Petraq Kolevica: Sa borxh të madh i kemi nënës…

platoni petraq kolevica fli e dashur

Poezi nga Petraq Kolevica

Ç‘më ndritka hëna te krevati!
S’m’u fjetka sonte, po rri qetë
Vështroj në qiell si enden retë
Gjer treten tej nga Rozafati.

Mesnata ngjan se ka kaluar
Por, përkundrejt, një foshnje qan.
U ngrita, shoh sesi e mban,
Si e përkund dikush në duar.

E ëma qenka. I jep gji.
Dhe lehtë-lehtë i këndon,
E përkedhel, e ledhaton
Dhe e shëtit nëpër shtëpi.

Fëmia fjeti. E mbulon
Kjo nënë e dhembshur me kujdes
Ndërsa së largu një këndes
Afrim mëngjesi lajmëron…

Mendoj mbështetur në ballkon,
Ndërsa venitet drit’e hënës:
Sa borxh të madh i kemi nënës,
Një borxh që kurrë s’e kërkon.

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRAQ KOLEVICA VLERËSOHET ME ÇMIMIN “MJESHTËR I ARKITEKTURËS”

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë vlerësoi me çmimin “Mjeshtër i Arkitekturës” Petraq Kolevicën. Kolevica është një nga arkitektët e parë, që është formuar në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai gjithë jetën e tij e ka ndarë mes arkitekturës dhe letërsisë.

“Mjeshtër i Arkitekturës” për këtë vit në Shqipëri u vlerësua Petraq Kolevica. Ky çmim iu dorëzua në moshën 85-vjeçare nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë në ArTurbina, për veprat e bukura, por edhe për jetën prodhimtare që ka pasur.

I lindur edhe i rritur në qytetin e Korçës ndikimet që do të merrte nga piktori Vangjush Mio do t’i reflektonte më pas në zgjedhjet që do të bënte. Pas studimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës, Kolevica do të ishte një nga studentët e parë, që do të përfundonte studimet për Inxhinieri Ndërtimi edhe do t’i dedikohej arkitekturës.

Për arkitekturën, por edhe për kontributin që Kolevica ka dhënë në letërsinë shqipe, miqtë edhe kryetari i Shoqatës, Armand Vokshi, e cilësojnë Kolevicën një figurë poliedrike.

“Është një moment shumë i veçantë, sepse Petraq Koelvica e meriton këtë vlerësim për të gjithë ato vepra të bukura që ka bërë edhe për të gjithë atë jetë prodhimtare që ka pasur”, shprehet Vokshi.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult