108-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë: “Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 108 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Kjo datë do të shënonte dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.

Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Presidenti Ilir Meta ka përcjell urimin në  Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit. 108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen”, shprehet Meta.

Në 108-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama ka përcjellë urimin e tij duke cituar një shprehje të Ismail Qemalit: “Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë flamuri! Rroftë Shqipëria”.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e pvaarësisë.

“Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi, duke e shpallur flamurin e Shqipërisë të pavarur nga Perandoria Osmane. Jetë të gjatë Shqipërisë së Pavarur! Jetë të gjatë shpirtit kurajoz të Qemalit & Skënderbeut! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, miq të dashur shqiptarë!”, – tha Kim.

Ambasadori i Bashkimit Europian  në Tiranë, Luigi Soreca ka uruar për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Këtë vit nderojmë shqiptarët që kanë humbur betejën e tyre kundër COVID-19 dhe sakrificën e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që janë në vijën e frontit çdo ditë. Bashkimi Europian qëndron pranë popullit shqiptar”, shprehet Ambasadori Soreca.

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i dërgoi sot urimet më të përzemëra çdo shqiptari kudo në botë.

“Këtë mëngjes e çelëm së bashku me Bujar Osmanin dhe Meliza Haradinajn, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut e Ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë”, – theksoi Cakaj.

Në Ditën e Pavarësisë, edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përcjellë mesazhin e urimit veçanërisht për efektivët e Policisë së Shtetit.

“Festa Kombëtare e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve më jep rastin që, nëpërmjet Himnit të Policisë së Shtetit, të përcjell urimet për të gjithë, e në mënyrë të veçantë për punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Zjarrfikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, të agjencive të tjera dhe Administratës së Ministrisë së Brendshme”, theksoi ministri Lleshaj./ATSH