Sot shënohet 269-vjetori i ndarjes nga jeta të ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut imzot Gjon Nikollë Kazazin.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë, duke përkujtuar këtë datë, thekson se, ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur studiuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III, 194”.
Gjon Nikollë Kazazi lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku përfundon studimet. Në vitin 1727 mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 410vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.
Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit e, kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.
Ndërroi jetë më 5 gusht 1752. Në këtë ditë të amëshimit të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujton kontributin e imzot Kazazit si gurthemel në panteonin e besimit dhe gjuhës shqipe.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon edhe fletë të “Mesharit” të Gjon Buzukut, sjellë dhuratë nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri./ATSH