”Restaurimi dhe rijetësimi i monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të prekë disa pika të rëndësishme të hartës së pasurive tona, si dhe do të sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë”.
Kështu deklaroi kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili nënshkroi me përfaqësues të BE Memorandumin e Mirëkuptimit për investimin prej 50 milionë eurosh miratuar nga BE-ja në kuadër të projektit të Rindërtimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Pjesë e fondit prej 100 milionë euro alokuar nga BE për të ndihmuar ringritjen pas tërmetit, ky investim i dedikohet shkollave, kopshteve dhe objekteve të kulturës të cilat u dëmtuan vitin e kaluar.
Në eventin e mbajtur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, e konsideron këtë projekt si vazhdimësi e procesit të rivitalizimit urban dhe rural që vijon në Shqipëri, duke ndikuar në zhvillimin e secilës zonë sipas pikave më të forta turistike dhe ekonomike të tyre.
“Është absolutisht domethënëse që këtë proces rimëkëmbje dhe rilindjeje të këtyre pikave strategjike për hartën e pasurive tona të paçmueshme ne e bëjmë dorë për dore me Bashkimin Europian. Me BE-në që u gjend pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar në një moment aq kritik dhe u kthye në një stacion ku u mblodhën miq nga mbarë bota për t’u solidarizuar me popullin shqiptar në Konferencën e Donatorëve prej të cilës ne morëm një mesazh emocionues e kuptimplotë solidariteti dhe një kontribut rekord”, – nënvizoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se “procesi i rindërtimit është një proces për fuqizimin ekonomik dhe social. Dritëshkurtësi e madhe, të mos kuptosh se këto investime janë ekonomi drejtpërdrejtë”.
Sipas tij, ky projekt do sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë që do sjellin edhe më shumë të ardhura.”
Rama e konsideroi këtë marrëveshje me BE-në xhevahirin që kurorëzon punën që është bërë gjatë viteve për rijetësimin e monumenteve kulturore, shumë prej të cilave janë shpëtuar teksa ishin në prag të asgjësimit.