100-vjetori i bibliotekës “Thimi Mitko”, ekspozitë me vepra të huaja dhe vendase

Për herë të parë në Korçë po mbahet një ekspozitë me materiale dhe vepra të ndryshme me rastin e 100-vjetorit të bibliotekës “Thimi Mitko”.

Sipas drejtoreshës së kësaj biblioteke, Jorida Dhëmbi, kjo ekspozitë është e veçantë për faktin se punimet e shfaqura krijojnë edhe bërthamën e fondit Albanologjik.

“E veçanta e kësaj biblioteke është se ne kemi ekspozuar të gjithë fondin albanologjik. Duke filluar nga botimet e federatës Vatra dhe pasurimin e bibliotekës nga shumë patriotë korçarë, të cilët kanë krijuar bërthamën e fondit albanologjik.”

Biblioteka ruan në fondin e saj më shumë se 100 mijë materiale bibliotekare, nga këto rreth 17 mijë janë të ekspozuara në sallat me fond të hapur. Mes larmisë, spikasin dhe veprat e rëndësishme si historia e Skënderbeut nga Marlin Barleti, e vitit 1662, si dhe Giovio Gambini Scanderbeg i vitit 1541.

Gjatë kësaj periudhe, Biblioteka “Thimi Mitko” do të organizojë edhe shumë aktivitete të tjera mes të cilëve do të jetë krijimi i projektit “Biblio Tech”, krijimi i bibliotekës dixhitale si dhe krijimi i “Muzeut Virtual”.

ObserverKult