1 Janari-Dita e rrenave: Për brezin që se di çka është Viti i Ri e Coca Cola

Nga Rrahman Paçarizi

Edhe pse n’katund, dita niste shumë ma vonë se zakonisht. Gjyshja s’mërzitej shumë për senen e re. Nenën kurrë në jetë se kisha pa duke fjetë. Isha i bindur se nena nuk flinte kurrë, ndaj edhe të nesërmen e asaj që në televizor i thoshin “nata më e gjatë e vitit” ishte krejt e zakonshme që nenën me e gjetë zgjuar, duke përgatitë ndonjë gjë ose duke e shfletu ndonjë libër ndërsa shikonte reprizën e programit të Vitit të Ri, pasi, u mor vesh, natën e Vitit të Ri kishim qenë të detyrum me e kqyrë programin e RTSH-së. Kur niste Koncerti i Vitit të Ri me siç i thoshin muzikë serioze, unë vishesha dhe dilja te Kumullari, sheshi i katundit. Nuk e di pse, por për Vitin e Ri gjithmonë ka pasë borë, ndonjëherë shumë borë. Përditë rrëshqisnim me saja e ski, por në ditën e parë të vitit as që bëhej fjalë për rrëshqitje, madje as e vërenim borën. Ishte dita e rrëfimeve. Shtyheshim se kush ka pi më shumë Coca-Cola, kush ka ndejtë më gjatë zgjuar dhe kush ka pëlcitë më shumë balona.
Dikush thoshte se kish pi 6 Coca-Cola, dikush madje e kish provu me e çu një shishe eks dhe i kishte dalë prej hundësh. Tash, ne jo vetëm që i besonim secilit, por gati-gati i besonim edhe vetvetes. Unë që i kisha pi dy Coca-Cola u thosha me bindje që i kisha pi nja katër se më dukej sikur po e teproja dhe mburresha se e kisha çu në fund një Schweppes. Duke e pasë ndjenjën e fajit se po gënjeja, përpiqesha të ndërtoja rrëfimin në atë mënyrë që të më besonin. Nuk e di a më besonin, por unë nisja me i besu vetes ngadalë dhe nuk e lija rrëfimin për Coca-Colat pa e bindë edhe veten.
Sfida tjetër ishte se sa kemi ndejtë zgjuar. Të gjithë kishim ndejtë deri në orët e para të mëngjesit. Të gjithë i kishim pa të gjithë filmat që shfaqeshin në TVP gjatë “Maratonës së filmit”, por asnjërit nuk na kujtoheshin emrat e filmave. Në të vërtetë, unë (e sigurisht edhe shokët e mi) arrija të kontrabandohesha për ta kqyrë filmin e parë, kryesisht duke u shtirë sikur po flija, pra e kqyrja tinëz. Pastaj, filmi i dytë mund të kishte përmbajtje pak më të papërshtatshme apo aq të papërshtatshme sa të mos mund ta kqyrnin dy veta përnjëherë, prandaj fjete s’fjete duhej liru oda a dhoma. Shumë dojsha me kqyrë, bre. Me i gjetë edhe sot ata filma i kisha kqyrë. Sidomos ka qenë një “Valentino” që pata arritë me e pa si copa-copa…
Dhe, meqë në këtë pikë nuk arrinim të lavdëroheshim , pasi zor se mund ta thoshim titullin e ndonjë filmi e lëre më ta shpjegonim syzheun, nisnim lavdatat për balonat. Mos kujtoni që kishim balona pafund. Kishim aq sa na kishin qëllu në qesen e Babadimrit. Nja katër a pesë. Një të kaltër, një të kuq, një të verdhë dhe një të bardhë. Kaq. I ruanim edhe pas vitit të ri, deri sa vetëshfryeshin nëse i kishim fryrë, apo i ruanim për t’i nxjerrë kur të tjerët nuk kishin më balona. Në TVSH u thoshin tullumbace, pasi balonat ishin fluturaket që mbaheshin me penj e të tillë te ne nuk kishte. Prandaj, rrëfimet se kishim pëlcitë shumë balona nuk ishin edhe aq interesante, por heroizmi tregohej pikërisht aty. Ne që kishim nga katër balona, mund t’i kishim pëlcitë nga gjashtë dhe na kishim mbetë edhe nga katër!!!
Prandaj, gjithmonë kam mendu që 1 janari duhet me qenë dita e rrenave e jo 1 prilli.
E vërteta ishte se mund të kishim pi më së shumti nga dy a tri Coca-Cola, mund të kishim ndejtë zgjuar deri kah ora 1 dhe mund ta kishim pëlcitë ndonjë balon aksidentalisht.
Si për ta shpëla ndërgjegjen nga rrenat, mezi prisja me shku te dajtë. Atje mund të pija sa të doja Coca-Cola, pasi ata i kishin nja dy fëmijë të vegjël që i bie se kishin tepru Coca-Cola për mu e për Artanin që të nesërmen, pra më 2 janar e kishte ditëlindjen. Veç ai e festonte ditëlindjen, jo për tjetër, por se ishte më 2 janar, që do me thanë kishte tepru ndonjë gjë dhe të gjithëve u kujtohej ditëlindja e tij. Edhe tash e feston madje, ndryshe nga ne të tjerët. Unë s’e festoj as tash ditëlindjen – më mjafton ditëlindja e Artanit.
Gëzuar Viti i Ri 2020 Juve që s’na keni lanë me u kënaqë me Coca-Cola, s’na keni lanë me u kënaqë me ndonjë film, pa çka se mund të ketë pasë ndonjë skenë të lehtë erotike dhe që s’na keni ble ma shumë balona (petarda s’ka pasë atëherë).
Gëzuar Vitii i Ri 2020, Juve të brezit tim të vuajtur nga mungesa e Coca-Colës dhe e balonave dhe brezit me fëmijëri të çuar posht pa filma me skena erotike.
Gëzuar Viti i Ri 2020 edhe Juve që s’dini çka është Coca-Cola origjinale, s’ua dini vlerën balonave dhe që dashurinë e mësoni dhe e përjetoni nga filmat e përditshëm që s’janë më erotikë. Cka kallxoni Ju më 1 janar? Ku ka party. Pa lidhjeeeeee…./ObserverKult