Kurrë ma kollaj s’asht kanë, m’u ba i dijshëm, hero m’u ba, patriot!

Nga Çun Lajçi:

Zot, po dua me t’vetë diçka, veç mos m’thuej se je shqiptar, jo, se e di qe nuk je!
Ma ka thanë nji poet qe tash asht të ti!
Se me dijtë që je shqiptar, tybe n’flas me ty!
Prandaj po t’shkruej e po t’lus në ket’ muej rahmeti!
Kallxom e mos ban dredha, çka asht me ket’ miletin tim, që shanë e truen, e rreh gjoks tue ndejt hijeve, fytyrat tue i ruejt nga dielli, e pështynë përpjetë, e flliqet prej puçrrave!
– Po t’pyes për këta që duen me mendua si ata, jo ndryshe!
– Me folë si ata, bylbyl prej goje, jo ndryshe!
– Me hangër mjaltë si ata, jo tjetër!
-Me pi ujë t’bekuem n’filxhana, mo’Zot raki!
– Me dashtë ate që ata e duen, jo tjetër kend! (Veç, jo ishallat, edhe gratë e tyne?!)
Për ket’ lloj mileti po t’pyes, që rrin i mshefun e çon fjalë me plumba, tue e forcua zemrën e lepurit, e faqet tue i ba t’zeza, për mos m’u pa çfar sojit asht!
– Për këta që i kanë hipë kalit, po t’pyes o Zot, se kali asht cofë, e këta s’po duen me i zhdryp!
– Kallxom si me ia ba me strehkopilat, që as nuk ecin as nuk t’lanë me ecë. Sa rrëzohen, sa çohen. Sa t’shajnë, sa t’përqafin. Njeni ujk, tjetri hienë. Dikush qingj e tjetri cjap. Mal kurkund, arusha plot!
O krejt dynjaja seri po ban me miletin tonë!
Zot, pash nderin, a mos t’kanë ble bre, që s’po ua then qafën ma? Se kanë pare pa ndjersë këta, e po tutna mos po t’blejnë si Kosovën!
Ose kalllxona çka me ba, ose ngjalle Anton Çettën e t’i pajton këta thi hajvana, se po duen me na marrrë n’qafë!
Lamë asht ba, o Madhni!
Ata po shajnë, na po fluturojmë qiellit, po luejmë n’teatrin e andrave!
Po bahemi hero lufte, biznisi e arti, e përsonazhet po i spikatim leht, se kurkush s’merr vesh n’ket zanat!
Kurrë ma kollaj s’asht kanë, m’u ba i dishem, hero m’u ba, patriot!
Për dy muaj edhe ujku asht ba viktimë.
Sa t’butë jemi, sa t’mençëm!
Po shkruejmë e po flasim si po duem vet.
Dekorata po varim supeve, e po bahemi ata që s’ishim kurrë, apo ata, që n’andrra kemi dashtë m’u ba!
Po Zot, na ra kjo smundje, e na bani trima, bujar, patriot, atdhedashës e poet, thuase jetojmë ne nji tjetër planet, e kurkush s’din prej nga erdhem, e kush mutin jemi ne, që flasim për vepra t’paqenuna e për pushtet!
Ne që thamë, jemi shpetimtarët e atdheut, dhe njizet vite me rradhë, sunduem me pak die e me shumë zhurmë!
(Jo me grushta Zot jo, se asht muej rahmeti, e s’po dua me hi n’gjynah!)
– Po Zot, se po çohem jerëm, e po flas për do gurë që paskan dashtë me ra nga qielli mbi kokën time, por ja që Madhnia, ma ka shti kryet nër jastëk, e m’ka shpëtua!
Dhe, mbrenda nates jam ba hero, n’sytë e unët t’popullit t’vujtun!
– Për do lule po flas jerm, që i kanë pre me kosë do kopila, e mua kanë dashtë me m’i pre kambët, veç mos me m’lanë me ecë livadheve t’mia, e menjiherë jam ba evlia n’zemrat shkrum t’popullit tim!
Bile edhe për hava m’kanë gjuejt me praçka, krahët me m’i thye!
– Zot, a je edhe i yni pak, siç je edhe i të tjerve?
Nëse po, atëherë me mëso t’paktën, si duhet dashtë vetvetja, se atdheun po ma duen të tjerët, tue pa se sa shumë unë po e urrejë!

Dardani, 08.05.2020

ObserverKult


çun lajçi dashni mes malesh

Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI PËR VAJZËN E NDJERË: MOJ E MIRA IME QË S’FLET…

Nga: Çun Lajçi

R.I.P

Pse qenka e thanune kjo ditë e dhimbjes me m’nxanë rrugëve me libra n’kurrizin e thyem?
Pse sot n’Shkup me “Ofshamë malli” si katër vite ma parë me “Përgjerim e fjalë” në Njujork?

Pse u dashka me ta kujtua ditën e ikjes larg katundit ku ti zune vend përgjithmonë?
Pse unë përjetë rrugëve me vargje e pse ti përjetë e fjetun!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult