
Sigurisht ju ka rënë rasti të dëgjoni për Kompleksin e Edipit, por a keni dëgjuar për Kompleksin e Elektrës?
Në vazhdim ObserverKult ju sjell disa karakterizime:
KOMPLEKSI I EDIPIT
Kompleksi i Edipit e ka marrë emrin nga mitologjia greke, prej emrit të mbretit Edip, ku sipas mitit djali i ri vret babain dhe martohet me të ëmën e tij, pa ditur se kush ishin ata. Për këtë arsye, djali ka frikë dhe ankth nga i ati se ai do ta kastrojë (tredhë).
Për ta zgjidhur këtë konflikt, sipas Frojdit, djali identifikohet me të atin dhe shtyp ndjenjat seksuale për të ëmën. Kjo ka të bëjë me ata fëmijë që zhvillohen në mënyrë normale, ndërsa ata që nuk kalojnë këtë fazën e idit dhe fallike si duhet, ky kompleks i përcjell edhe më vonë, me komplikime të ndryshme.
Viktima të Kompleksit të Edipit janë fëmijët, të cilët janë të llastuar nga prindërit, që janë edukuar të besojnë se çdo dëshirë e tyre është ligj dhe që nuk kanë kuptuar kurrë se mund të fitojnë dashuri nëpërmjet përpjekjeve të pavarura të tyre jashtë kufijve të shtëpisë. Kur rriten, këta njerëz qëndrojnë të lidhur me prindërit. Në dashuri nuk kërkojnë një partner të barabartë, por një shërbëtor; dhe shërbëtori, me mbështetjen e të cilit ata janë më të sigurt, është prindi i tyre.
Te një fëmijë Kompleksi i Edipit mund të shkaktohet kur nëna e llaston atë dhe e ndalon që të interesohet për njerëzit e tjerë dhe që babai të jetë mospërfillës ose i ftohtë. Të gjitha simptomat e neurozave japin një pamje të lëvizjes së kufizuar.
Veç të tjerash, Frojdi theksonte se përvoja bazë e të pandërgjegjshmes, përreth së cilës gjithçka nga parimi duhet të rrotullohej, ishte në raport me figura prindërore: incestuozitet fëminor ndaj nënës, të cilën vogëlushi do të donte ta dashuronte në mënyrë ekskluzive dhe ndjenja dashuri-urrejtje kundrejt babait, që e nënshtron nënën, një baba i ndier njëherazi si i plotfuqishëm, shumë i dashur dhe armik.
Rreth pesë-vjeçëve, Kompleksi “evolutiv” i Edipit duhet të tejkalohet, në qoftë se incesti i pandërgjegjshëm drejt nënës dhe dashuri-urrejtja për babanë, edhe kjo e pandërgjegjshme, qëndrojnë, atëherë bëhesh neurotik, thellësisht i plagosur psikikisht dhe mbetesh i tillë deri në tejkalimin eventual të bllokimit fëminor që ka bllokuar zhvillimin normal të psikikës drejt heteroseksualitetit dhe përtej familizmit fëminor.
Fëmijët që janë ‘të prapambetur’ në shkollë, burra ose gra që në moshën 30 vjeç ose më shumë ende nuk kanë një punë, njerëz të cilët i shmangen problemit të martesës, neurotikët me fiksime që vazhdimisht përsërisin të njëjtat veprime, njerëz që vuajnë nga pagjumësia, që janë gjithmonë shumë të rraskapitur për të përmbushur detyrat e ditës.
Tek të gjithë këta bëhet i njohur një kompleks inferioriteti që i pengon ata të bëjnë përpara në zgjidhjen e problemeve te jetës.
Frojdi ka besuar se çdo fëmijë në mënyrë simbolike duhet të kalojë nëpërmjet përvojave të Edipit. Teoria e Frojdit është psiko-sociale për arsye se pikënisja e këtij qëndrimi lidhet me atë se çrregullimet lidhen me raportet ndërpersonale.
Simptomat, po ashtu psikologjike-psikiatrike, konsiderohen si shfaqje të sipërfaqshme të konflikteve të thella të pazgjidhura. Po ashtu sipas psiko-dinamikës dhe psiko-analizës çrregullimet neurotike rrjedhin nga ndrydhja e përvojave zakonisht ose seksuale, ose agresive, të cilat kanë lidhje me prindërit.
Mekanizmi i ndrydhjes shfrytëzohet për mënjanimin e frikës nga dënimi ose nga humbja e dashurisë së prindërve.
1 – Meqë materiali shqetësues kur nuk i afrohet egos, konflikti mbetet i pazgjidhur dhe si pasojë individi arrin një shtrembërim të realitetit.
2 – Mekanizmi i ndrydhjes është mekanizëm i mbrojtjes.
Këtu individi përdor shumë energji, të cilën do ta përdorte gjatë zhvillimit të tij nga kalimi prej një faze në tjetrën. Për shkak të përdorimit të tepërt të mekanizmave mbrojtës dhe mekanizmave të tjerë, individi gjen disa përvoja dhe bëhet i paaftë që të përballet me shumë probleme në moshën madhore. Po ashtu, sipas psiko-analizës çrregullimi i sjelljes shkaktohet për shkak të konflikteve të pazgjidhura.
Frojdi mendonte se shumë çrregullime e deformime seksuale dhe shpirtërore në jetën e mëvonshme, e kanë bazën në këto komplekse, në faktin se këto kalojnë prej vetëdijes në pavetëdije (ndërdije) dhe atje ndrydhen, derisa një moment nuk shpërthejnë.
KOMPLEKSI I ELEKTRËS
Simotra tjetër e Kompleksit të Edipit është dhe Kompleksi i Elektrës, i cili manifestohet tek vajzat në fazën fallike dhe që, po sipas Frojdit, qëndron në ndjenjën inferiore të tyre ndaj djemve, pse nuk e kanë organin gjenital si të tyre. Vajzat, zakonisht, fajësojnë nënën e tyre për të qenit femër dhe e duan babain më shumë. Ky konflikt, në personalitetin e vajzës shtypet duke u identifikuar me të ëmën.
Termi “Kompleksi i Elektrës” u frymëzua nga mitologjia greke, konkretisht nga historia e Elektrës, një figurë tragjike që Elektra vendosi të vriste nënën e saj, Klimenestrën, për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së babait të saj Agamemnonit. Jung përdori këtë mit për të ilustruar ndjenjat e një vajze që shfaq dashuri të fortë për babanë dhe rivalitet ndaj nënës.
Ky kompleks zhvillohet gjatë fazës fallike të zhvillimit psikoseksual, midis moshës 3 dhe 6 vjeç, ashtu si Kompleksi i Edipit. Ai përshkruan mënyrën se si vajzat krijojnë marrëdhënie emocionale me prindërit e tyre dhe fillojnë të formojnë identitetin e tyre gjinor.
Pikat kryesore të teorisë përfshijnë:
- Dashuri për babanë: Vajza ndjen një lidhje të fortë emocionale dhe dashurie ndaj babait, të cilën Frojd e përshkroi si një dëshirë për vëmendje dhe miratim.
- Rivalitet me nënën: Vajza e sheh nënën si një konkurrente për dashurinë dhe vëmendjen e babait.
- “Zilia e penisit”: Frojd besonte se vajzat gjatë kësaj faze ndjejnë një lloj “zili” biologjike ndaj djemve dhe këtë ndjenjë e lidhin me mungesën e pushtetit apo autonomisë.
- Identifikimi me nënën: Në fazën përfundimtare, vajza mëson të identifikohet me nënën, duke adoptuar rolin e saj gjinor dhe duke krijuar marrëdhënie më të shëndetshme me të dy prindërit.
Frojd dhe Jung argumentuan se zgjidhja e Kompleksit të Elektrës është thelbësore për zhvillimin emocional dhe identitetin gjinor të vajzës. Vajza arrin të pranojë rolin e saj brenda familjes duke u identifikuar me nënën dhe duke kanalizuar dashurinë për babanë në mënyra më të pjekura.
Nëse ky kompleks nuk zgjidhet si duhet, Frojd besonte se mund të shkaktojë probleme të mëvonshme, si marrëdhënie të pasigurta, ndjenja të fajit, apo vështirësi në marrëdhëniet intime.
Kritikat ndaj teorisë
Kompleksi i Elektres ka qenë objekt kritikash të shumta, ashtu si edhe Kompleksi i Edipit. Kritikat kryesore përfshijnë:
- Mbështetja në stereotipe gjinore: Shumë kritikë argumentojnë se teoria mbështetet në supozime të vjetruara për rolet gjinore.
- Mungesa e provave shkencore: Nuk ka të dhëna të qarta që mbështesin konceptin e “zilisë së penisit” ose ndjenjave të forta të rivalitetit midis nënës dhe vajzës.
- Roli i kulturës dhe shoqërisë: Psikologjia moderne e vë theksin te ndikimet e mjedisit dhe kulturës në formimin e identitetit, duke e parë Kompleksin e Elektrës si një shpjegim të kufizuar.
Edhe pse Kompleksi i Elektrës nuk përdoret më si një teori universale, ai ka ndihmuar në zhvillimin e studimeve mbi marrëdhëniet familjare dhe procesin e formimit të identitetit te vajzat. Në psikologjinë moderne, theksi është zhvendosur drejt teorive të lidhjes (attachment theory) dhe rolit të mjedisit në zhvillimin emocional. Edhe pse teoria ka evoluar dhe është kritikuar gjatë dekadave, ajo mbetet një pikë interesante për të kuptuar dinamikën familjare dhe zhvillimin emocional.
ObserverKult
Lexo edhe: