100 artistë nga e gjithë bota, pjesë e garës në konkursin “Albania Guitar Festival” (Video)

100 konkurrentë nga 27 vende të ndryshme të botës iu bashkuan garës me pjesë klasike në konkursin e edicionit të katërt të “Albania Guitar Festival”.

Kitaristi edhe drejtori artistik i Festivalit Denis Bizhga rrëfen punën e bërë për realizimin e kësaj gare online edhe fituesit e të gjitha grupmoshave, ku fitues i çmimit të madh u zgjodh kitaristi i njohur Nino D’Amico.

“Këtë vit pavarësisht se ishte një vit i vështirë për ne, ku aktivitetet artistike ndalën në të gjithë botën, ne menduam që të vazhdonin konkursin. Jemi të kënaqur se ky konkurs u zhvillua online edhe u ndoq nga publiku në të gjithë botën”, tregon kitaristi Denis Bizhga.

Ndonëse ky konkurs u transmetua online, teksa Bizhga rendit vështirësitë në këtë garë që vendi ynë u përfaqësua nga Xhoni Xhavari, nxënës në shkollën “Jordan Misja”, shpreh dhe dëshirën për t’u kthyer pranë publikut në edicionin e pestë që zhvillohet vitin tjetër

“Një artist e ndjen shumë mungesën e skenës dhe të publikut, se publiku është faktori shtesë që e merr në mënyrë të drejtpërdrejtë emocionin. Shpresojmë që vitin e ardhëm të kemi një edicion tjetër, por që kësaj here të jetë live”, tregon Bizhga.

Gjatë vitit 2021 do të zhvillohet edicioni i pestë i “Albania Guitar Festival”./reporttv