
Shtëpia muze e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli ruan kujtesën, jetën dhe krijimtarinë e një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga Tirana, Anisa Ymeri, drejtoreshë e përgjithshme e shtëpive studio Kadare–Agolli, foli për veçantinë e kësaj hapësire, e cila ka ruajtur një pjesë të madhe të elementeve origjinale të banesës ku shkrimtari jetoi dhe krijoi.
Në apartament ruhen mobiliet, studioja e punës, objektet personale, veshjet, fotografitë dhe dorëshkrimet e Dritëro Agollit. Vizitorët kanë mundësi gjithashtu të dëgjojnë poezi të interpretuara nga vetë zëri i shkrimtarit.
Agolli jetoi në këtë banesë nga viti 1974 deri në vitin 2017. Sot, ajo funksionon si muze në kuadër të Bashkisë së Tiranës, së bashku me shtëpinë studio të Ismail Kadaresë.
Sipas Ymerit, muzeumet mirëpresin çdo ditë vizitorë vendas e të huaj, nxënës, studentë dhe turistë nga vende të ndryshme të botës. Për ta, ofrohen guida në disa gjuhë, ndërsa vizitorët individualë mund të vijnë pa rezervim paraprak.
Të dyja shtëpitë muze janë të hapura nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe ndodhen pranë hotel Tiranës, në sheshin Skënderbej.
Ymeri ftoi qytetarët e Kosovës dhe diasporën që, gjatë vizitave në Tiranë, të njihen nga afër me trashëgiminë e dy shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë.
Ajo foli edhe për mundësinë e zgjerimit të rrjetit të shtëpive muze në Tiranë, duke theksuar se ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore kërkon mbështetje institucionale dhe financim të vazhdueshëm./rtk
Lexo edhe:
Pajtoni “aktor” në 16 filma të Kinostudios, çelet ekspozita e përhershme në Arkivin e Filmit






