Roberto Benigni: Ne duam gjithmonë shumë pak dhe shumë vonë…

Thënie nga Roberto Benigni

Duhet t’i themi jetës PO!
‘Mbi dashurinë dhe lumturinë’
Stand up nga Roberto Benigni, ’10 Urdhëresat’ 2014

Përsëritet dhe supozohet: ‘Të duhemi’… por duhet të themi diçka: që koha kalon dhe problemi thelbësor i njërëzimit gjatë dy mijë viteve të shkuara ka mbetur i njëjti: ‘Të duhemi’, vetëm se tani kjo është bërë edhe më urgjente, dhe kur ende sot, dëgjojmë të përsëritet fraza se, ‘duhet ta duam njëri-tjetrin,’ tashmë ne e dimë se nuk na mbetet shumë kohë.
Duhet të nxitojmë!
Duhet të nxitojmë për të dashur!
Ne duam gjithmonë shumë pak dhe shumë vonë.
Le të nxitojmë për të dashur!
Sepse në agimin e jetës sonë ne do të gjykohemi vetëm mbi një gjë:

MBI DASHURINË!
Sepse nuk ekziston diçka e tillë si ‘dashuri e çuar dëm’, dhe nuk ka emocion më të madh sesa ajo që ndjemë kur jemi të dashuruar dhe se jeta jonë varet tërësisht nga një person tjetër dhe që vetëm ‘ne’ nuk mjafton. Sepse të gjitha gjërat madje edhe ato pa jetë si malet, detet, rrugët, por edhe më shumë… qielli, era, më shumë…yjet, më shumë…qytetet, lumenjtë, gurët, ndërtesat, të gjitha këto gjëra që në vetvete janë të zbrazura, indiferente, kur ne i shikojmë ato, papritur ato marrin një kuptim njerëzor dhe ato na magjepsin, na prekin, po përse?

Sepse ato përmbajnë një ndjenjë dashurie…edhe gjërat e pajeta sepse rrënjët e të gjithë krijimit janë dashuria dhe sepse dashuria puthet me kuptimin e të gjitha gjërave:
Lumturinë!
Po, lumturia!
Dhe meqë flasim për lumturinë…kërkojeni atë!
Çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme, faktikisht, kushdo që është duke më dëgjuar tani, le të shkojë në kërkim të lumturisë! Tani! Në këtë çast! Sepse ajo është aty! Ju e keni atë! Ne e kemi atë! Sepse atë na e kanë dhënë të gjithëve ne, na e kanë dhënë ‘me pikatore’ kur kemi qenë të vegjël, na e kanë dhënë si një dhuratë.
Dhe ajo është një dhuratë kaq e bukur saqë ne vendosëm që ta fshehim atë, ashtu siç bëjnë edhe qentë me kockën. Por disa prej nesh e kanë fshehur atë aq mirë, saqë nuk e mbajnë më mend se ku e kanë fshehur.

Por ajo është me ne!
Edhe ju e keni!
Shikoni në çdo vend, çdo raft, në çdo ndarje të shpirtit tuaj…kthejeni çdo gjë përmbys!
Çdo sirtar apo komedinë dhe keni për të parë që ajo do të dale.
Lumturia do të dalë! Do ta shikoni!
Lumturia ekziston!
Ndoshta, ajo do t’ju zërë në befasi. Por ajo është atje dhe ne duhet të mendojmë gjithmonë për lumturinë, edhe pse ndonjëherë ajo na harron, ne nuk duhet ta harrojmë atë kurrë, deri në ditën e fundit të jetës sonë.
Dhe nuk duhet të kemi frikë as nga vdekja.
Dhe e dini se, në fakt është më e rrezikshme të lindësh, sesa të vdesësh. Nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, por nga të mos jetuarit kurrë me të vërtetë. Zhytuni brenda ekzistencës tuaj, brenda qenies suaj këtu, tani, sepse nëse nuk gjeni asgjë, tani, nuk do ta gjeni kurrë më.
Përjetësia është këtu..


NE DUHET T’I THEMI JETËS PO, duhet t’i themi një po të plotë jetës saqë t’i përmbysen të gjitha jo-të, sepse në fund të netëve të kaluara së bashku kemi kuptuar se, nuk dimë asgjë dhe që asgjë s’ka kuptim, por ne kemi kuptuar se ekziston një mister i madh dhe që duhet ta marrim ashtu siç është dhe ta lëmë të qetë dhe se gjëja që na bën më shumë përshtypje në botë është se jeta vazhdon dhe se ne nuk e kuptojmë se si ecën përpara.
Si funksionon kjo?
Si ka mundësi që reziston?
Si mund ta përballojë?
Edhe ky është një mister tjetër!
Dhe këtë nuk e ka kuptuar askush, sepse jeta është shumë më shumë nga sa mund të kuptojmë ne, prandaj edhe ajo reziston, vazhdon.
Nëse jeta do të kishte qenë vetëm ajo që kuptojmë ne, atëhëre jeta do të kishte përfunduar kohë më parë, shumë kohë më parë. Dhe ne e ndjemë këtë! Dhe ne e ndjemë që nga çasti në çast mund të na ndodhë diçka e pafundme dhe në çastin që ndodh kjo secilit nga ne i mbetet vetëm një gjë për të bërë:
T’i përulet asaj!

Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti


Burimi:


https://youtu.be/u9x2aXyBVDI

—————————————-

Lexo edhe:

ROBERTO BENIGNI: DUHET T’U DHUROJMË PRINDËRVE TANË DITËT TONA, KOHËN TONË…

ObserverKult