30 vite pas rënies së diktatutës komuniste për herë të parë kanë nisur gërmimet në Burgun e Burrelit për gjetjen e eshtrave të shtetasit italian Giuseppe Terrusi, i cili vdiq në këtë burg në vitin 1952.
Nga Blerina Gjoka
Eskavatorët kanë hedhur kovat në një copë tokë që fsheh brenda errësirës dhjetra a ndoshta qindra trupa njerëzorë. Janë të zhdukurit e diktaturës komuniste që nuk iu dha mundësia të kishin një varr, veçse rrip toke me dhe të kuq poshtë një qershie. Kjo pemë që lajmëron stinën e jetës, mbirë në oborrin e burgut famëkeq të Burrelit, u kthye kësisoj në një shenjësim vdekjeje. Paradoksalisht edhe në një simbol shprese për gratë, nënat e bijtë që kishin humbur të dashurit në këtë burg të hekurt.
Ajo qershi që çeli lulet e pranverës mbi eshtrat e njerëzve të pafaj nuk ekziston më, por eskavatorët shenjuan gropën e parë pranë një peme të gjelbërt. Varri tek “qershia”, siç e quanin të burgosurit, është vetëm një prej të paktën 35 varreve masive që u përdorën nga diktatura për të varrosur të pushkatuarit ose ata që vdiqën burgjeve gjatë 45 viteve diktaturë. Për kundërshtarët politikë nuk rezervohej një varrim dhe lotët e atyre që i deshën në këtë jetë, derdheshin veçmas, fshehurazi, për t’u zhdukur edhe në atë jetë.
Burgu u ndërtua nga mbreti Zog si institucion i sigurisë së lartë për të burgosurit ordinerë, por ai u përdor që në vitet e para nga komunistët për dënimin e kundërshtarëve politikë. Dëshmitë e të mbijetuarve nga ky burg tregojnë për një gropë të madhe të hapur pas burgut, e cila shërbeu si varr masiv, kryesisht në vitet e para, kur sëmundjet dhe uria bënin kërdinë mes qindra të burgosurve. Ata kujtojnë se rreth kësaj grope nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një peme qershie që qëndronte pranë vdekjes si një vajtuese e heshtur. Historia e kësaj peme që u gjend rastësisht në atë vend të ashpër me baltë të kuqe u bë vite më parë edhe frymëzim për një regjisor nga Gjermania, i cili realizoi filmin “Qershia”.
“Ku varroseshin gjithë ato kufoma?” “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”- kujton Engjëll Kokoshi, ish i burgosur politik në këtë burg gjatë një bisedë me Aldo Renato Terrusin pas viteve ’90.
Terrusi, kishte ikur 5 vjeç nga Shqipëria ku kishte lënë babain në këtë burg dhe u rikthye në vendin ku ai prehet padrejtësisht pa një gur varri. Është pikërsisht këmbëngulja e Aldos që arriti të çonte në pas shumë vitesh në hapjen e gërmimeve tek “Qershia” me shpresën për të gjetur eshtrat e të atit e bashkë me të dhe dhjetra apo qindra të pafajshmëve të tjerë që të vetmin mbishkrim që patën pas vdekjes ishin gjethet e thara të një peme qershie.
Gjetja e eshtrave të italianit Terrusi
30 vite pas rënies së dikatutës komuniste për herë të parë kanë nisur gërmimet në Burgun e Burrelit për gjetjen e eshtrave të shtetasit italian Giuseppe Terrusi, i cili vdiq në këtë burg në vitin 1952. Në këtë burg mendohet se janë varrosur dhe shumë të burgosur të tjerë që kanë humbur jetën gjatë dënimit nga torturat, sëmundjet ose uria, por është hera e parë që shteti shqiptar ndërmerr një akt të tillë për gjetjen e tyre. Gazeta Mapo mëson se ka qenë këmbëngulja e ambasadës italiane në Tiranë dhe djalit të Giuseppe Terrusi, Aldo Aldo Renato Terrusi, që ka çuar drejt këtij veprimi. Pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe ambasadës italiane është ngritur një task-force e posaçme për të nisur këtë proces. Shumë familjarë që kanë humbur të afërmit në këtë burg shpresojnë që ky hap të çojë dhe drejt gjetjes së eshtrave të të dashurve të tyre. Ky është vetëm një hap i parë dhe shumë i vonuar për gjetjen e të zhdukurve gjatë komunizmit që u pushkatuan ose vdiqën në burgje gjatë viteve 1945-1991. Sipas shifrave zyrtare janë afro 6 mijë të zhdukur gjatë diktaturës, kryesisht të burgosur politikë. Procesi do të monitorohet me ekspertët e ogranizatës ndërkombëtare ICMP që është e specializuar në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve gjatë luftrave apo regjimeve totalitare.Giuseppe Terrusi erdhi në Shqipëri si nëndrejtor i bankës italiane në Gjirokastër. Më pas emërohet drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë. Arrestohet në vitin 1945 me akuzën që u kishte dorëzuar me dëshirë bankën gjermanëve, kur në letrat e tij shprehet qëndrimi antagonist me pushtuesit gjermanë. Burgoset fillimisht në Vlorë dhe pas 4 vitesh çohet në burgun e Burrelit, ku ndërron jetë në vitin 1952. I biri, i lindur në Vlorë dhe i riatdhesuar me të ëmën, në vitin 1949, në Itali, kërkon prej vitesh të marrë eshtrat e të atit në atdhe.
Odiseja e Aldo Terrusit në kërkim të të atit
Aldo Renato Terrusi u rrit në Itali vetëm nga e jëma, pasi babai i tij ishte burgosur dhe kishte vdekur në Burgun e Burreli fill pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Por Aldo u rrit me historinë e babait dhe sapo diktatura ra ai shkeli për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993 me një qëllim të epërm; gjetjen e eshtrave të babait. Prej dekadash është endur në dyert e institucioneve pa arritur do të zgjidh gjë. Një vit më parë në tetor ai do të shkruante “Odiseja ime vazhdon…” duke shprehur pesimizmin e tij. Djali i ish-drejtorit të Bankës italo-shqiptare në Vlorë tregonte se si burokracitë e pafundme të shtetit shqiptar e kishin mbajtur varur pa i dhënë zgjidhje derisa ndërhyri ambasada italiane pranë kryeministrit Edi Rama disa muaj më parë për të marrë një dakordësi që të më në fund të nisnin gërmimet./kujto.al