25 vite pa Lec Bushatin, aktorin që i mungon skenës

Lec Bushati, lindi më 10 korrik 1923 në Shkodër. Qysh nxënës në Kolegjin Saverian të qytetit interpretoi në pjesët “Princi i Drishtit” dhe “Udha”. Mbaroi studimet në Institutin dyvjeçar “Aleksander Xhuvani” dhe më pas shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, më 1964. Është ndër aktorët e parë të teatrit “Migjeni”. Deri në fillim të viteve ’50 interpretoj me grupin teatror të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, nën regjinë e Andrea Skanjetit, në disa drama, si: “Nën gështenjat e Prages”, “Çështja ruse”, “Portreti”.

Kur e nisi karrierën si aktor profesionist

Me dramën “Nora” Lec Bushati nis karriera e tij si aktor profesionist, pasur me shfaqje të tjera të suksesshme, si: “Koprraci”, “Tirani i Padovës”, “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Shtëpia e kukullës”, “Tragjedia optimiste”. “Gënjeshtra me këmbë të gjata”, “Hetimi” ” Gjaku i Arbrit” etj. Ka luajtur mbi 150 role, shumë herësh të para, kryesisht të planit epik, dramatik e tragjik, transmeton ‘aktoret.com’.

Lec Bushati Ishte nga aktorët e pëlqyer për figura të kahut pozitiv, po aq edhe për antagoniste të fortë, që krijonin skena, dialoge e gjendje të ndera dramatike, në konflikt me heronjtë dhe interesat e tyre. Ka jetësuar personazhe nga ato sociale e historike kombëtare në dramat “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucës, “Nora” e Andrea Skanjetit, “Cuca e maleve” e Loni Papës. “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Përkolgjinajt” e Kolë Jakovës.

U dallua veçanërisht me rolin e Tuç Makut në dramën “Toka jonë” e K. Jakovës (1970), ku theksoi natyrën e rëndë, autoritare e të vrazhdë, me fjalën e ngadaltë. Gjestin shënjues dhe qëndrimin “e matur”, duke u kujdesur sakaq për ruajtjen e një petku dhe hijeje kinse të dhembshur, prindërore e të përkorë me Lekën, Murashin, Filen etj.

Me rolin e Lucianit te drama “Lindje në shtrengatë” e Serafin Fankut, i dha frymë një figurë komplekse, falë rrafsheve dhe kundërshtive të nderthurura semantike që plotësonin njëri-tjetrin, si dhe heshtjeve të mbushura me nënkuptime e gjendje të dyzuara.

Në një stil dhe formatim epiko-dramatik luajti me vonë rolin e malësorit Bale në dramën “Shpartallimi” (1978), si dhe atë të Plakut të urtë, mendtarit dhe kumtarit të vetëdijes së fisit të Arbërit në dramën “Gjaku i Arbërit” (1981), të dyja të Fadil Krajës.

Interpretimi i tij aktoresk ishte i ndjerë, përgjithësisht në tone të ulëta, me pauza të gjata e të mbushura me emocion. Duke realizuar paradigma etnopsikologjike të pëlqyera gjerësisht nga publiku.

Lec Bushati Kishte një zë të thellë, sy të ngulitur, lëvizte mirë nëpër gjendjet dramatike të personazheve, në udhëkryqin për të zgjedhur e parcaktuar fatin apo rrugën e pritshme të tyre. Ishte impozant dhe i hijshëm nga pikëpamja plastike. Luante me dritëhijet, kundërshtitë dhe pjesën e kamufluar e të mistershme të personazheve, të cilat e mbanin ngrehur tensionin e brendshëm shpirtëror të lojës.

Me rolin e Kadri Bajraktarit në dramën “Baca i Gjetajve” ai e pasuroi me tej mjeshtrin e tij të aktrimit me një tjetër pamje. Duke mishëruar tani me një figurë “negative”, atë të njeriut inatçor e hakmarrës, i cili u trajtua edhe nga një këndveshtrim realist e i natyrshëm. Lec Bushati ka luajtur edhe në disa filma, si: “Detyrë e posaçme “(1963), “Ditët që sollën pranverën” (1979), ku interpretoi rolin kryesor, atë të Vuksan Sadrisë. “Të paftuarit” (1985), rolin e babait të Gjorgut;.“Shembja e idhujve” (1977), kapedanin etj. Leci mbante titullin “Artist i Merituar”.

Ndahet nga jeta më 16 shtator 1996.

LEXO EDHE: Maria Kalas, fëmija i padëshiruar që u shndërrua në legjendë të skenave operistike