12 trajta të luftës, përmes penës së Ilire Zajmit

Ilire Zajmi, Një luftë e pakryer, Sh.B. Faik Konica, Prishtinë, 2019

Nga Dije Demiri-Frangu 

Substanca e veprës,  Një luftë e pakryer, është  periudha kohore 1999-2020, e shtrirë brenda 12 rrëfimeve, me plot reminishenca e thyerje, me plot sprova morale-sociale- politike, dhe me plot pikëpyetje ekzistencialiste. Personazhet, duke qenë se janë  kategori e pësimit të luftës, kanë një jetë plot kujtime  të rënda që dalin si personale por edhe  nxjerrin në pah thënien e Markezit se– Liria është viktima e parë e luftës.
Përmbajtja e librit Një luftë e pakryer, si strukturë rrëfimi është e thjeshtë, një rrëfim në veten e parë, emotiv dhe shumë kompleks në ndërtimin e emocioneve dhe reflektimit  të ideve, për fatet dhe situatat e ndryshme jetësore të 12 personazheve, që e kaluan luftën dhe prekën lirinë. Libri me një rrëfim real, me personazhe reale,  kapërthyer me prirjen fiksionale, përfshin 12 fate të prezantuar thuajse në formë paralele – në dy  kohë, në të luftës dhe në kohën aktuale, pra para dhe pas 20 vitesh.
Këto 12 tregime-rrëfime me elemente  reportazhi, janë homogjene në tematikën e tyre ndaj, mund të lexohen edhe si një prozë-publicistike e gjatë.
Rrëfimet i shënojnë  dy gra të huaja (nga Roma), Izabela gazetare dhe Liana-fotoreportere, të cilat kishin përcjellë luftën në Kosovë më 1999 dhe sërish kthehen më 2019, për të parë heronjtë e shkrimeve dhe të fotografive të tyre, me qëllimin e popullarizimit të fatit të vuajtur të heronjve të tyre, përmes një  ekspozite të planifikuar në Romë dhe një libri me shkrime. Ato e ecin Kosovën dhe vendbanimet e saja, të prekura më së shumti nga lufta, janë aty ku kishin qenë më 1999 si, në Prishtinë, Rahovec, Mitrovicë, Prizren, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Pjetërshticë e Lipjan, duke vënë një hapësira mjaft të madhe  dokumentuese-historike të rrëfimeve.
Rrëfimet jepen përmes dy perspektivave që herë- herë krijojnë kontrast- perspektiva e luftës dhe ajo e lirisë.

Takimi i tyre i parë është me  Hana D. – e përdhunuar gjatë luftës, një rrëfim rrëqethës me poentën e krijueses – protestën ndaj organeve shtetërore që u morën pak  me fatin e tyre. Rrëfimi është dhembje dhe revoltë, si dhe një regjistrues i segmentit më të ndotur të luftës, në këtë rast, reportazhi  si formë letrare, del si një fragment i ndonjë romani kujtimesh. Autorja, niset nga psikologjia e gruas së dhunuar e cila tashmë si botë, si nënë e si grua, është e tjetërsuar.
Fantazmat– si edhe quhet rrëfimi, janë  në një hotel-kamp, ku ishin bërë  dhunimet dhe kryesisht  përshfaq shpirtin fashist të akterëve serb. Kjo prozë sjellë një atmosferë makabre, brenda këtij libri; Tregimi për Lorena M.-është një trajtë tjetër e fatit që ndërton lufta. Si fëmijë i lindur nga dhunimi, e adaptuar tek një çift italian intelektual, rastësisht i sillet fati ta vizitojë Kosovën. Në momentin e fundit e kuptojnë tashmë prindërit-adaptues të saj dhe ia shpjegojnë historinë e adaptimit. Në Kosovë dashurohet në Lisin, me të cilin pastaj kërkon nënën e saj. Lorena përjeton shqetësime e thyerje të mëdha shpirtërore dhe rrëfimi merr formën e një trilleri. Nëna e vet nuk e pranon si bijë të sajën, e lut të largohet e t ‘mos ia shkatërrojë jetën sërish. Jepen dromca të mentalitetit provincional-paragjykues, që arrin të krijojë ngjyrime mentaliteti. Lorena kthehet te familja Monti, në Itali, si një fëmijë i mohuar dhe anatemuar; Mon D.-krijon familje të dytë, është një rrëfim që ka më së shumti  dritë dhe jetë. Pavarësisht humbjes së anëtarëve të familjes, ai ndërton një familje të mirë, të dytë derisa  Dion M. është i biri  i një nëne të zhdukur, Ardi D.-një i lindur në luftë, që nuk e njohu kurrë babain e vrarë; Met H.-ish luftëtar, i injoruar nga shoqëria.
Autorja ironizon politikanët  që bëjnë vizita familjeve që kishin pësuar në luftë, thumbon përmes  ofshamjes së heroit, se dikush është bërë milioner ndërsa për Met H. lufta vazhdon-tani ajo për bukë; Mira Q. Avni Q.-vëllai i luftëtares, e cila punoi si police dhe sëmuret e shkaku i skamjes, s’ mund shkon për shërim; SaraT.-ish luftëtare e cila paragjykohet se pat burra që i mohuan gratë luftëtare, i divorcuan derisa shoqëria i mohoi. Përmes dialogut autorja nxjerr idenë se s’ka buste të grave, emërtimet e rrugëve e të shesheve, mbajnë emra burrash etj. Ideja është të dilet në mbrojtje të gruas luftëtare;
Besi B.-është një i papunë që pret në vapën 37 gradë me qindra të tjerë për një vizë, para një ambasade. Sërish një ironi fshikulluese për realitetin politik, për mohimin e vazhdueshëm që i bën Evropa popullit të lashtë evropian. Ridi K. –është luftëtar në luftërat e huaja-më shumë nga fakti i margjinalizimit nga shoqëria dhe skamja; Ilmi B. Ik nga kampi i Brazdes së Italisë për Kanadë, por malli e kthen në Kosovë e ndonjë fat tjetër. 

Poenta e rrëfimeve është se sado që atdheu i heronjve të 1999-tës, kishte ndërruar në masë të madhe më 2019, ata  tani pos që bartnin përvojën e luftës dhe robërisë, bartin edhe  boshllëqet e lirisë, kapricot e njerëzve që kishin ndihmuar ardhjen e saj, skepticizmin për të ardhmen, duke e dhënë perspektivën e Kosovës si të devalvuar. Tani më, kur arti nuk është levë e sistemeve, Ilirja përmes dy grave italiane nxjerr të palarat e tranzicionit shoqëror, me plot ndërgjegje të njollosura, ego të tronditura nga pasojat e luftës e një liri me plot dështime sociale.
Autorja, në formë kroki, në pjesët  Prolog-dhe në Epilog, shpreh edhe opinion e saj për mediat e serviluara  e pa parime profesionale, jep të dhëna të vërteta në formë retrospektive për vuajtjet e njerëzve si refugjatë (përmes Lirës, gazetare- shoqëruese e gazetares e reporteres nga Roma, e cila provon t ‘ju ofrojë të dhëna afirmative për Kosovën). Këto rrëfehen përmes një dialogu dramatik e urban,  për të kaluarën dhe aktualitetin, dhe bartin informacione të ndryshme duke i plotësuar rrëfimet me faktografi e opinione. Shënohen takime ndërkombëtarësh, citate nga gazeta të huaja dhe qëndrimet e tyre për Kosovën, duke ilustruar brengosjen për t’ këqijat e mëdha si ishin  ndodhitë në Srebernicë, Alepo, Ruandë, e tjerë.

Reportazhet janë plot përshkrime poetike dhe shpesh duket se lexon tregime të mirëfillta letrare, me një  ndërtim të bukur të ritmit të rrëfimit, në ndërtimin e një galerie imazhesh me skena frike e shprese, me çaste unike plot tmerr ekstrem, të përshkruar me një sens poetik.

Vepra  natyrisht nuk ka fabul që niset e shkon kronologjikisht, nëse fabula nuk është harku kohor 1999-2020, vepra nuk e ka një hero që na përcjell deri në fund-nëse derisa s ‘janë gazetarja dhe fotoreporterja, ndaj vepra është parasegjithash një prozë publicistike, sado që përshkohet nga një ligjërim subjektiv-poetik, por dominon pretendimi  i një objektiviteti  duke qenë se edhe ligjërimet mbeten  brenda të dhënave reale, brenda faktit dhe kohës së një kolektiviteti të përndjekur. Individët-personazhet që rrëfehen, janë bartësit e fatit kolektiv, si e dhunuara, i papuni e tj.

Këto proza –publicistike, nuk merren me pjesën heroike të luftës, ato merren me pasojat psikologjike-sociale të saj, me të keqen e një pushuesi të keq, që shkel edhe ligjet e luftës, dhe pos të vrarëve la  pasoja të gjata  psikologjike. Sidoqoftë kjo vepër e Ilire Zajmit, lexohet me kënaqësi dhe të krijon një shqetësim estetik./ObserverKult