Kjo është 22-vjeçarja që e mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar…

Maria Tuçi u lind më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz, Mirditë dhe ishte e bija e Nikollë Mark Tuçit dhe e Dilë Fushës. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër dhe më pas u bë mësuese në internatin e Oroshit.

Maria dallohej për shpirtin luftarak e human dhe dëshirën për t’u transmetuar dije të tjerëve. Në vitin 1946, sistemi komunist ndërmori një sërë masash persekutuese ndaj atyre që ushtronin besimin fetar. Maria i dënoi këto veprime duke u shprehur kundër poshtërimit që i bëhej kishës katolike nga komunistët. Ajo u arrestua më 10 gusht 1949, në kohën që pritej t’i bashkohej urdhërit të motrave stigmatine si murgeshë, pas një raprezalje të sistemit komunist të asaj kohe, lindur nga ekzekutimi i Bardhok Bibës sekretar i partisë komuniste në Mirditë, familjet më të dëgjuara të kësaj zone u dënuan, përfshi dhe ajo e Gjonmarkajve, të cilës Maria i përkiste.

Në të njëjtën ditë u arrestua dhe vëllai i saj, Mark Gjonmarkaj, i cili nuk e pa më as të gjallë, as të vdekur Marien. Në qelinë e burgut nuk hynte drita e diellit, ishte ftohtë dhe me shumë lagështirë.

Një e burgosur, Olimbi Baruti, e cila ndau qelinë me Marijen tregoi se në qeli nuk kishin ndërresa dhe vetëm një herë të afërmit e Maries u lejuan të sjellin rroba për të, e ajo i ndau me shoqen e saj. Një tjetër dëshmitare e asaj kohe, Vita Matlia, e cila ndau dy muaj të dënimit me të, shprehej se e vetmja mënyrë për t’u ngrohur në qeli ishte përqafimi me njëra-tjetrën.

Shefi i sigurimit të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili u magjeps nga bukuria e 22-vjeçares dhe mendoi se mund te abuzonte me të sipas dëshirës por kur hasi në rezistencën e saj, ai vendosi ta torturonte në mënyrën më çnjerëzore.

E mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej.

Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere, në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.

Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950, në moshën 22-vjeçare dhe ishte e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare./albfem

ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

Rrëfim rrëqethës i bashkëshortes: Skënderin nuk e njoha pasi e kishin torturuat aq shumë komunistët në burg…

ObserverKult