Nga Kastriot Dervishi
Hashim Toplica (1914-1996), lindur e vdekur në Tetovë, është shqiptari i ish Jugosllavisë që ka vuajtur më shumë burg në regjimin antikombëtar të Enver Hoxhës. “Rekordi” i tij i zi, e rendit atë tretin në listën e të burgosurve politikë. As në regjimin shtypës e pushtues jugosllav nuk gjenden njerëz të kenë vuajtur kaq shumë burgim dhe krejt pa asnjë faj, vetëm nga urrejtja ndaj kosovarëve në Shqipëri. Katër vjet më vonë, ai u ridënua sërish. Toplica vuajti burgimin në vitet 1950-1966 dhe 1968-1987.
***
Letra
Deri kur ma!?
Jam emigrant kosovar i dënuar dy herë me burgim. Herën e parë u dënova me 20 vjet, nga të cilat, bëra 17 vjet dhe u lirova i sëmurë dhe i rraskapitur. Kërkova riatdhesim dhe në vend të tij, mbas 17 muajsh e 13 ditësh pritjeje, arrestohem dhe dënohem me 10 vjet privim lirie për gjoja agjitacion e propagandë!! Jam i sëmurë dhe i vjetër në moshë. Mbusha 21 vjet burg pa vra, pa pre, pa djegë, pa vjedhë e pa çnderue, pa i shkaktue asnjë lek dëm Republikës Popullore të Shqipërisë dhe vazhdoj të vuaj në burg pa asnjë kuptim. Deri kur më do të vazhdohet kështu me ne, nga një anë flisni për “vllaznit kosovarë”, nga ana tjetër, bijtë kosovarë i trajtoni në mënyrë të drejtë, bile edhe në burg nuk trajtohemi barabar me vendasit. Ç’është kjo o shqiptarë? Deri kur do të vazhdoni kështu me ne? Neve kemi arritur në atë gjendje sa që e kemi të padurueshme jetesën tonë të mëtejshme në këto kondita. Prandaj shqyrtojeni ju lutem çështjen tonë dhe na riatdhesoni sa më parë sepse pasojat do të jenë katastrofale për ne dhe jo të pëlqyera për ju.
Me lutjen përgjigjuni,
Me nderime, Hashim Refat Toplica
Spaç, Rrëshen, 3.9.1971