reklamë

24-vjetori i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”: Çmimi “Guximi Intelektual 2025” i ndahet prof. dr. Afrim Blyta


“Një shoqëri fillon ta humbasë mençurinë atëherë kur pushon së admiruari dijen dhe fillon të adhurojë padijen e veshur me vetëbesim.”

Nga: Blerim Valla

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë shënoi 24-vjetorin e themelimit të saj me një manifestim solemn, në të cilin u mblodhën anëtarë të shoqatës, profesorë, intelektualë, krijues, veprimtarë të jetës kulturore dhe qytetarë. Pika qendrore e këtij aktiviteti ishte ndarja e çmimit tradicional “Guximi Intelektual 2025”, që këtë vit iu dha doktorit të njohur Afrim Blyta për kontributin e tij profesional, akademik dhe qëndrimin e tij intelektual e qytetar.

Manifestimi ishte njëherësh një rast për të reflektuar mbi rrugëtimin 24-vjeçar të kësaj shoqate, misionin e saj në promovimin e dijes dhe vlerave intelektuale, si dhe përgjegjësinë që intelektuali duhet të ketë ndaj shoqërisë dhe kohës në të cilën jeton.

Një rrugëtim 24-vjeçar në shërbim të dijes dhe mendimit të lirë

Në fjalën e hapjes, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, prof. dr. Ruzhdi Sefa, duke përshëndetur të pranishmit, rikujtoi historikun, veprimtarinë dhe misionin e kësaj organizate, të themeluar në vitin 2002. Ai theksoi se Shoqata “Jakova” që nga themelimi ka synuar të jetë një hapësirë e mendimit të lirë, e komunikimit intelektual, e promovimit të dijes dhe e trajtimit të çështjeve me interes publik.

Gjatë këtyre 24 viteve, shoqata ka organizuar promovime librash e monografish, takime me autorë, tryeza tematike, akademi përkujtimore dhe aktivitete të shumta kulturore e sensibilizuese, duke krijuar hapësirë për studiues, krijues, profesionistë dhe personalitete nga Gjakova, Kosova dhe Shqipëria.

Prof. Sefa veçoi edhe bashkëpunimin e shoqatës me Universitetin “Fehmi Agani”, Rotary Club Gjakova, OV LANÇ, OJQ “Kultus”, Rrjetin Intelektual Shqiptar dhe organizata të tjera, si dhe angazhimin për iniciativa e projekte të reja në interes të qytetit dhe shoqërisë.

Vëmendje të veçantë ai i kushtoi revistës “Gjakova e Re”, e cila vazhdon të jetë një nga instrumentet më të rëndësishme të komunikimit publik të shoqatës, krahas projekteve dokumentare dhe monografike që synojnë ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e trashëgimisë te brezat e ardhshëm.

Duke folur për rëndësinë e çmimit “Guximi Intelektual”, kryetari Sefa nënvizoi se përzgjedhja e prof. dr. Afrim Blyta për vitin 2025, e mbështetur në rregullore dhe procedura transparente, dëshmon përkushtimin e shoqatës për të vlerësuar integritetin, guximin qytetar dhe qëndrimin intelektual.

Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje të veçantë për themeluesit dhe personalitetet që kontribuuan në ngritjen e kësaj shoqate, shumë prej të cilëve tashmë nuk janë në mesin tonë, por që mbeten pjesë e kujtesës dhe identitetit të saj – tonë.

Në mesin e tyre janëi: Akademik Besim Bokshi, Akademik Pajazit Nushi, Akademik Minir Dushi, Akademik Esat Stavileci, prof. dr. Ymer Jaka, prof. dr. Masar Rizvanolli – kryetar shumëvjeçar i Shoqatës, prof. dr. Qamil Gexha, prof. Xhevat Koshi, arkitekti Skënder Këpuska, ekonomistja Nurije Haxhikadrija, dr. Enver Pula, mr. Bujar Domi dhe inxhinieri i diplomuar Bashkim Vesvesja.

“Këta personalitete, me vizionin, përkushtimin dhe autoritetin e tyre intelektual, e themeluan dhe e ngritën shoqatën për një mision fisnik, duke i dhënë jo vetëm Gjakovës, por mbarë shqiptarisë një institucion që mbetet pasuri e madhe dhe e çmuar intelektuale”, theksoi prof. dr. Ruzhdi Sefa.

“Guximi Intelektual 2025” për prof. dr. Afrim Blyta

Pas fjalës përshëndetëse dhe paraqitjes së rrugëtimit të shoqatës, në vazhdim të manifestimit u bë ndarja e çmimit “Guximi Intelektual 2025” për prof. dr. Afrim Blyta, neuropsikiatër, profesor universitar dhe psikoterapist i njohur.

Ky vlerësim përbën një mirënjohje për kontributin e tij profesional e akademik, por edhe për angazhimin publik dhe qëndrimin intelektual në trajtimin e çështjeve me rëndësi për shoqërinë bashkëkohore.

Pas marrjes së çmimit, prof. dr. Afrim Blyta para të pranishmëve prezantoi kumtesën me titull “Rënia e mençurisë, kultura e famës dhe kriza e mendimit kritik në shoqërinë moderne”, një trajtesë e gjerë, me përmbajtje filozofike, psikologjike dhe shoqërore, që preku disa nga dukuritë më shqetësuese të kohës sonë.

Ishte një kumtesë që shkonte përtej një analize akademike, duke shtruar pyetje të drejtpërdrejta për mënyrën se si shoqëria jonë i vlerëson njerëzit, si formon opinionin publik dhe çfarë vendi u jep dijes, urtësisë dhe mendimit kritik.

Kur fama vlerësohet më shumë se mençuria, ndërsa padija fiton autoritet publik

Në fillim të kumtesës së tij, prof. dr. Blyta shtroi një pyetje thelbësore: A kemi arritur në një pikë ku shoqëria jonë i vlerëson më shumë njerëzit që bëjnë zhurmë sesa ata që kanë njohuri? Pse një deklaratë sipërfaqësore mund të marrë mijëra pëlqime, ndërsa një hulumtim shkencor, një mendim i argumentuar apo një analizë serioze kalon pothuajse pa u vënë re?

Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i shoqërisë moderne: dikur dija, përvoja, urtësia dhe karakteri konsideroheshin ndër vlerat më të rëndësishme të njeriut, ndërsa sot, gjithnjë e më shpesh, fama, pasuria, pamja e jashtme dhe numri i ndjekësve shndërrohen në tregues të suksesit dhe rëndësisë shoqërore.

Sipas tij, problemi nuk është se njerëzit bëhen të famshëm. Problemi fillon atëherë kur fama ngatërrohet me mençurinë, popullariteti me kompetencën dhe vetëbesimi me inteligjencën.

Një nga mesazhet më domethënëse të kumtesës ishte se mençuria fillon me vetëdijen për padijen tonë. Njeriu i mençur nuk ka frikë të thotë “nuk di”. Përkundrazi, është i gatshëm të dëgjojë, të mësojë, të hulumtojë dhe ta ndryshojë mendimin kur përballet me argumente më të forta.

Ndërsa njeriu arrogant, siç vuri në dukje ai, shpesh e sheh pyetjen si sulm, kritikën si fyerje dhe mospajtimin si kërcënim.

Blyta tërhoqi vëmendjen te një dukuri gjithnjë e më e pranishme në hapësirën tonë publike: individë që flasin me siguri absolute për politikën, ekonominë, shkencën, historinë, mjekësinë dhe fusha të tjera, pa pasur njohuritë e nevojshme.

Ai bëri dallimin ndërmjet të drejtës për të pasur një opinion dhe pretendimit që opinioni personal të paraqitet si fakt. Sepse, sipas tij, problemi nuk është se njerëzit kanë mendime të ndryshme, por kur padija maskohet me vetëbesim dhe refuzimi për të mësuar konsiderohet shenjë force.

Një vëmendje të veçantë në kumtesë iu kushtua kulturës së famës së shpejtë dhe ndikimit të rrjeteve sociale, si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube. Këto platforma kanë krijuar mundësi të reja për komunikim dhe shpërndarje të informacionit, por njëkohësisht kanë nxitur edhe një kulturë ku shpesh përmbajtja provokuese, skandali dhe zhurma marrin më shumë vëmendje sesa dija dhe krijimtaria.

Në këtë kontekst, ai solli një krahasim domethënës: një profesor universiteti mund të kalojë dekada duke studiuar, hulumtuar dhe publikuar, ndërsa një person tjetër mund të bëhet i famshëm brenda natës përmes një videoje disa sekondëshe.

Por, shtroi ai, a do të thotë kjo se personi më i famshëm është edhe më i vlefshëm për shoqërinë?

Përgjigjja e tij ishte e qartë:

“Dukshmëria nuk është e njëjtë me vlerën, ndërsa fama nuk është e njëjtë me meritën.”

Kjo ishte një nga tezat qendrore të kumtesës, me të cilën ai vuri në pikëpyetje kriteret e sotme të vlerësimit shoqëror. Dija kërkon vite pune, mençuria kërkon përvojë dhe reflektim, ndërsa karakteri kërkon integritet dhe përgjegjësi. Fama, në anën tjetër, mund të vijë brenda pak orësh.

Rreziku kur padija fiton autoritet publik

Një pjesë tjetër e rëndësishme e kumtesës iu kushtua efektit Dunning-Kruger, një dukuri e studiuar në psikologji, që lidhet me prirjen e individëve me njohuri ose aftësi të kufizuara në një fushë për t’i mbivlerësuar aftësitë e tyre, ndërsa njerëzit më kompetentë shpesh janë më të vetëdijshëm për kompleksitetin e çështjeve dhe kufijt e njohurive të veta.

Duke e trajtuar këtë fenomen në raport me realitetin e sotëm, prof. Blyta vuri në pah rrezikun që individë pa përgatitje profesionale të japin këshilla për shëndetin, të gjykojnë ekonominë apo të japin verdikte historike, duke krijuar përshtypjen e ekspertit vetëm përmes një komunikimi bindës dhe vetëbesimi të tepruar.

Në këtë mënyrë, rreziku nuk mbetet vetëm te përhapja e informacioneve të pasakta, por te fakti se padija mund të fitojë autoritet publik dhe të perceptohet si dije.

Ai analizoi edhe arsyet pse shoqëria ndonjëherë u jep përparësi individëve që nuk kanë domosdoshmërisht vlera të mëdha intelektuale: prirja për argëtim të lehtë, admirimi i pasurisë dhe dukjes së jashtme, kërkimi i përgjigjeve të thjeshta për probleme komplekse dhe ngatërrimi i guximit me arrogancën.

Në këtë pikë, një tjetër mesazh i tij meriton të veçohet:

“Mençuria nuk ka nevojë të bërtasë.”

Njeriu i mençur, sipas tij, është ai që di të dëgjojë, të analizojë, të parashtrojë pyetje dhe të flasë vetëm atëherë kur ka diçka me vlerë për të thënë.

Por, shqetësimi i prof. Blyta-s nuk u kufizua vetëm në kulturën e komunikimit dhe rrjetet sociale. Ai paralajmëroi se kjo dukuri mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, arsimin dhe të ardhmen e shoqërisë.

Një demokraci e shëndoshë kërkon qytetarë të informuar, të aftë për të dalluar faktet nga propaganda, argumentet nga manipulimi dhe kompetencën nga popullariteti. Kur vendimet publike fillojnë të ndikohen më shumë nga fama dhe spektakli sesa nga faktet dhe përgjegjësia, atëherë rrezikohet vetë cilësia e jetës demokratike.

Edhe arsimi, sipas tij, duhet të jetë shumë më tepër sesa marrje diplomash dhe përsëritje informacionesh. Universiteti duhet të jetë hapësirë ku sfidohen idetë, zhvillohet mendimi kritik dhe kërkimi i së vërtetës vendoset mbi interesat personale.

Një shoqëri që nuk e vlerëson dijen bëhet më e cenueshme ndaj manipulimit, ndërsa një arsim që nuk i mëson të rinjtë të analizojnë dhe të parashtrojnë pyetje rrezikon të prodhojë njerëz që dinë të përsërisin përgjigje, por jo të mendojnë në mënyrë të pavarur.

Intelektuali nuk duhet të heshtë përballë padrejtësisë dhe zhvlerësimit të së vërtetës

Një nga dimensionet më të rëndësishme të kumtesës ishte edhe përgjegjësia morale dhe qytetare e intelektualit në shoqëri.

Prof. Blyta vuri në dukje se historia jonë na kujton se shoqëria jo gjithmonë i shpërblen ata që kërkojnë të vërtetën. Madje, jo rrallë, pikërisht njerëzit që përpiqen të ballafaqojnë shoqërinë me argumente dhe të vërteta të pakëndshme bëhen objekt i kundërshtimeve, sulmeve dhe anatemimit.

Ai tërhoqi vëmendjen te fakti se individët që mbrojnë qëndrime parimore dhe nuk pajtohen me interesa të caktuara mund të përballen me baltosje dhe përjashtim nga një pjesë e hapësirës publike.

Ky është një shqetësim që prek drejtpërdrejt pozitën e intelektualit në shoqërinë tonë. Intelektuali nuk duhet të jetë vetëm bartës i dijes, por edhe zë i ndërgjegjes qytetare, i mendimit kritik dhe i përgjegjësisë publike.

Të jesh intelektual nuk do të thotë të kesh vetëm tituj akademikë, por të kesh integritet, guxim për të mbrojtur të vërtetën, respekt për mendimin ndryshe dhe përgjegjësi ndaj interesit të përgjithshëm.

Në këtë frymë, ai trajtoi edhe rëndësinë e respektimit të diversitetit, tolerancës dhe mirëkuptimit si vlera që e pasurojnë shoqërinë dhe krijojnë mundësi për bashkëjetesë e bashkim qytetar.

Rikthimi i meritës dhe respektit për dijen

Në përmbyllje të kumtesës, prof. dr. Afrim Blyta paraqiti edhe disa rrugë për tejkalimin e kësaj krize të vlerave.

Ai kërkoi rikthimin e respektit për dijen dhe meritën, vlerësimin e mësimdhënësve, studiuesve, shkencëtarëve dhe profesionistëve që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë; dallimin e famës nga kompetenca; kultivimin e kulturës së pyetjeve dhe të dyshimit kritik; si dhe zhvillimin e përgjegjësisë në përdorimin e mediave sociale.

Veçanërisht theksoi rëndësinë e edukimit medial, në mënyrë që të rinjtë dhe qytetarët të mësojnë të dallojnë informacionin e besueshëm nga lajmet e rreme dhe të mos e ngatërrojnë popullaritetin me të vërtetën.

Në këtë pjesë të kumtesës, disa nga formulimet e tij përbënin një përmbyllje të fuqishme të mesazhit që përcolli:

“Mund të kemi telefona inteligjentë, por kjo nuk do të thotë se kemi mendime të mençura. Mund të kemi miliona informacione, por kjo nuk do të thotë se kemi dije. Mund të kemi miliona ndjekës, por kjo nuk do të thotë se kemi vlera.”

Dhe, duke e përmbledhur thelbin e gjithë kësaj trajtese, ai dha një mesazh që meriton të mbetet si thirrje për reflektim të secilit prej nesh:

“Një shoqëri fillon ta humbasë mençurinë atëherë kur pushon së admiruari dijen dhe fillon të adhurojë padijen e veshur me vetëbesim.”

Ai e përfundoi kumtesën me një thirrje për të mos u bërë bashkëfajtorë në adhurimin e të paditurve, por për ta rikthyer në piedestal urtësinë, mendimin e argumentuar dhe etjen për dije.

Sepse, siç theksoi ai, civilizimi nuk ndërtohet me numrin e ndjekësve, por me thellësinë e mendimit dhe forcën e karakterit.

***

Prof. Asc. Dr. Afrim Blyta është neuropsikiatër, profesor universitar dhe psikoterapist. Ai ushtron veprimtarinë profesionale në fushën e neurologjisë, psikiatrisë dhe shëndetit mendor, është profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe ka pasur përgjegjësi drejtuese në institucionet shëndetësore të Kosovës. Gjithashtu, është kryetar i Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës dhe kryesues i Këshillit Kombëtar të Neuroshkencës së Kosovës. Përmes veprimtarisë së tij akademike, profesionale dhe paraqitjeve edukative në media, ai ka kontribuar në trajtimin e temave me rëndësi për shëndetin mendor dhe mirëqenien e shoqërisë.

Për Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, ndarja e këtij çmimi për vitin 2025 përbën vazhdimësi të një tradite të vlerësimit të personaliteteve që kanë dëshmuar integritet, qëndrim parimor dhe guxim intelektual. Ndër laureatët e deritashëm të këtij çmimi janë: prof. Nezir Kraki, politolog dhe profesor universitar; prof. Kadrush Radogoshi, shkrimtar, kritik letrar dhe studiues; Jusuf Buxhovi, historian, shkrimtar dhe publicist; prof. dr. Luljeta Pula-Beqiri, veprimtare e çështjes kombëtare dhe profesore universitare, laureate për vitin 2023; si dhe Bajram Kabashi, gazetar dhe publicist, laureat për vitin 2024.

Me përfshirjen e prof. dr. Afrim Blyta-s në këtë listë, Shoqata “Jakova” vazhdon traditën e saj të nderimit të personaliteteve që me punën, dijen dhe qëndrimin e tyre kontribuojnë në jetën publike.

Shënimi i 24-vjetorit dhe ndarja e çmimit “Guximi Intelektual 2025” ishin, kështu, më shumë se një ceremoni përkujtimore. Ishin një rikujtim se shoqëria ka nevojë për institucione që promovojnë dijen, për intelektualë që nuk i shmangen së vërtetës dhe për njerëz që guxojnë të mbrojnë vlerat edhe kur ato nuk janë të popullarizuara.
Sepse një shoqëri nuk mund të ecë përpara duke e vendosur famën mbi meritën, zhurmën mbi argumentin dhe padijen mbi dijen. Ajo ka nevojë për mendje të ndritura, për ndërgjegje të lirë dhe për guxim intelektual.

ObserverKult