Si sot 200 vjet më parë lindi Jani Vreto, shkrimtar, botues, figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare.
I emërtuar nga Robert Elsie si “Gutenbergu i shqiptarëve”, Jani Vretoja lindi në fshatin Postenan të Kolonjës më 14 janar 1822. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës. Kurse nga viti 1843 deri më 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur Zosimea në Janinë. Ashtu si vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, Vretoja i ri ndërtoi adhurim të përjetshëm për kulturën helene.
Por ishte pikërisht ky çast që i zgjoi Vretos për herë të parë interesimin për gjuhën e vendit të vet. Më 1847 ai hartoi një vjershë për Skënderbeun me alfabet grek. Ndërsa, më 1854 u shpërngul në Konstandinopojë, ku i ati merrej me tregti. U kthye në Korçë dhe vijoi tregtitë pranë vendlindjes, por një nga zjarret që shkrumboi gjithë Pazarin e Korçës e la të shkatërruar ekonomikisht, ndaj u kthye sërish në Stamboll.
Atje punoi si sekretar në një shoqëri duhanesh. Me fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt. Ndër ta ishin Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Botimi i parë i Vretos ishte një gramatikë e greqishtes e përkthyer shqip “Gramatikë e greqishtes së folur në gjuhën shqipe” (1866). Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij.
Kështu në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën Neologos, që shpallnin pretendime për treva që banoheshin nga shqiptarë në Epir, Vretoja botoi në Stamboll më 1878 punimin në greqisht “Apologjia”. Në të Vretoja shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Më 1879 komisioni botoi “Abetare e gjuhës shqip”, disa pjesë të së cilës u shkruan nga Vretoja, sidomos një shkrim me titullin “Udhë e të shkruarit të gjuhës shqipe”.
Vretoja ishte autor i Kanonizmës së shoqërisë. Në verë të vitit 1881, Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që ishin vendosur me banim aty. Nëpër Rumani dhe themeloi në Bukuresht një seksion të “Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip”. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj. Kjo shoqëri, e kryesuar nga Anastas Avramidi Lakçe, ngriti një shtypshkronjë shqiptare dhe më 1886 nisi misionin historik të botimit të librave në gjuhën shqipe. Vetëm në vitin e parë të punës dolën dhjetë libra të tillë, duke përfshirë dy libra të Vretos: “Mirëvetija” (Bukuresht 1886), dhe “Numeratoreja”, (Bukuresht 1886).
Praktikisht ishte Vretoja ai që bënte punët e shtypshkronjës: faqoste tekstet dhe pastaj interesohej për lidhjen e librave dhe për shpërndarjen e tyre. Ndër librat e botuar aty ishte një vepër e shkruar në fillim me alfabet arab, “Erveheja” e poetit mysliman Muhamet Kyçyku, i njohur edhe me emrin Muhamet Çami (1784-1844). Atë, Vretoja e transkriptoi në alfabetin e Stambollit e madje e pastroi nga orientalizmat. Një vit më pas ai botoi një vepër 158 faqesh me titull “Radhuashkronjë” (Llogaritje), për tregtarët dhe biznesmenët shqiptarë në Rumani. Siç ndodhte shpesh mes shqiptarëve të lëvizjes kombëtare, ndër udhëheqësit shqiptarë në Bukuresht shpërthyen debate.
Plaku Jani Vreto, në prag të varfërisë, ndjeu se i qe bërë padrejtësi kur publicisti Vissar Dodani zgjodhi një alfabet të ri të shqipes, të përshtatur nga rumanishtja, për botimin e gazetës së tij “Shqipëria”, 1897-1899. Duke prishur kështu punën e një jete të tërë të Vretos për përhapjen e përdorimit nga të gjithë të një alfabeti të vetëm shqip. Në tetor 1899, Vretoja u largua dhe vajti në Athinë. Vdiq në kryeqytetin grek në fillim të korrikut (atribuohet data 9 korrik) 1900, me sa duket nga uria e pleqëria.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot transkriptimin e fjalimit të J. Vretos mbajtur në mbledhjen e Shoqërisë Dituria, 14 janar 1896; ballina e tekstit “Mirëvetija”, përshtatur në shqip nga J. Vretoja, Bukuresht, 1886; kartëpostale e J. Vretos shumëfishuar në Paris nga Nikolla Lako (pas vdekjes së Vretos). /ATSH
__________________
Lexo edhe:
PËRKUJTOHET SHTJEFËN GJEÇOVI, PATRIOTI QË U VRA NGA SHËRBIMI JUGOSLLAV
ObserverKult