin, njashtu edhe pёr ndonjё shtet tё tretё nёse nesёr ndokush na zgjedh qё tё jetojmё nё tё. Tekefundit, unё jam nga Rijeka, njё qytet qё ka ndёrruar nёntё shtete nё mё pak se njёqind vjet. Tё dalldisesh pёr shkak se e ke kuptuar se je duke jetuar nё njё nga ato shtetet pёr tё cilin politikanёt kanё rёnё dakord, mua mё vjen keq, ama unё nuk e kuptoj atё koncept. Pёr kёtё arsye kufijtё nuk i pёrjetoj ndryshe veҫ si kthesa nga atlasi, sot kёshtu, nesёr kushedi se ҫfarё.

Fjalimi i mirёseardhjes ma kujtoi Ivanin, dajёn tim, i cili shkoi nё luftё nё vitin 1942 kur ishte katёrmbёdhjetё vjeҫ. Italianёt ua vunё zjarrin fshatrave njё nga njё, dhe kur iu afruan fshatit tё tij, ai me moshatarёt e tij dhe me disa mё tё vjetёr morёn sfurqet dhe ua mёsyn atyre. Pas aksionit tё suksesshёm, partizanёt shpejt e grupuan dhe e disiplinuan atё dhe tё tjerёt nga fshati i tij, dhe ua shpjeguan se lufta e tyre pёr njё jetё tё zhveshur ishte nё thelb e motivuar nga prishja e sistemit ekzistues dhe synonte krijimin e njё bote mё tё mirё. Daja im nuk e dinte se ҫfarё do tё thoshte lufta e klasave dhe revolucioni botёror, ai kurrё nuk kishte dёgjuar pёr Marksin dhe Leninin, aq mё pak pёr socializmin. Atij i interesonte t’i dёrgonte fashistёt atje nga kishin ardhur dhe ai t’i kthehej rutinёs sё tij. Mendoja pёr kёtё, ndёrsa oficeri pёrballё ne tundte frazat me vetёbesim dhe nё njёfarё mёnyre tё sёmurё admiroja aftёsinё e tij oratorike, e cila, megjithatё, u zhduk pa lёnё gjurmё kur e pashё nё TV njё dekadё mё vonё, se si heshtte zёshёm pёrpara Tribunalit tё Hagёs. Por mё pas, pёrballё tij, e lidha pёrvojёn time me pёrvojёn e dajёs tim, Ivanit, i lidha ato dy pika nё kohё, dhe pothuajse nё tё njёjtёn hapёsirё, dhe ndjeva se diҫka nuk ishte nё rregull dhe nuk pёrputhej.

Nuk kam luftuar pёr vendin qё nuk e dua, por nuk e dua vendin pёr tё cilin kam luftuar

Ajo erё e mospёrputhjes u intensifikua kur u qetёsua mjegulla. Nuk dola pёr njё vit nga banesa pas terapisё nё spital. Gjatё asaj kohe, aty-kёtu, mё vinte dikush nga njёsia, dhe mё thoshin tё mos merakosem dhe se do tё mё rregullojnё njё pension mё tё mirё se ky qё kam merituar. Unё nuk merakosesha, sepse pensionin as qё e doja. Doja tё ktheja rutinёn time, jetёn time. Por, duke menduar se po mё bёjnё nder, ata vazhdimisht mё thoshin se do t’i shtojnё diҫka mё shumё invaliditetit tim ekzistues, duke shkruar se prapё jam plagosur nё njё aksion qё ka ndodhur pas largimit tim nga ushtria, mё thoshin se ata njohin njerёz, dhe se miqtё nuk i lёnё nё baltё. Mendoja se dikush pёrnjёmend po mё vlerёsonte shumё pasi qё qenka i gatshёm tё gёnjente, nё mёnyrё qё tё ma lehtёsonte jetёn pas kthimit nga fusha e betejёs. Por sa mё shumё qё rezistoja aq mё shumё ata kёmbёngulnin sa qё kёmbёngulja e tyre pёrfundimisht u kthye nё agresion. Pastaj mё nё fund e kuptova. Ata nuk e bёnin kёtё punё pёr mua, por pёr veten e tyre. U formua njё grup i ri njerёzish tё privilegjuar, nё tё cilin numri ishte njё faktor i rёndёsishёm. Ata donin privilegje, statuse tё heroit dhe gjithҫa qё shkon me tё. Duke e kuptuar kёtё, i thamё lamtumirё njёri-tjetrit pёrgjithmonё, ndёrsa unё nga njё ҫun me flokё tё gjatё me xhaketё lёkure, stil pankerёsh, qё kishte ardhur pёr tё luftuar pёr mbijetesё pёr ta u bёra dikush qё urren vendin e vet. Por e vёrteta ёshtё disi ndryshe; nuk kam luftuar unё pёr vendin qё nuk e dua, ama nuk e dua vendin pёr tё cilin kam luftuar. Ky ndryshim nё tё menduarit tim mund t’i atribuohet vetёm devijuesve qё shfrytёzuan luftёn si njё platformё fillestare pёr pёrfitime personale. Njё ekip qё bindi veten dhe mё pas tё gjithё rreth vetes, se ai ishte i veҫantё pёr shkak tё pjesёmarrjes sё tij nё luftё. Se si duhet t’u ngrihen pёrmendore dhe t’u japin privilegje sa janё gjallё, dhe nё mesin e tyre ёshtё njё kastё e veҫantё e atyre qё mezi e prisnin kaosin, qё i gёzoheshin dhunёs dhe qё pёrfituan nga vuajtjet e dikujt tjetёr. Pёr shkak tё tyre, sot ёshtё turp pёr kёdo qё ka kaluar pёrvojёn e luftёs dhe pavarёsisht gjithҫkaje ka ruajtur njerёzillёkun tё thotё se ka qenё fare nё luftё. Pёr njerёzit normalё, ata janё njё traumё mё e madhe se vetё lufta. Mё vjen keq pёr kёdo qё nuk e kupton kёtё.

Por kёta njerёz nuk janё mё tё kёqinjtё nё librin tonё me figura horor nё Ballkan. Gjёja mё e keqe ёshtё se ato pёrshtaten nё mёnyrё tё pёrkryer ku jetojmё sot. Nё kёtё shtet nuk vlerёsohet kompetenca dhe pёrparёsi i jepet aktivizmit politik me shenjё kombёtare dhe kjo ёshtё e pranishme nё tё gjitha nivelet. Po tё ishte kjo e dukshme vetёm nё politikёn e lartё, do tё ishte njё lajm i mrekullueshёm, sepse kjo do tё nёnkuptonte se gjithҫka funksionon nё formё piramidale, nga lart-poshtё. Por ёshtё krejt e kundёrta. Tё gjithё elementёt jetik tё shtetit, si dhe ata tё niveleve mё tё ulёta, udhёhiqen nga tё paaftёt, ama janё tё pёrshtatshёm. Tek ne shoqatat dhe klubet sportive menaxhohen mё seriozisht se shteti. Nё to ka qёllime tё pёrcaktuara qartё qё kolektivi dёshiron tё arrijё, ndёrsa politikanёt e perceptojnё shtetin si bankomat ku mund tё tёrheqin para pafundёsisht, derisa qytetarёt e thjeshtё qёndrojnё nё kёmbё dhe presin qё ndonjёrit prej tyre t’u bjerё ndonjё monedhё. Pёr ta, pёr njerёzit punёtorё dhe tё ndershёm, nuk ka asnjё pёrfitim nё atё bankomat. Pёrveҫ kёsaj, arroganca e politikanёve ёshtё e paturpshme. Ҫdo lёvizje, ҫdo deklaratё tingёllon si tallje ndaj njerёzve, si tё vishnit me kёpucё tё vdekurit dhe tё talleshit me invalidё. Dhe unё kam qenё prej kohёsh alergjik me talljet ndaj tё tjerёve. Pёr mua gjёrat janё shumё tё thjeshta; unё besoj se ёshtё detyrё e shumicёs qё tё mbrojё pakicёn, pavarёsisht nёse ajo pakicё ka orientim kombёtar, social apo seksual. Por po ndodh e kundёrta, dhe kjo ёshtё njё traumё qё ka zgjatur nё Kroaci shumё mё gjatё se lufta.

Unё nuk kam fjetur pёr dhjetё vjet

Liam i dёgjon tё gjitha kёto nё njё pub nё Galway, tund kokёn dhe nuk e di nёse po e pёrdor si peng pёr tё praktikuar imagjinatёn time dhe pёr ndonjё dialog tё ardhshёm tё njё prej romaneve tё mi tё ardhshёm, apo se kёtu nё Europё, jo larg vendit tё tij, ka ndodhur dhe po ndodh diҫka qё pёr mendjen e tij ёshtё e pakuptueshme.

„A ke vrarё?“ mё pyet, mё pas kafshon buzёn kёrkon falje, duke shtuar se ish-ushtarёve nuk u bёhet njё pyetje e tillё, ndёrsa unё e shikoj dhe kujtoj miqtё e mi qё vranё veten edhe pse nё luftё nuk e shkrepёn asnjё plumb. Unë i flas atij për këtë. Ata që nuk vranë veten, pinin ilaҫe bashkë me alkool dhe kështu të paktën për një moment në një zonë rehatie të përkohshme dhe aty shpejt u shuan. E pashë se ku po të ҫonte kjo dhe vendosa të mësoja nga gabimet e tyre. Pas luftës, nuk piva asnjë pikë, duke kërkuar mënyrën time për të riorganizuar veten. Nuk ishte lehtë, sidomos natën. Unë nuk kam fjetur për dhjetë vjet. Jo se nuk doja. Ҫdo natë vishja pizhamet dhe shkoja në shtrat me të njëjtin synim, por aty mendja me nxehej deri në marrëzi. Lexoja tekste të mërzitshme dhe shikoja program televiziv të natës, të gjitha këto i bëja për t’u lodhur, por lodhja nuk mjaftonte. Dhjetë minuta gjumë ҫdo dy orë ishte maksimumi që mund të bëja. Atëherë fillova të shkruaj. Histori të njerëzve të zakonshëm me jetë të zakonshme, asgjë interesante, ama mua më mjaftonte të qetësohesha. Nuk më ka shkuar ndërmend të shkruaja për luftën. U ndava nga lufta dhe nuk kisha asgjë për të thënë për të. Por sa herë që mendoja se kisha gjetur paqen, ngrija kokën, shikoja përreth dhe shihja baltishtë. Morale, shpirtërore dhe turlifare. Një realitet i përҫudnuar po ndodhte pas shpinës sime. Lufta ishte ende temë, kryesisht si një justifikim për krimin. Për të kuptuar kotësinë e kthimit në të kaluarën, duhet theksuar se viti 1990 është aq larg nga sot sa është viti 2050 në të ardhmen, dhe po bëhet gjithnjë e më qartë se ky vend nuk është krijuar për të pasur një të ardhme, por për të pasur të ardhme hajdutët dhe familjet e tyre. Zhgënjimi u rrit derisa u bë i padurueshëm, derisa kuptova se ishte koha që edhe unë të tregoja versionin tim të historisë së luftës. Ta them o ta shkruaj.

Në fund shkrova dy romane për luftën. Ose më mirë të them, kundër saj. Ua dhurova edhe një përmbledhje me poezi ku ҫdo poezi fillon me simbolin e kryqit të trefishtë, të cilin besimtarët e nderojnë përpara se të lexojnë ungjillin, dhe kur duan të balancojnë mendimet, fjalët dhe zemrën. Vetëm se në atë ungjill nga plumbi nuk ka asnjë lajm të mirë dhe asnjë fjali nuk është shkruar me shkronjë të madhe, sepse në luftë nuk ka asgjë të hairit për t’u lavdëruar. Sot, unë jam më i njohur si shkrimtar bash për shkak tё shkrimeve mbi luftën. Nëse emri im nuk do të thotë shumë për dikë, kur i dëgjojnë titujt e romaneve, thonë: „Po, e di“. Titulli i veprës ia kalonte emrit të autorit, kjo është diҫka për të cilën përpiqet ҫdo shkrimtar. Kjo është e natyrshme, ti je shërbëtor i fjalës, e konsideron më të mirë se veten, i afrohesh me përulësi dhe para se ta shkruash e falënderon. Ia puth pëllëmbën dhe i thua: „Faleminderit që më zgjodhe mua“. Por pavarësisht kësaj, nuk i jam i lumtur për këtë. Nuk e kam dashur kurrë këtë. Po, doja të shkruaja, mendoj se një gjë e tillë është edhe te tё tjerët që gjithmonë aty diku qëndron e strukur dhe pret kodin e aktivizimit. Në rastin tim, kjo daton qysh nga klasa e katërt në shkollën fillore kur më pyetën se ҫfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh në një fletore shkrova – shkrimtar. Dhe ndodhi, u bëra shkrimtar i njohur, por për fajin e dikujt tjetër, e jo për shkak të meritës sime. Më detyruan të shkruaj për luftën sepse nuk kanë rreshtur të merren me të se tridhjetë vjet dhe kështu po gërmojnë nëpër kockat e gjithë atyre që kam varrosur në vete prej kohësh. Ndërsa unë do të doja të shkruaja për udhëtimet, për kërkimin, për atë që shpirti aspiron. Por nuk funksionon. Kur e gjej përsëri veten dhe filloj të shkruaj, ata janë si bishat kur zbresin për të pirë ujë, me të njëjtat mantra hungëruese – lufta, paslufta, kriza. Na mbajnë fjalime nga pallatet e arta, duke bërtitur sa e vështirë është dhe si të kursejmë, sepse kemi qenë në luftë…Sikur kanë zgjedhur të më torturojnë në atë mënyrë. Junta ushtarake në Amerikën Jugore kishte metodë të ngjashme. Të burgosurve do t’u jepej i njëjti fjalim politik ҫdo ditë për muaj të tërë. Në fund të burgosurit përplasën kokën pas murit dhe kafshuan kyҫet e duarve për të shkurtuar agoninë e tyre. Kam një ndjenjë që politikanët po ia bëjnë këtë një pakice normale sot. Ata nuk reshtin së foluri për luftën dhe më pas unë, pas vitesh e vitesh duke dëgjuar, në vend që të godas kokën pas murit, zgjedh të shkruaj. Në vend që të kafshoj venat e mia, depërtoj në pleksusin diellor, futem brenda vetes, dhe kur aty i gërditem edhe vetëvetes, përsëri gjithҫka më kalon nëpër fyt. Por këtë herë, në vend që, siҫ më ka ndodhur dy herë, të qëndroj në ballkon dhe të shikoj katin përdhes duke pyetur veten nëse është mjaft i lartë, vendos të kërkoj letër dhe laps dhe më pas i qes zorrët në letër. Unë nuk shkruaj për luftën sepse dua, por thjesht nuk kam zgjidhje, dhe kur jam tashmë këtu ku jam, atëherë këtë e bëj pa frena.

E kuptoj dhe e pranoj se shumë njerëzve në jetën e tyre nuk u ka ndodhur asgjë më emocionuese sesa lufta. Pothuajse më vjen turp ta them para tyre, por mua po. Ajo që gjithmonë pret tha „Po“. Asgjë nuk mund të krahasohet me këtë. Askush asnjëherë nuk ka ditur të presë si ajo. Ajo më priste të kthehesha nga APJ. Më pas ajo priti të kthehem nga lufta. Pastaj priste që të vija nga spitali. Ajo priste që unë të mbaroja rehabilitimin. Pas kësaj priste që më në fund të mblidhja forcat dhe të dilja në rrugë, që të flija gjithë natën e lume pa u zgjuar fare, që të më kalonte PTSD… Në fund të të gjithave, ajo priti që unë të vija në vete dhe të vazhdoj të jem i njëjti njeri për të cilin asaj, siҫ thotë ajo, në një ndejë i dridheshin gjunjët. E këtë, fatkeqësisht, ajo nuk arriti ta priste. Ai njeri ka mbetur diku në dalje të pubertetit, diku në qetësinë e verës që supozohej të zgjaste përgjithmonë. Dikush tjetër është kthyer në vend të tij, dhe në këmbim të asaj vere fatkeqe të pafund, kjo vaki po vazhdon përgjithmonë tani. Por…le të vazhdojë. Unë megjithatë ndihem fitimtar në gjithë këtë. E vërteta, paqja, jodhuna dhe drejtësia mbeten në krye të listës sime të prioriteteve. Fakti që aty ku jetoj ndihem i mundur nga primitivizmi kolektiv, nuk është arsye për t’u qaravitur. Nuk ia them këtë Liamit, disa mendime është më mirë të mbahen për vete. Edhe ashtu e di se ҫfarë do të thoshte, ndërsa unë nuk e di nëse do të duroja edhe një „For fock sake.”

Përktheu: Fadil Bajraj

—————————————————–

ObserverKult

Lexo edhe esetë e tjera të këtij projekti:

BLERINA ROGOVA GAXHA: EASY LIFE
FARUK ŠEHIĆ: ORA E APOKALIPSIT
TOMISLLAV MARKOVIQ: TЁ JETOSH NЁ NJЁ SKENЁ KRIMI

XHEVDET BAJRAJ: ARKIPELAGU JUGOSLLAVIA 1991-2021
DRAGO JANČAR: ARKIPELAGU JUGOSLLAVIA – TRIDHJETË VJET
LIDIJA DIMKOVSKA: JUGOSLLAVIA NË JETËN TIME, JETA IME NË JUGOSLLAVI NË DHJETË PIKË
RUMENA BUZAROVSKA: VËLLAZËRIMI DHE BASHKIMI