Sot mbushen 23 vite nga vrasja e veprimtarit Xhemail Mustafa. Në kujtim të veprës së tij ua sjellim lexuesve një poezi përkushtuese të Shaip Beqirit kushtuar mikut të vrarë.
Shaip Beqiri: Shokut tim, Xhemail Mustafës
Unë endem në dhe të huaj
Derisa hija jote ngrin
Mes tempujsh
Në pikë të ditës
Në prag të shtëpisë
Vdekja nuk ec më tej
Është shndërruar në torzo
Me hijen e rruzullit tënd
Rrokulliset fushave të natës
Deri te syri i ngulur në një pikë
As agimi s’del prej atij zhgualli
Me na zgjuar të mërrudhur
Rrëzë statujave pa trup
Varur gërshetëve të ujvarës
Që rrëkëllehet me furi
Çdo gjë jotja u bë akull
Dhe gjaku një perde e rëndë
Lëshuar përgjithnjë në grykën
Nëpër të cilën s’hyn më drita
As pikëllimi kurrë nuk ikë
Bern, 23 nëntor 2000
ObserverKult
Xhemail Mustafa (23 gusht 1953 – 23 nëntor 2000), ishte gazetar, politikan i angazhuar në LDK, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.
Xhemail Mustafa lindi në fshatin Gllamnik të Komunës së Podujevës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa diplomoi për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Nga fundi i viteve 70-ta punoi në gazetën Rilindja si redaktor i kulturës dhe më pas në vitin 1992, punoi në Qendrën e Informimit të Kosovës (QIK) deri në fund të jetës se tij ku dha kontribut të jashtëzakonshëm.
Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Deri sa po hynte në banesën e tij ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona dhe si pasojë të plagëve të marra vdiq në klinikë. Vrasja e tij ishte e motivuar politikisht, dhe autorët e vrasjes ende nuk janë kapur.
———————————————–
Lexo edhe poezinë e Mustafës kushtuar Adem Demaçit:
XHEMAIL MUSTAFA: MES GRILASH – FENIKS
Agimin e zi po e ngjyros me lotë kujtimi
Derisa këngën po e thyej nëpër fytyrën tënde
E në heshtje po tretem e fikem si jetimi
Me ndezë dëshirat e fjetura si krande
Dhe prore po zbres në sytë e rrugëve kah ti
E ëmbël është vdekja në qëllim –
Me e puthë atë dritë në horizonte që rri
Akoma i etur jam në këtë varg, i humbur në trishtim
Qetësi e natës kridhet në grila e mbërthyer
I lodhur një zog diku me krahë të thyer
Tash këngës ia thotë me afsh në gji –
I amshuar balsam në varg qëndron
Këngë ngadhënjimi lyrë e poetit shënon
Rrugët ndrit qëllimi në këtë natë plot vetmi
Gllamnik – Podujevë
ObserverKult
—————————
RRËFIMI I ADEM DEMAÇIT PËR STUDIMET NË BEOGRAD, SHOQËRIMIN ME DANILLO KISHIN DHE RROGËN…