Qamili tregon luftën me Covid-19: Isha 21 ditë në koma…

Këngëtari i njohur i muzikës popullore, Bujar Qamili, ka rrëfyer luftën me Covid-19, duke treguar se këtë sfidë të vështirë e ka kaluar në Itali.

Ai ka theksuar se ka qëndruar për 21 ditë në koma dhe falë mjekëve është rikthyer në jetë.

“Unë erdha në Itali më tepër për pushim. Nuk është hera e parë por e disata herë që unë kam problem veshkat. Për problemin e tyre jam shtruar dhe në spital në Austri dhe në Suedi, e kam pak problem”.

“Këtu më kapën dhe u detyrova me shku në spital. Gjatë kohës që qëndrova në spital, telefonatën e parë që kam bërë me miqtë e mi në telefon. Ka qenë me mikun tim të familjes, poetin Ramazan Çeka, dhe i kam thënë jam sëmurë. Jam në spital me veshka dhe ai me të drejtë kur e kanë pyetur gazetarët ka thënë të njëjtën gjë”.

“U bëra mirë dola nga spitali, më erdhi një ftesë nga Adrian Hila që të jem pjesëmarrës në koncertin ‘Këngë moj’. Duhet të isha aty sepse sipas tyre do ishte e pamundur mos të isha aty për natën shkodrane”.

“Shkova aty, mbarova këngën dhe kemi mbaruar shumë vonë nga ora 3 e natës. Në hotel dhe të nesërmen në mëngjes i kam hipur avionit dhe kam ardhur në Itali, për pushime”.

Pas një periudhe të gjatë dhe të lodhshme jam mirë

“Atë ditë kam ardhur në drekë, kam ngrënë bukë dhe pasdite më ka filluar një temperaturë e lehtë që shkoi duke u rritur, 38, 38.5 dhe me të drejtë pjesëtarët e familjes u bënë merak dhe u detyrova të shkoj në spital. Në spital unë prapë mendoja mos isha me veshka. Më pas dola që kisha fituar dhe virusin”, u shpreh Bujar Qamili në një lidhje me Skype për News 24.

Më tej, ai tha se 100% është infektuar në Tiranë dhe ka falënderuar të birin që i ka qëndruar pranë për një muaj rresht.

“Pas një periudhe të gjatë dhe të lodhshme jam mirë. Unë dua ta falënderoj shumë në radhë të parë mjekët italianë të cilët më qëndruan shumë afër dhe më sollën në jetë. Kam lindur për së dyti. Dua të falënderoj djalin, i cili ka qëndruar gjatë gjithë kohës afër meje, afër 1 muaj rresht”.

“Të jem i sinqertë, unë në fillim jo se kisha frikë, por ngaqë janë dëgjuar shumë fjalë. Megjithatë vendosa të shkoj në spital. Në jetën time nuk kam pasur ndonjëherë jo vetëm siguri, por një përkushtim jashtëzakonisht të madh të tyre”.

“Ata sillen me çdo pacient ashtu, por me mua krijuan një afrimitet, pasi djali iu tregoi të gjitha videot e mia në YouTube, ata u kënaqën krejt. Kam qenë në gjendje të rëndë, në gjendje kome. Djali më ka thënë nuk dua të tregoj se çfarë ke kaluar”, deklaroi Qamili.

LEXO EDHE: Bujar Qamili flet për infektimin me Covid-19: Thoja me vete më mirë të mos jem më…