A ju kujtohet kafeja turke e gjysheve tona?

kafe turke

A ju kujtohet kafeja turke e gjysheve tona? Kur dikujt i derdhej kafeja në pjatën e filxhanit, gjyshet thoshin: është idhnak ai, për të cilin është destinuar kafja. Idhnak thuhej për një njeri që bënte sherr për kurrgjë send (ose kot së koti).

Nga Tonin Çobani

Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar ç’lidhje kishte kafeja në xhezve, në filxhan apo në pjatë të filxhanit me njeriun për të cilin përgatitej ajo kafe. Sigurisht, sipas meje, kur derdhej kafja, fajin e kishte kafexhiu. Edhe sot e kësaj dite (kur tashmë jam bërë edhe unë gjysh) kam të njëjtin mendim: kafexhiu se kafexhiu e ka fajin.
M’u kujtua sot kafja e gjyshes, pasi nuk po bëja dot lidhjen e Kovid-19-s me moshat e treta, të cilët nuk duhet të dalin në rrugë, as te pragu i derës së tyre. Nuk duhet të ulen te stolat e lulishteve, qoftë lulishtja edhe poshtë pallatit të tyre. Jo më të largohen më tepër se 50 a 500 metra larg shtëpisë për të mbërritur te parku i liqenit në Tiranë, te lungomare në Vlorë, te pedonalet e Durrësit a te Shëngjinit…
Pyetja absurde që, ndoshta, nuk duhet të bëhet do të ishte: ç’lidhje ka Kovid me pensionistët apo moshat e treta sa për të mos i lënë rehat as te pragu i shtëpisë tyre, në oborr apo në lulishten poshtë pallatit, lëre më të udhëtojë me makinën e re të nuses së djalit qoftë edhe sa për të kaluar nga njëra ana e Lanës në tjetrën. A mund të ndahet vlonjati e durrsaku prej detit? Pogradecari prej liqenit apo shkodrani prej Bunës? Vetëm prej Lanës tiranasit (dhe tiranásit) ndahen pa dhimbje, sepse nuk kanë krijuar asnjë lidhje ujore me të. Po edhe kjo nuk mund të thuhet me siguri.
Aq më pak, nga të ashtuquajturit moshat të treta apo pensionistë. Sepse në çdo rast ata dhe (jo kafexhiu) e derdhkan kafenë në pjatën e filxhanit të kafesë. Siç e thonë këndej nga Shkodra, ajo kafe mos u piftë (ose u piftë me helm).
Po me pensionistët çfarë keni, more aman? Ata jua kanë fajin pse nuk kryhen testimet në masë? Ata jua kanë fajin që stafi shëndetësor infektohet në krye të detyrës për mungesë të mjeteve mbrojtëse të mjaftueshme? Ata jua kanë fajin për shumë gjera që nuk dini t’i bëni, sepse nuk doni t‘i bëni?
A ju kujtohet aroma e kafesë turke e gjysheve tona? Po idhnakët, që sot janë pensionistë? Do t’i lini rehat?

ObserverKult

____________

Lexo edhe:

YPI: KEMI MUZIKË PËR TË VJELLË…