Dervish Shaqa ishte njëri nga rapsodët më të veçantë në të gjitha trevat shqiptare. Ai ka dhënë kontribut të shquar në kultivimin e këngëve popullore me vlerat të larta patriotike për dekada të tëra. Për shkak të përndjekjes nga sigurimi i ish -Jugosllavisë, Shaqa me 1956 u largua për në Shqipëri ku jetoi deri në vdekje më 1985 në Rashbull afër Durrësit.
Dervish Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit në vitin 1912. U largua nga Kosova në vitin 1956 në kohën e aksionit famkeq të përndjekjes, të njohur si “aksioni i mbledhjes së armëve” që ndërmerrte në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë (UDB-ja) kundër shqiptarëve.
Së bashku me kolegun e tij të këngës Demush Neziri, u vendosën në Rashbull afër Durrësit, ku vazhdoi këngën. Në vitin 1968 prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar ne Gjirokastër.
Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa dhe kolegu i tij gjenden në arkivin e Radio Tiranës.
Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” që për disa vite ka dominuar në përsëritjen e saj në Radio Stacionin e Tiranës, transmeton ObserverKult.
Ndër këngët e tij më të njohura janë:
- Oj Shqipëri, mos thuaj marova“
- “Të shtatë krajlat e rrehin teli”
- ”Kërsiti pushka, ushtoi mali”
- “Kur ta kthyem Kosovë shpinën”
- “Kamer Loshi”
- “Kurrë Kosovë s’tu da gazepi”
- “Isa beg po t’thrret nona”
- “Nak Berisha”
- “N’verra t’Llukës, e n’qafë t’Morines”
- “Haxhe Mustafa”
- “Prej Podrimës po vjen haberi”
- “Pyet Kosova për nji çikë”
- “Kenga e Rexhës”
- “Haj medet për Lug t`Baranit”
- “N’drrasë të vekut kush po kanë”
- “Moj e mira n`derë të stanit”
- “E kam pas nji çiteli”
Në vitin 2019 presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave rapsodin Dervish Shaqa.
Sipas Thaçit, kjo medalje rapsodit Dervish Shaqa i është ndarë për kontributin e dhënë në kultivimin e këngëve popullore me vlera të larta patriotike për dekada të tëra.
“Familjes së rapsodit të njohur Dervish Shaqa, ia dorëzova Medaljen Presidenciale të Meritave. Dervish Shaqa ka dhënë kontribut të shquar në kultivimin e këngëve popullore me vlerat të larta patriotike për dekada të tëra”, pati thënë presidenti Thaçi në motivacionin e ndarjes së çmimit.