20 artistë nga bota bëhen bashkë në një koloni artistike në Pogradec

Nuk është hera e parë që Pogradeci vlerësohet si një ndër vendet më piktoreskë për artistët vizualë.

Qyteti ka pritur këtë fillimviti dhjetëra piktorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Egjipti të cilët u bashkuan në një koloni artistike.

Përditë me radhë, ata hodhën në telajo punime të ndryshme nga kënde të ndryshme të qytetit si dhe abstraksione.

Për Sajmir Ahmetin, i cili organizon këtë koloni, Pogradeci mbetet një “muzë” në artin viziv për çdo piktor.

Raghda Ahmed Elmohandes, piktore nga Egjipti dhe Amire Demolli nga Prishtina e kanë gjetur veten mjaft mirë në këtë koloni, ato shprehen se jo vetëm kanë pikturuar, por kanë shkëmbyer eksperienca mjaft interesante me kolegët.

Ky është viti i 14-të që kjo koloni organizohet radhazi në Pogradec dhe çdo vit ka sjellë artistë nga shumë vende të botës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 10 ditë./a2news.com